Filloni urgjentisht përgatitjet për vitin e ardhshëm shkollor

Shoqata e mësimdhënësve iu bashkua thirrjes së UNICEF-it për të respektuar masat #DistanceHandsMask dhe për të hapur shkollat sa më shpejt të jetë e mundur

UNICEF Mali i Zi
Učionica
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2020
16 Prill 2021

PODGORICË, 15 PRILL, 2021 -Shoqata e mësimdhënësve iu bashkua thirrjes së UNICEF-it për të respektuar masat #DistanceHandsMask dhe për të hapur shkollat sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe për të filluar urgjentisht përgatitjet për vitit të ri shkollor në konsultim me të gjitha palët e interesit.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarët që të respektojnë masat epidemiologjike në mënyrë që institucionet shkollore ​​dhe ato parashkollore të punojnë më pak online. Duhet të mendojmë për shëndetin mendor dhe edukimin e fëmijëve. Viti i ardhshëm shkollor duhet të planifikohet mirë duke marrë parasysh nevojat e nxënësve, mundësitë e shkollave të ndryshme dhe pasojat e një periudhe të gjatë të izolimit dhe të mësimit online. Duhet t'u sigurojmë nxënësve dhe mësimdhënësve pajisje digjitale, si dhe të sigurojmë që të ketë transport të mjaftueshëm për të shkuar në shkolla dhe të ketë ngrohje në të gjitha këto shkolla.

Olivera Lekoviq, Shoqata e Mësimdhënësve

Kolegu i saj Nikola Latkoviq theksoi nevojën që të gjitha palët e interesit të marrin pjesë në mënyrë aktive në zhvillimin e strategjisë kombëtare për arsim, në mënyrë që viti i ardhshëm shkollor të jetë më cilësor dhe më gjithëpërfshirës sesa viti aktual. Gjithashtu, duhet të përmirësohet komunikimi ndërmjet të gjithë aktorëve të procesit arsimor. Latkoviq vuri në dukje nevojën për të siguruar mbështetje më të mirë në zhvillimin socio-emocional të fëmijëve gjatë dhe pas pandemisë duke replikuar programin e shkëlqyeshëm Vlerat dhe Virtytet e Mia të zhvilluar me mbështetjen e UNICEF-it.

Mladen Zivkoviq nga Shoqata e Mësimdhënësve theksoi gatishmërinë  e kësaj OJQ-je për të punuar së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve, me prindërit, me nxënësit, me shoqatat e tjera të mësimdhënësve, me OJQ-të dhe me partnerët përkatës për të organizuar më mirë vitin e ardhshëm shkollor. Qindra mësimdhënës-anëtarë të Shoqatës së Mësimdhënësve ndajnë të gjithë së bashku mijëra vjet përvojë pune në klasa. Ky është burim i dobishëm për çdo proces të planifikimit arsimor, veçanërisht gjatë një krize kur mësimdhënësit çdo ditë janë hartues inovativë të intervenimeve arsimore.

Kolegia e tij Nada Miloviq vuri në dukje se ndër të tjera, nxënësit e talentuar, veçanërisht ata që janë nga grupe të margjinalizuara, kanë nevojë për mbështetje më të mirë.

Duhet fuqizuar bashkëpunimi me prindërit, meqë fëmijët e talentuar nuk janë gjithmonë të motivuar dhe mund t’u mungojë mbështetja e prindërve të tyre, shpesh për shkak të ballafaqimit të tyre me varfërinë.

Nada Miloviq, Shoqata e Mësimdhënësve

Për të mbështetur të nxënit dhe zhvillimin e të gjithë fëmijëve, Shoqata e Mësimdhënësve bën thirrje për organizimin në çdo komunitet lokal të një numri më të madh të aktiviteteve jashtëshkollore dhe shkollore pa pagesë si klube debatimi, shkolla në gjuhë të huaja, shkrime kreative, vizatime komike, punëtori për njohuri mediatike, etj.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, theksoi që shkollat ​​ekzistojnë për fëmijët, por ato nuk mund të ekzistojnë pa mësimdhënës. Prandaj, është e domosdoshme të përfshihen të gjithë palët e interesit, veçanërisht mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, në mënyrë aktive në përgatitjet e vitit të ardhshëm shkollor. Gjithashtu, të gjithë ata duhet të promovojnë respektimin e masave #DistanceHandsMask në mënyrë që institucionet shkollore ​​dhe parashkollore të mund të jenë të hapura.

Sistemet shkollore me performancë të lartë bazohen në cilësinë e mësimdhënësve të tyre për të cilët ata ofrojnë mjedis pune të sigurt, motivues dhe miqësor ndaj inovacionit. Duhet të sigurohemi që të gjithë fëmijët të kthehen të sigurt në shkollat e tyre dhe të marrin të gjithë mbështetjen e nevojshme për të nxënit dhe zhvillimin shoqëror dhe emocional, si dhe që mësimdhënësit të përkrahen mirë në vitin e ardhshëm shkollor.

Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi

Shoqata e mësimdhënësve dhe UNICEF-i do të vazhdojnë të mbështesin sistemin arsimor kombëtar në identifikimin e mënyrave më të mira për të përmirësuar cilësinë e arsimit në Mal të Zi për çdo fëmijë.