
Vajzat e reja ngrenë zërin e tyre për barazi
“Goal Diggers” [Gërmuesit e qëllimeve] ngrihen për barazi gjinore

Kanë kaluar 27 vjet nga Deklarata e Pekinit për barazi gjinore.
Megjithatë, Kosova është larg arritjes së barazisë ndërmjet gjinive dhe në fakt dhuna me bazë gjinore është rritur në dy vitet e fundit.
Sara Deda, një nxënëse 15-vjeçare e shkollës Mehmet Akif në Gjakovë, është e përkushtuar për një të ardhme ku ajo gëzon të drejtat e njëjtat si bashkëmoshatarët e saj. Për ta arritur këtë, ajo kuptoi se duhej të rriste ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballen vajzat dhe gratë në komunitetin e saj.
“Sfidat kryesore me të cilat përballen vajzat në Kosovë janë diskriminimi me bazë gjinore, martesa e detyruar dhe moslejimi për të shkuar në shkollë dhe e gjitha kjo për shkak të mentalitetit që ende nuk ka ndryshuar”, tha Sara.
“Megjithatë, ka shumë bashkëmoshatarë të mi që nuk dinë asgjë për barazinë gjinore.”
Kjo është befasuese, pasi sipas anketës MICS 2020 – rreth 19% e femrave të moshës 15-19 vjeç besojnë se bashkëshorti arsyetohet të rrahë gruan në situata të ndryshme. Pavarësisht përfundimit të arsimit të mesëm në të njëjtën shkallë si djemtë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vajzat nuk kanë të njëjtat mundësi për të kaluar në botën e punës, ku 46% e femrave të reja në Kosovë janë të papuna (krahasuar me 35% të meshkujve të rinj). Vajzat adoleshente janë gjithashtu në rrezik të shtatzënisë së hershme, e cila mund të ndikojë përgjithmonë në shëndetin dhe të ardhmen e tyre.
Për të përhapur fjalën për barazinë gjinore, Sara dhe katër bashkëmoshataret e saj projektuan projektin “Goal Diggers“ si pjesë e programit PODIUM të mbështetur nga UNICEF.
PODIUM është program për zhvillimin dhe fuqizimin e aftësive të të rinjve, i cili u mëson të rinjve në Kosovë se si të flasin dhe të bëhen krijues të ndryshimeve në komunitetet e tyre. Ai rrit njohuritë për të drejtat e tyre dhe i inkurajon ata të krijojnë fushatat e tyre të avokimit.
Sara dhe shoqet e saj përdorën aftësitë e tyre të reja komunikuese për të bërë ndryshimin. Ato hartuan disa broshura për barazinë gjinore, të cilat i shpërndanë në shkollat e tyre për të rritur ndërgjegjësimin. Ato gjithashtu organizuan sesione informuese në shkolla për të promovuar diskutime të hapura rreth çështjeve gjinore.
Në këto takime janë diskutuar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e vajzave dhe grave në Kosovë si me vajzat ashtu edhe me djemtë, duke përfshirë ato të garantuara me Ligjin për Barazi Gjinore, si dhe tema të tjera si dhuna dhe ngacmimi.
“Kemi folur për pasojat e diskriminimit gjinor, si mund të fillojë me fjalë të thjeshta dhe si mund të ndalet,” tha Sara.
“Ne hartuam një pyetësor për të matur ndikimin e sesioneve tona informuese. Rezultatet treguan se 60 përqind e nxënësve tani janë më të hapur që të flasin për diskriminimin gjinor dhe ata e kuptojnë më shumë këtë çështje.”
Sara beson se ky është hap i vogël por domethënës drejt një të ardhmeje më të drejtë.
“Ishim të motivuar për të hedhur një hap drejt ndryshimit,” tha Sara.