Mbështetje për fëmijët dhe familjet më të cenueshme gjatë krizës me koronavirusin

Falë UNICEF-it dhe partnerëve të tij, më shumë se 24.000 fëmijë dhe të rritur kanë marrë mbështetje shtesë gjatë krizës me koronavirusin

UNICEF Crna Gora
Mbështetje
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020
02 Mars 2021

PODGORICË, 02 MARS 2021 – Kriza me koronavirusin ka ndikuar në të drejtën e çdo fëmije për të pasur shëndet, arsimim dhe një standard të përshtatshëm jetese, si dhe në të drejtën e çdo fëmije për t'u mbrojtur nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi. Për t'iu përgjigjur kësaj krize të të drejtave të fëmijëve, UNICEF-i dhe partnerët e tij nga bashkësia ndërkombëtare dhe sektori privat dhe ai civil kanë bashkuar forcat me qeverinë, qendrat për mirëqenien sociale, shkollat, institucionet parashkollore dhe qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara për ta ndihmuar Malin e Zi që të sigurojë mbështetje shtesë për fëmijët dhe familjet më të cenueshme. Si rezultat, më shumë se 24.000 fëmijë dhe të rritur kanë marrë mbështetje kritike, duke përfshirë: transferta shtesë parash për t'i ndihmuar prindërit të mbulojnë kostot themelore të jetesës, pako higjienike falas, tabletë, pajisje shkollore, pajisje parashkollore, maska, mbështetje psiko-sociale dhe ndihmë juridike falas.

Mbështetje për fëmijët dhe familjet
UNICEF në Mali të Zi / Dusko Miljanic / 2020

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Malin e Zi, Juan Santander, thekson se, para krizës me koronavirusin, një në tre fëmijë në Mal të Zi po rriteshin në varfëri dhe se, tani, ky numër ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë. Santander na kujton për përgjegjësinë morale për t'i mbështetur anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë, pasi solidariteti është vlera themelore e çdo shoqërie funksionale.

Jemi të vetëdijshëm se varfëria nuk është vetëm mungesë e të ardhurave, andaj, ne duhet t'i plotësojmë transfertat e parave me shërbime dhe mbështetje të tjera thelbësore. Për këtë arsye jemi bashkuar me partnerë nga të gjithë sektorët e shoqërisë – komuniteti ndërkombëtar dhe sektori privat dhe ai civil – për të mbështetur qeverinë, shkollat, institucionet parashkollore, qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe qendrat e mirëqenies sociale për të siguruar shërbime të mbrojtjes së fëmijëve, shërbime arsimore dhe shëndetësore për një numër më të madh të familjeve të cenueshme gjatë krizës.

Juan Santander, përfaqësues i UNICEF-it në Malin e Zi

Me mbështetje financiare nga Qeveria Daneze, Ambasada Norvegjeze në Beograd përmes OJQ-së Grupi 484 dhe Telenor, UNICEF-i dhe partnerët e tij – Kryqi i Kuq, Qendrat për mirëqenie sociale, Shoqata e Prindërve, OJQ-së Juventas, Olimpiada Speciale, Shoqata e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara dhe shoqatat e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara: NARDOS, Nasa Inicijativa dhe Zracak nade – kanë shpërndarë ndihma humanitare për më të cenueshmit në çdo komunë. Familjet dhe fëmijët u identifikuan në përputhje me informacionin në dispozicion në qendra të mirëqenies sociale, shkolla, institucione parashkollore, qendra të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe organizata të shoqërisë civile. Sipas Vlerësimit të Shpejtë të OKB-së për Ndikimin Social të COVID-19, kriza e koronavirusit ka prekur, sidomos familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe të rinjtë pa përkujdesje prindërore, ata që veçse ishin duke u rritur në varfëri, përfshirë fëmijët romë dhe egjiptianë, familjet me vetëm njërin prind, fëmijët e vendosur në strehim familjar, fëmijët në konflikt me ligjin dhe ata të ekspozuar ndaj dhunës dhe neglizhencës. Prandaj, këtyre grupeve u është dhënë përparësi për mbështetje.

Mbështetje për fëmijët dhe familjet
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020

Si rezultat, falë Qeverisë Daneze, rreth 1.200 familje kanë marrë transferta monetare të njëhershme nga qendrat e mirëqenies sociale për t'i mbuluar kostot themelore të jetesës, si p.sh. për ushqim, veshmbathje, pajisje shkollore dhe qira. Falë mbështetjes së Ambasadës Norvegjeze në Beograd përmes OJQ-së Grupi 484, më shumë se 24.000 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre si dhe fëmijë dhe familje nga komunitetet rom dhe egjiptian morën pako higjienike përmes Kryqit të Kuq, shoqatave të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe qendrave të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara. Afër 800 kompjuterë tabletë që mbështesin të mësuarit online iu shpërndanë fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve të vendosur në strehim familjar, fëmijëve që jetojnë në familje me vetëm njërin prind dhe fëmijëve nga komunitetet rom dhe egjiptian si dhe atyre që jetojnë në institucione të kujdesit për fëmijët, me mbështetjen e Ambasadës Norvegjeze në Beograd përmes OJQ-së Grupi 484. Pajisje të nevojshme për mësimin në distancë dhe mbështetje psiko-sociale falas iu siguruan vajzave dhe djemve që rriten në Shtëpinë e Fëmijëve në Bijela, me mbështetjen e të njëjtit donator dhe UNICEF-it. Falë Telenor, adoleshentët në Qendrën Ljuboviç për Fëmijë dhe të Rinj përfituan nga një laborator i TI-së që ua mundësoi atyre të kishin qasje në mësimin në distancë, si dhe të regjistroheshin në programe arsimore joformale. Krahas pajisjeve shkollore, UNICEF-i shpërndau 40.000 maska ​​në shkolla, ndërsa, përmes Olimpiadës Speciale, pajisje dhe trajnime shtesë iu ofruan parashkollorëve dhe familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara për të zbatuar një program sportiv gjithëpërfshirës në shtëpi gjatë pandemisë COVID-19. Për fund, Shoqata e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara dhe Shoqata e Prindërve mbështetën prindërit dhe fëmijët në nevojë për të pasur qasje në ndihmë juridike falas dhe mbështetje psiko-sociale gjatë krizës me koronavirusin, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Ambasadës Norvegjeze në Beograd përmes OJQ-së Grupi 484.

UNICEF-i do të vazhdojë të punojë me partnerë nga të gjithë sektorët e shoqërisë për të siguruar që fëmijët dhe familjet më të cenueshme të dëgjohen dhe t'u sigurohet mbështetje që i përgjigjet më së miri nevojave të tyre gjatë krizës me koronavirusin.