Fëmijëria është e çmuar - le t'i mbrojmë fëmijët nga sëmundjet infektive

UNICEF-i dhe Komisioni Parlamentar për Shëndetësinë, Punën dhe Mirëqenien Sociale janë duke punuar së bashku për përmirësimin e shëndetit të fëmijëve

UNICEF Mali i Zi
Odbor
Parlamenti i Malit të Zi/2022
06 Korrik 2022

PODGORICË, 6 korrik 2022 – Ne duhet të bashkohemi për t'i mbrojtur fëmijët nga sëmundjet infektive. Ky është mesazhi i përbashkët nga seanca e djeshme e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Parlamentit të Malit të Zi. Seanca me temën “Zhvillimi i hershëm i fëmijëve me fokus në imunizimin rutinë apo aktual të fëmijëve në Mal të Zi” u organizua në bashkëpunim me zyrën e UNICEF-it në Mal të Zi.

Përveç deputetëve, në seancë morën pjesë në cilësinë e të ftuarve të Komisionit edhe: Dr. Elvis Omeragić, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë; Radovan Nikolić, Këshilltar në Drejtorinë për Çështje Normative në Ministrinë e Shëndetësisë; Dr. Igor Galić, Drejtor i Institutit për Shëndetësi Publike të Malit të Zi; Dr. Adis Martinović, Udhëheqës i Departamentit për Imunoprofilaksë në Institutin e Shëndetësisë Publike të Malit të Zi; Mina Brajović, Udhëheqëse e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Mal të Zi; Dr. Lidija Poček, specialiste e pediatrisë, subspecialiste e alergologjisë dhe imunologjisë klinike në Institutin e Sëmundjeve të Fëmijëve në Qendrën Klinike të Malit të Zi; Dr. Rajka Pajović, pediatre në Qendrën e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Podgoricë; si dhe Koordinatorja e Programit të UNICEF-it për Monitorimin e të Drejtave të Fëmijëve në Mal të Zi, Nela Krnić, dhe Dr. Senad Begić, konsulent i lartë për shëndetësi.

Kryetari i Komisionit, Dr. Srđan Pavićević, theksoi se shkalla e lartë e imunizimit duhet të jetë një tregues që do të na largojë nga e kaluara.

“Nëse kjo shoqëri nuk është në gjendje t'i kushtojë vëmendje këtij problemi dhe ta gjurmojë rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve në mënyrë shumë rigoroze dhe cilësore, atëherë kemi të bëjmë me problem të civilizimit,” tha Dr. Pavićević.

Ai tha se raporti i UNICEF-it për gjendjen aktuale të vaksinimit të fëmijëve në Mal të Zi dhe rekomandimet e tyre në këtë drejtim duhet të jenë pjesë e konkluzioneve të seancës, së bashku me propozimin për formimin e një grupi punues heterogjen multidisiplinar për hartimin e një strategjie kombëtare për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve dhe të rinjve derisa rriten, me theks të veçantë në imunizimin.

Sjednica
Parlamenti i Malit të Zi/2022

Koordinatorja e Programit të UNICEF-it për Monitorimin e të Drejtave të Fëmijëve, Nela Krnić dhe këshilltari i lartë shëndetësor i UNICEF-it, Dr. Senad Begić, theksuan rëndësinë e imunizimit për shëndetin dhe cilësinë e jetës, si dhe shkallën e ulët të imunizimit rutinë të fëmijëve. Ata thanë se fëmijëria nuk përsëritet kurrë dhe se duhet të ndërmerren menjëherë aktivitetet që synojnë ta inkurajojnë standardin më të lartë të kujdesit shëndetësor dhe parakushtet për një fëmijëri të shëndetshme për çdo fëmijë në Mal të Zi.

“Pothuajse 90 për qind e fëmijëve në Mal të Zi janë vaksinuar kundër fruthit, shytave dhe rubeolës në vitin 2010. Kjo shifër aktualisht është 23 për qind,” theksoi Krnić.

Ajo potencoi që komunat e Mojkovac dhe Plav janë kampionë në imunizim në Mal të Zi dhe iu bëri thirrje edhe komunave tjera t’i ndjekin shembujt e tyre.

Krnić shtoi se Zyra e UNICEF-it në Malit të Zi, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, është e gatshme t'i mbështesë përpjekjet kombëtare në luftën për shëndetin dhe mbrojtjen adekuate të fëmijëve dhe se, në kuadër të programit për ta forcuar qëndrueshmërinë dhe reagimin e sistemit shëndetësor ndaj pandemisë COVID-19 dhe rreziqeve të tjera epidemiologjike, janë siguruar më shumë se 1.3 milionë euro, nga të cilat gjysma është menduar për mbështetjen e imunizimit rutinë të fëmijëve.

Dr. Begić theksoi se vaksinat mbeten mënyra më e shpejtë, më efektive dhe më e lirë përmes së cilës t'i kontrollojmë, eliminojmë dhe t'i çrrënjosim përfundimisht sëmundjet. UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësojnë se vaksinat shpëtojnë jetën e katër milionë fëmijëve çdo vit.

Ai ftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar që t'i mbështesin përpjekjet kombëtare për ngritjen e nivelit të mbrojtjes së fëmijëve nga sëmundjet infektive.

“Përveç monitorimit të progresit në imunizimin e fëmijëve, presim edhe mbështetjen tuaj publike për imunizimin e fëmijëve, duke u bërë thirrje të vazhdueshme prindërve që t'i mbrojnë fëmijët nga sëmundjet infektive dhe të rrezikshme dhe duke inkurajuar prindërit që të përdorin informacione zyrtare për vaksinat, si the Bebbo app,” tha Dr. Begić.