Edukimi artistik kundër dhunës midis bashkëmoshatarëve
Kryeqyteti Mbretëror i Malit të Zi Cetinje, me mbështetjen e UNICEF-it, do të organizojnë një koncert veror të Orkestrës Simfonike të Fëmijëve të Malit të Zi.

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
CETINJE, 10 MARS 2022 – Për të promovuar rëndësinë e edukimit artistik për çdo fëmijë në Mal të Zi, si një mjet i fuqishëm për të mbështetur fëmijët për të zhvilluar vlerat dhe aftësitë socio-emocionale për zgjidhjen jo të dhunshme të konflikteve, Kryeqyteti Mbretëror i Malit të Zi Cetinje, me mbështetjen e UNICEF-it dhe në bashkëpunim me Qendrën e Muzikës, me të gjitha shkollat e muzikës në gjithë vendin dhe Byronë për Arsim, do të organizojnë një koncert veror të Orkestrës Simfonike të Fëmijëve të Malit të Zi.
Kjo u dakordua në takimin e fundit midis kryetarit të komunës së Cetinjes, Nikola Đurašković dhe përfaqësuesit të UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander.
Kryetari Nikola Đurašković falënderoi UNICEF-in për mbështetjen e dhënë Kryeqytetit të Vjetër Mbretëror përmes edukimit dhe aktiviteteve të shumta dhe tha se dëshiron që ky bashkëpunim i suksesshëm të vazhdojë dhe të forcohet edhe në të ardhmen.
“Ky partneritet me UNICEF-in në Mal të Zi është i një rëndësie të veçantë për Kryeqytetin e Vjetër Mbretëror, pasi UNICEF-i po inicion ndryshime për mirëqenien e fëmijëve dhe po investon përpjekje për të përmirësuar situatën e të rinjve në Mal të Zi. Ne jemi absolutisht të hapur për të gjitha nismat që UNICEF-i i konsideron të rëndësishme dhe që mund të realizohen në partneritet me Kryeqytetin e Vjetër Mbretëror".
Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Cetinjës, Santander përkujtoi se puna ekipore, empatia dhe toleranca janë vetëm disa nga aftësitë që fëmijët zhvillojnë përmes edukimit artistik dhe të cilat ndihmojnë në parandalimin dhe reduktimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve.
Që një orkestër të jetë e suksesshme, të gjithë anëtarët e saj duhet të mësojnë se si të punojnë së bashku, të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet në mënyrë konstruktive dhe të mbështesin njëri-tjetrin për të arritur një qëllim të përbashkët.
“Është e ditur mjaft mirë që arti dhe kultura inkurajojnë zhvillimin social dhe emocional. Për këtë arsye, UNICEF-i bën thirrje që çdo fëmije në Mal të Zi t'i ofrohen mundësitë për t'u angazhuar në art dhe kulturë".
Mark Korović, i cili dirigjon Orkestrën Simfonike të Malit të Zi, do të jetë dirigjent i koncertit të Orkestrës Simfonike të Fëmijëve në Cetinje.
Ky do të jetë koncerti i dytë i Orkestrës Simfonike të Fëmijëve që organizohet në kuadër të programit për zhvillimin e aftësive socio-emocionale, Vlerat dhe virtytet e mia, i cili u fut në sistemin arsimor të Malit të Zi në vitin 2015 me mbështetjen e UNICEF-it dhe Byrosë për Arsim. Deri më tani, ai është zgjeruar në më shumë se 100 shkolla fillore dhe të mesme duke mbështetur më shumë se 20,000 nxënës për të mësuar që të njohin emocionet e tyre dhe të njerëzve të tjerë dhe të zgjidhin problemet në mënyrë konstruktive.