Falë këshillimit në karrierë, Selma po merr një vendim për profesionin e saj të ardhshëm

Një nxënëse e shkollës së mesme nga Podgorica po merr pjesë në programin “Prilike”, i cili ofron trajnime praktike dhe mundësinë e këshillimit në karrierë për adoleshentët

Milica Bogdanović
HIS, Selma, Prilike
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
20 Maj 2022

Podgoricë, 20 maj 2022 – Selma (18) është nxënëse e shkollës së mesme të përgjithshme nga Podgorica. Asaj i pëlqejnë gjuhët e huaja dhe i pëlqen të punojë me të rinjtë. Ajo është e interesuar në gazetari dhe aktivizëm. Ajo ka interesa të ndryshme, por ende nuk është e sigurt se cili mund të jetë profesioni i saj i ardhshëm. Për këtë arsye, nëpërmjet programit “Prilike” (Mundësitë) të zbatuar nga ADP-ZID me ndihmën e UNICEF-it dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit TUI Care, asaj iu dha mundësia të marrë pjesë në sesionin individual të këshillimit në karrierë pas trajnimit praktik.

“Duke qenë e re, jam e vetëdijshme që kam një sërë mundësish dhe ky program ishte një mundësi që unë të njoh më mirë aftësitë dhe cilësitë e mia për të zgjedhur më mirë profesionin tim të ardhshëm”, thotë Selma.

Përveç mundësisë për mbështetje individuale përmes këshillimit në karrierë që ofron programi “Prilike”, adoleshentët në Mal të Zi kanë mundësinë të provojnë potencialin e tyre në një fushë me interes dhe të fitojnë përvojën e parë praktike që do t'i ndihmojë ata të zgjedhin profesionin e tyre të ardhshëm. Kështu, gjatë sesionit të këshillimit në karrierë, Selma foli për një sërë profesionesh dhe identifikimin e aftësive të nevojshme për të kryer me sukses punë të tilla.

Selma na praksi
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
Programi i ndihmon adoleshentët të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për tregun e punës

“Ne përcaktuam tre rrugë në të cilat mund të shoh veten dhe rrugëtimin tim në karrierë dhe arrita të zbuloj se këto janë fillimisht aktivizmi, pasuar nga përkthimi dhe interpretimi. Veç kësaj, vendosa t'a provoj potencialin tim edhe në gazetari, sepse besoj se të gjitha këto janë profesione të lidhura ngushtë”, shtoi kjo nxënëse e shkollës së mesme.

Sesioni i këshillimit në karrierë u drejtua nga psikologia Maja Lješnjak nga ADP-ZID, e cila beson se zhvillimi i karrierës duhet të fillojë në fazat e hershme të shkollimit.

“Procesi i këshillimit në karrierë i ndihmon adoleshentët të kuptojnë se ata janë përgjegjës për menaxhimin e karrierës së tyre dhe u jep atyre mundësinë të njohin dhe zhvillojnë aftësitë që u nevojiten”, thotë Maja Lješnjak.

Falë programit “Prilike”, përveç këshillimit në karrierë, Selma ka ndjekur edhe trajnime praktike të organizuara nga KOD. Atje ajo mësoi bazat e gazetarisë dhe si të krijonte një video podcast.

“Jemi të kënaqur që të rinjtë po tregojnë interesim për të bërë punën që e duan sepse atëherë mund të japin më të mirën e tyre”, thotë Nina Pantoviq nga organizata KOD. Ajo beson se programi “Prilike” ka qenë një shans i madh për organizatën e tyre për të “pritur të rinjtë dhe për të dëgjuar mendimet dhe idetë e tyre të reja rreth aktivizmit dhe pjesëmarrjes së tyre.”

Duke qenë se shumica e adoleshentëve nga Mali i Zi nuk kanë përvojë në këshillim në karrierë dhe se shërbimet e orientimit dhe këshillimit në karrierë në shkolla praktikisht nuk ekzistojnë, programi është një mundësi për nxënësit e shkollave të mesme që të marrin mbështetje në marrjen e vendimeve të pavarura për karrierën e tyre të ardhshme nga profesionistë në këtë fushë.

HIS, Prilike
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
Psikologia Maja Ljesnjak beson se zhvillimi i karrierës duhet të fillojë që në fazat e hershme të shkollimit

Çështja e përfshirjes së të rinjve në proceset socio-ekonomike është veçanërisht e rëndësishme pasi hulumtimet tregojnë se adoleshentët janë më të shqetësuar për situatën ekonomike dhe pasigurinë e madhe në lidhje me gjetjen e një vendi pune. Përveç kësaj, përqindja e të rinjve në Mal të Zi që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim (26.6%, Komisioni Evropian, 2021) është rritur në vitin 2020. Programi “Prilike” i UNICEF-it u ofron adoleshentëve mundësinë për të fituar përvojën e tyre të parë praktike dhe për të marrë këshilla në karrierë në mënyrë që të kontribuojnë në kalimin e suksesshëm të adoleshentëve nga arsimi në tregun e punës.

“Rreth 98% e adoleshentëve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në programin ‘Prilike’ nuk kanë përvojë të mëparshme të trajnimit praktik, ndërkohë që të gjithë dëshirojnë të marrin pjesë në të paktën një sesion këshillimi për karrierë. Ky program përpiqet t'i mundëson adoleshentëve në Mal të Zi të jenë në kontakt me tregun e punës për herë të parë dhe të identifikojnë rrugëtimin e tyre në karrierë", tha Ivana Bošković, konsulente kombëtare e UNICEF-it për programin "Prilike".

Të gjithë nxënësit e interesuar të shkollave të mesme nga Mali i Zi mund të aplikojnë për trajnim ose këshillim në karrierë duke përdorur linkun e mëposhtëm: Prilike - Poziv za mlade (typeform.com)

UNICEF do të përdorë programin “Prilike” për të vënë në dukje nevojën për shërbime që ndihmojnë adoleshentët të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për tregun e punës, duke e bërë më të lehtë për ta që të vendosin për arsimimin e tyre të mëtejshëm dhe profesionin e ardhshëm. Kjo, nga ana tjetër, do t'i fuqizojë adoleshentët për të menaxhuar karrierën e tyre. Qëllimi afatgjatë i programit është të kontribuojë në kalimin e suksesshëm të adoleshentëve nga arsimi në tregun e punës.