Le t'i mbrojmë të gjithë fëmijët nga fruthi, shytat dhe rubeola!

Vaksinat mbrojnë shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve

UNICEF Mali i Zi
Djecak na vakcinaciji
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić
29 Prill 2022

PODGORICË, 29 prill 2022 – UNICEF-i, Delegacioni i BE-së në Mal të Zi dhe OBSH-ja i janë bashkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit për Shëndetin Publik në një thirrje kombëtare drejtuar prindërve që t'i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër sëmundjeve infektive që mund të pengojnë shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Teksa bota shënon Javën Botërore të Imunizimit, vlerësimet më të fundit tregojnë se rreth 15,000 fëmijë të moshës parashkollore në Mal të Zi nuk janë të mbrojtur kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

 

Ndërsa jemi të shqetësuar për shkallën më të ulët të vaksinimit rutinë të vendit në historinë e kohëve të fundit, ne duam gjithashtu t'i njohim dhe të festojmë me kampionët e imunizimit të Malit të Zi, si Komuna e Mojkovcit, ku punonjësit shëndetësorë dhe komuniteti kanë arritur t'i mbrojnë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës të gjithë fëmijët në komunë. UNICEF-i është i përkushtuar t'i mbështesë të gjitha përpjekjet kombëtare në imunizimin rutinë, pasi e dimë se vaksinat mbrojnë shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe sigurojnë një jetë të gjatë për të gjithë.

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Në dy dekadat e fundit, më shumë se 1.1 miliard fëmijë janë imunizuar në mbarë botën; duke shpëtuar 4-5 milionë jetë çdo vit. Aktualisht ekzistojnë vaksina të sigurta dhe efektive për më shumë se 25 sëmundje. Në fakt, gjatë 220 viteve që nga shpikja e tyre, vaksinat kanë shpëtuar më shumë jetë se çdo inovacion tjetër mjekësor në histori.

Po e shënojmë këtë javë – Javën Evropiane të Imunizimit – së bashku me partnerët tanë, OBSH-në dhe UNICEF-in, dhe e shoh si një tjetër mundësi për ta theksuar rëndësinë e imunizimit. Sëmundjet infektive dhe shkaktarët e tyre nuk njohin kufij. U bëjmë thirrje të gjithëve që të vaksinohen dhe të shmangin situatën në të cilën do të na duhet të luftojmë sëmundjet infektive që janë zhdukur tashmë. Është me rëndësi të madhe që imunizimi rutinë i fëmijëve të bëhet sipas kalendarit të imunizimit dhe që vaksinimi të mos shtyhet. Përfitoj nga rasti për t'i bërë thirrje të gjithë prindërve që të caktojnë termin për vaksinimin e fëmijës së tyre me pediatrin e tyre ose mjekun familjar.

Dr. Igor Galić, drejtor i Institutit për Shëndetin Publik

UNICEF-i dhe Delegacioni i BE-së në Mal të Zi po mbështesin Ministrinë e Shëndetësisë në përpjekjet kombëtare për të rritur normat e imunizimit rutinë dhe për t'i mbrojtur të gjithë fëmijët kundër sëmundjeve infektive.

Është e pafalshme që, në një botë kaq të zhvilluar si e jona, fëmijët ende të vdesin nga sëmundje që duhej të ishin zhdukur shumë kohë më parë. Akoma më keq, zgjidhjen e kemi në dorë, por nuk po shfrytëzohet plotësisht. Vaksinimi është një nga sukseset më të mëdha të shkencës dhe shëndetit publik, që shpëton miliona jetë çdo vit. U bëj thirrje të gjithë prindërve në Mal të Zi që t'i besojnë shkencës dhe t'i mbrojnë fëmijët e tyre nga sëmundjet e parandalueshme.

Shefja e Delegacionit të BE-së, ambasadorja Oana Cristina Popa

Të dhënat e monitorimit global në lidhje me imunizimin rutinë tregojnë se shumë vende ende po raportojnë ndërprerje në këtë fushë për shkak të pandemisë COVID-19.

Investimi në imunizimin duhet të bëhet prioritet kombëtar dhe strategjik dhe duhet të jetë një përpjekje e përbashkët. Në muajt dhe vitet e ardhshme, programet e imunizimit në Mal të Zi duhet t'i ndjekin parimet e agjendës evropiane të imunizimit, e cila përfshin veprimin lokal, promovimin e qasjes së barabartë në vaksina dhe imunizimin gjatë gjithë jetës. Në këtë mënyrë, askush nuk do të mbetet pas.

Dr. Mina Brajovic, shefe e Zyrës së OBSH-së në Mal të Zi

Përpjekjet aktuale të imunizimit të Malit të Zi që synojnë forcimin e sistemit të imunizimit dhe rritjen e mbrojtjes së fëmijëve kundër fruthit, shytave dhe rubeolës janë pjesë e një nisme shëndetësore dyvjeçare që po zbatohet nga autoritetet kombëtare shëndetësore me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it. Qëllimi i veprimit është të mbështesë vendin për t'u përballur me pandeminë e koronavirusit në mënyrë efektive, duke siguruar, në të njëjtën kohë, që imunizimi rutinë të ndodhë pa asnjë ndërprerje, në mënyrë që të parandalohen shpërthimet e sëmundjeve ngjitëse potencialisht fatale.