Besimi në psikoterapist përbënë hapin e parë në tejkalimin e traumës

Alleksandra Nikçeviq, psikologe dhe psikoterapiste, i ndihmon fëmijët viktima të dhunës që ta tejkalojnë traumën e tyre dhe të vazhdojnë të zhvillohen përkitazi me moshën dhe nevojat e tyre

UNICEF Mali i Zi
UNICEF Mali i Zi
UNICEF Mali i Zi, Dushko Milaniq
25 Tetor 2023

Nikshiq, 15 tetor 2023. – Alleksandra punon me fëmijë që kanë përjetuar një lloj traume. Krijimi i besimit te psikoterapisti i tyre në mënyrë që ata të mund të diskutojnë hapur për veten dhe problemet e tyre është thelbësore për këta fëmijë. Edhe pse ajo i përshtat qasjen dhe metodën terapeutike me çdo fëmijë, ndërveprimi i tyre fillestar zakonisht fillon në mënyrë të njëjtë: Aleksandra prezantohet dhe thotë:

“Mund të jesh këtu, ose të mos jesh. Askush nuk do t’iu vendos kushte. Mund të flisni ose të mos flisni. Mund të vizatoni, të dilni të ecni, apo të mbani distancë. Unë jam këtu që të jem me ju, qoftë në heshtje apo duke biseduar, në emocione të zhurmshme apo të qeta."

Kjo psikologe është duke punuar tash e disa vite në organizatën joqeveritare “Impuls” në Niksic me fëmijë që kanë vuajtur nga ndonjë formë e dhunës. Trajnimi i saj për këtë rol përfshin përfundimin e një programi të avancuar në modelin e terapisë neurosekuenciale, organizuar me mbështetjen e UNICEF-it dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Qasja terapeutike fillon me shqyrtim gjithëpërfshirës të historisë së marrëdhënieve të fëmijës, një vlerësim të funksionimit të tyre aktual dhe zhvillimin e rekomandimeve specifike për ndërhyrje që mund t’iu ndihmojnë atyre në zgjidhjen e problemeve dhe ta lehtësojnë zhvillimin e tyre holistik.

Gjatë punës me fëmijët ajo fokusohet në identifikimin e kapaciteteve kognitive dhe emocionale të fëmijëve dhe në përcaktimin se cilat kushte janë të paplotësuara në mënyrë që fëmijët të zhvillohet përkitazi me moshën dhe nevojat e tyre.

Duhet të krijohet besimi dhe fëmijët duhet të fuqizohen para se ne të mund ta trajtojmë çështjen. Pa besim nuk mund të thellohemi në shtresat e situatës problematike. Pa fuqizim, ne ndërmarrim diçka që mund ta dëmtojë si fëmijën ashtu edhe të rriturin.

Alleksandra Nikçeviq, psikologe dhe psikoterapiste në OJQ „Impuls“

Alleksandres nuk është gjithmonë e lehtë të fillohet biseda me një fëmijë

“E kam një kliente heshtja e së cilës ka zgjatur më së shumti. Për rreth dy muaj ajo i ka shkëmbyer me mua vetëm dy apo tri fjali duke thënë se nuk beson që terapia mund t’i ndihmojë,” tha Alleksandra.

Kjo vajzë, e cila ka përjetuar dhunë në familjen e saj, në fillim ka qenë e distancuar, sikur të ishte duke e lexuar një libër për jetën e saj.

UNICEF Mali i Zi
UNICEF Mali i Zi, Dushko Milaniq

Aq shumë ka pasur mosbesim saqë më është dashur ta çoja nëpër zyrë për ta siguruar që nuk ka kamera vëzhgimi.

Alleksandra Nikçeviq, psikologe dhe psikoterapiste në OJQ „Impuls“

Këtë e kujton edhe nëna e kësaj vajze, e cila shpjegon si vajza e saj ka kaluar nëpër procese të gjata ligjore pasi ka përjetuar dhunë në familje, duke e intensifikuar kalvarin që i është dashur të durojë. Ato mësuan për shërbimet e psikoterapisë përmes Qendrës për Punë Sociale, e cila i referoi në OJQ-në “Impuls”.

“Ajo që kishte rëndësi për vajzën time ishte që ajo mund t'i thoshte Aleksandrës çfarë të donte, që fjalët e saj të dëgjoheshin dhe të mos keqinterpretoheshin dhe që çështjet e saj private të mos diskutoheshin në rrugë apo në shkollë...”

Nëna mori pjesë vetëm në seancat e para të terapisë dhe e ka pasur privilegjin që të mund ta kontaktojë Aleksandrën sa herë që kishte nevojë për këshilla shtesë.

“Pas më shumë se një vit, tash mund të shoh progres. Tani ajo e fillon bisedën; bisedojmë për çdo gjë: tema të zakonshme, si po kalon në shkollë, sfidat me të cilat përballet me shoqen e saj, si i ka zgjidhur ato, si ka biseduar me babin e saj, çfarë pyetje i kanë bërë në qendër."

UNICEF Mali i Zi
UNICEF Mali i Zi, Dushko Milaniq

Aleksandra shpjegon që në situata të tilla edhe prindërit përjetojnë trauma bashkë me fëmijët e tyre dhe nuk mund ta përvetësojnë këndvështrimin e nevojshëm.

“Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për terapistë me arsimim dhe përvojë për t’u përshtatur me fëmijën dhe për të qenë pranë tij.”

Shërbimet e psikoterapisë ofrohen pa pagesë dhe prindërit e interesuar mund ta kontaktojnë organizatën përmes formularit të kontaktit në faqen e tyre të internetit.

Megjithatë, kapacitetet e tyre janë të kufizuara dhe, sipas këtij psikoterapisti, duhet të rritet numri i terapistëve të trajnuar dhe të bëhet psikoterapia e qasshme dhe falas për të gjithë ata fëmijë që kanë nevojë.

Çështja e dhunës ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Mal të Zi është jashtëzakonisht e theksuar. Më shumë se 60 për qind e fëmijëve përjetojnë një formë disipline të dhunshme në shtëpitë e tyre, e cila ka një efekt të dëmshëm në shëndetin e tyre mendor. UNICEF-i po bën thirrje për rritje të shërbimeve mbështetëse me bazë në komunitet për fëmijët dhe familjet, veçanërisht rritje të numrit të psikologëve dhe psikiatërve të fëmijëve në të gjithë vendin, si dhe rritje të numrit të profesionistëve në Qendrat për Punë Sociale.

Të gjithë fëmijët, veçanërisht ata që kanë kaluar përvoja traumatike dhe kanë qenë viktima të dhunës, duhet të gëzojnë qasje në mbështetjen psikosociale dhe të shëndetit mendor.

Millena Karishik, zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve në UNICEF

Shërbimet sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve me cilësi të lartë janë thelbësore për fëmijët, familjet dhe shoqërinë në tërësi. Prandaj, ofruesit e shërbimeve duhet të pajisen me të gjitha parakushtet e nevojshme, duke përfshirë një numër të mjaftueshëm profesionistësh, për t'iu mundësuar që t’i ndihmojnë fëmijët dhe familjet në nevojë.

UNICEF-i po bën thirrje për rritje të investimeve dhe angazhim më të fortë për krijimin dhe përmirësimin e shërbimeve sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht kapacitetet e tyre profesionale, me profesionistë më të trajnuar në dispozicion për çdo fëmijë që ka nevojë për mbështetje.