Shkollat të hapen sa më shpejt të jetë e mundur

UNICEF thotë se hapja e shkollave, duke respektuar të gjitha masat, është e një rëndësie thelbësore jo vetëm që fëmijët të fitojnë njohuri por edhe për shëndetin e tyre mendor dhe socializimin

UNICEF Mali i Zi
Dječak u klupi
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2020
15 Prill 2021

PODGORICË, 14 PRILL 2021 – Dr. Branka Bosnjak, Nënkryetare e Kuvendit dhe Bashkëkryesuese e Klubit të Grave të Kuvendit të Malit të Zi dhe Vesna Paviceviq, Deputete dhe Bashkëkryesuese e Klubit të Grave të Kuvendit të Malit të Zi, i bashkohen apelit të UNICEF-it që hapja e shkollave, duke respektuar të gjitha masat, është e një rëndësie thelbësore jo vetëm që fëmijët të fitojnë njohuri, por edhe për shëndetin e tyre mendor dhe socializimin.

Autoritetet politike duhet të tregojnë ndjeshmëri të veçantë ndaj fëmijëve që jetojnë në varfëri, të cilët nuk kanë pasur kushtet ose pajisjet e përshtatshme që të ndjekin mësimet online dhe për të cilët arsimi është mundësia për t'i shpëtuar varfërisë. Për këto arsye, është e nevojshme që shkollat ​​të hapen sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të shmangen sa më shumë pasojat negative që do na duhet t`i hasim në të ardhmen. Së bashku të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë. Shkollat ​​e hapura dhe shëndeti ecin paralelisht për sa kohë që të gjithë respektojmë masat parandaluese.

Dr. Branka Bosnjak, Nënkryetare e Parlamentit

Raporti global i UNICEF-it dhe UNESCO me të dhënat nga 191 vende dhe dëshmitë e tjera globale tregojnë se deri më tani nuk është vërejtur asnjë lidhje shkakësore mes hapjes të shkollave dhe përhapjes së Covid-19.

Situata epidemiologjike nuk është e kënaqshme dhe nga kjo vuajnë fëmijët dhe mësimdhënësit. Shëndeti i çdo individi është më i rëndësishmi, prandaj duhet të respektohen masat parandaluese për t'i dhënë fund kësaj situate sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet të bëhet urgjentisht një vlerësim i situatës epidemiologjike që fëmijët të lejohen të kthehen në shkollë, pasi kjo situatë tani ndikon në zhvillimin e tyre emocional dhe intelektual dhe arsimimin e çdo fëmije.

Vesna Pavicevic, deputete

Dekadat e tëra të përvojës dhe hulumtimeve tregojnë se mbylljet e zgjatura të shkollave ndikojnë negativisht në të mësuarit e fëmijëve, shëndetin e tyre mendor dhe fizik dhe i ekspozon ata ndaj rreziqeve më të larta të dhunës, abuzimit dhe neglizhimit.

Shumë fëmijë që jetojnë në varfëri nuk mund të ndjekin mësimet online pasi nuk kanë qasje në teknologjitë e reja. Fëmijët me aftësi të kufizuara pësojnë vonesa të pakthyeshme në zhvillim për shkak të mungesës së arsimit cilësor, gjithëpërfshirës, ​​të cilin mund ta marrin vetëm në shkollë. Shumë fëmijë romë dhe egjiptianë rrezikojnë të braktisin shkollën, që shpesh çon në martesa të hershme dhe punë të fëmijëve. Prandaj, jo vetëm që është e nevojshme të sigurohet që të gjithë fëmijët të kthehen në shkollë sa më shpejt që të jetë e mundur, por është po aq thelbësore që të fillojmë me përgatitjet për vitin e ardhshëm shkollor me të gjitha palët e interesit.

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Edhe para krizës COVID-19, sipas rezultateve të OECD PISA, nxënësit malazezë ishin prapa moshatarëve të tyre në vendet e OECD me gati 1.5 vite të shkollimit. Pas pothuajse një viti të mbylljes së shkollës, ky hendek do të jetë zgjeruar dhe të rinjtë do përballen me sfida edhe më të mëdha për të gjetur punë të denjë pasi të përfundojnë shkollën. Për këtë arsye, duhet urgjentisht të përmirësohet cilësia e përgjithshme dhe gjithëpërfshirja e arsimit gjatë dhe pas pandemisë në mënyrë që t'u mundësojë fëmijëve dhe adoleshentëve të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për sukses në shkollë dhe në tregun e punës.