Në Mal të Zi do të lansohet hulumtimi i parë mbi mikronutrientët
Me mbështetjen e UNICEF-it dhe mbështetjen financiare të BE-së, Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi po lanson hulumtimin e parë që ekzaminon shpeshtësinë e mungesës së vitaminave dhe mineraleve në dietën e Malit të Zi
- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Podgoricë, 19 shtator 2022 – Megjithëse sëmundjet kronike jo të transmetueshme dhe sëmundjet e lidhura me dietën janë shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në Mal të Zi, të dhënat për statusin dietik të popullsisë së vendit mbeten shumë të pakta deri më sot. Sipas njoftimit të sotëm të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi (ISHP), të publikuar me rastin e lansimit të hulumtimit, hulumtimi mbi mikronutrientët do të ndihmojë në të kuptuarit më të mirë të gjendjes shëndetësore dhe dietike të grave, fëmijëve dhe grave shtatzëna.
Ministri i Shëndetësisë, Dragoslav Šćekić, tha se hulumtimi do të sigurojë të dhëna të besueshme për gjendjen aktuale në aspektin e mikronutrientëve dhe dietës në disa grupe të synuara që jetojnë në Mal të Zi, si dhe të dhëna për sindromën metabolike tek gratë e moshës riprodhuese.
“Rezultatet që do t'i marrim do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë gjendjen shëndetësore dhe dietike të popullatës, shpeshtësinë dhe seriozitetin e mangësive të mikronutrientëve, si dhe sëmundjet e lidhura me dietën, dhe kështu do të sigurojnë një bazë kundrejt së cilës do të matet progresi i ardhshëm i programit kombëtar të dietës. Për më tepër, hulumtimi do të gjenerojë të dhëna që do të na mundësojnë neve, si vendimmarrës, në nivelin më të lartë, të shfrytëzojmë bashkëpunimin me ekspertë nga Instituti i Shëndetit Publik si dhe të hartojmë strategji dhe veprime të ardhshme të bazuara në hulumtime, për ta përmirësuar dietën dhe shëndetin e të gjithë popullatës.”
Ministri theksoi gjithashtu se ishte veçanërisht e rëndësishme të ndërgjegjësohej popullata e përgjithshme për rëndësinë e një diete të duhur dhe të ekuilibruar për ruajtjen e shëndetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, e cila, siç shpjegoi ai, do të mbështetej ndjeshëm nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët e përfshirë në hulumtim.
Ky hulumtim do të sigurojë të dhëna të rëndësishme në lidhje me konsumimin e mikronutrientëve (vitamina dhe minerale) dhe dietën tek gratë e moshës riprodhuese, gratë shtatzëna dhe fëmijët, si dhe të dhëna për sindromën metabolike tek gratë e moshës riprodhuese në një mostër përfaqësuese të popullsisë në Mal të Zi. Sipas tij, të dhënat e marra, të mbështetura nga prova shkencore dhe bashkëpunimi me vendimmarrësit dhe partnerët, do ta bëjnë të mundur hartimin e strategjive dhe veprimeve të reja që synojnë përmirësimin e dietës dhe shëndetit në grupet e popullsisë të përfshira në hulumtim, si dhe në të gjithë popullsinë.
Dr. Galić theksoi se, duke pasur parasysh se përmirësimi i dietës dhe shëndetit të popullatës ishin synime që kërkonin përpjekje të përbashkëta nga të gjithë, Instituti i Shëndetit Publik u kërkon familjeve në Mal të Zi që të përgjigjen në një numër sa më të madh. Duke u dhënë pëlqimin e tyre intervistuesve të MONSTAT për të marrë pjesë në hulumtim, të cilët do të vizitojnë familjet dhe do të shpjegojnë në detaje metodologjinë e hulumtimit, të anketuarit do të kontribuojnë në përmirësimin e luftës kundër sëmundjeve jo të transmetueshme, ndërkohë që do të kenë mundësinë ta kontrollojnë gjendjen e tyre shëndetësore, pasi do t'u mundësohet qasja në gjetjet e tyre laboratorike përmes portalit e-health.
UNICEF-i dhe BE-ja do ta mbështesin Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik në kryerjen e vlerësimit të parë të konsumimit të mikronutrientëve në vend, së bashku me një vlerësim të prevalencës së sindromës metabolike tek gratë. Gjetjet do të përdoren për të hartuar, zbatuar dhe vlerësuar ndërhyrjet për ta përmirësuar statusin e mikronutrientëve të grupeve të cenueshme dhe për të siguruar shëndet më të mirë për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
“Ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë hulumtim. Të dhënat do të përdoren për ta reduktuar numrin e fëmijëve dhe të rriturve që konsumojnë sasi të pamjaftueshme të vitaminave dhe mineraleve.”
Hulumtimi mbi mikronutrientët është pjesë e programit të mbështetjes së zhvillimit të hershëm, i cili synon të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve si dhe të ofrojë mbështetje për prindërit dhe kujdestarët. Ky program trevjeçar do të zgjasë deri në korrik të vitit 2023 dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNICEF-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.