Qendrat e fëmijërisë së hershme u japin fëmijëve një fillim të mirë

Edukimi në fëmijërinë e hershme

Milica Radovanovic
Children at ECD center in Mitrovica
UNICEF/2022
15 Nëntor 2022

Vitet e para të fëmijërisë janë kritike për mësimin e fëmijëve, shëndetin mendor dhe aftësitë sociale. Fëmijët që marrin edukim parashkollor cilësor kanë më pak gjasa të braktisin shkollën ose të përsërisin vitin në shkollë dhe kanë më shumë gjasa të arrijnë standardet e leximit dhe të matematikës në shkollën fillore. Këto janë disa nga arsyet pse edukimi në fëmijërinë e hershme shumë i rëndësishëm.

Sipas të dhënave të fundit të anketës MICS (2020), në Kosovë, vetëm rreth 15 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 4 vjeç shkojnë në parashkollor.[1] Fëmijët që jetojnë në zona të largëta, rurale kanë më shumë gjasa të humbasin arsimin parashkollor për shkak të kostove të larta, distancës së gjatë me institucionin më të afërt parashkollor ose mungesës së vetëdijes për përfitimet e mësimit të hershëm.

Viktori dhe Matija 4 vjeç dhe Matija dhe Sara 3 vjeç jetojnë në fshatin Zerovnicë të komunës së Zveçanit. Ata janë me fat që janë pjesë e Qendrës së Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme me Bazë në Komunitet e cila gjendet në fshatin e tyre. Po të mos ishte ajo atje, fëmijët nuk do të kishin pasur mundësinë të ndiqnin program arsimor derisa të regjistroheshin në shkollën parafillore në moshën 6 vjeçare.

Duke ditur qasjen e kufizuar në institucionet parashkollore në mbarë Kosovën, UNICEF-i ka prezantuar në disa komuna Qendrat e Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme me bazë në Komunitet.

Gjatë 10 viteve të fundit, UNICEF-i dhe partnerët e tij, kanë mbështetur ngritjen e qendrave si pjesë e kampuseve të shkollave fillore dhe parafillore, ndër të tjera në zonat rurale, veriore të Kosovës. Aktualisht janë rreth 200 fëmijë që ndjekin rregullisht mësimet dhe aktivitetet në 10 qendra (dy në Zubin Potok, dy në Zveçan, tri në Vushtrri dhe tri në komunat e Mitrovicës së Jugut). Rreth 2,000 fëmijë kanë hyrë në parafillor përmes qendrave të tilla të zhvillimit në fëmijërinë e hershme me bazë në komunitet gjatë dekadës së fundit, duke kontribuar kështu në gatishmëri të shtuar shkollore të fëmijëve për kalimin në shkollën parafillore dhe fillore.

[1] https://www.unicef.org/kosovoprogramme/media/1936/file/MICS%20Snapshots%20.pdf, faqe 42

Children at ECD center in Mitrovica
UNICEF/2022

Jelena Radovanović është njëra nga edukatoret që i kushton energjinë, dashurinë dhe kreativitetin e saj punës me fëmijët e vegjël. Klasa e saj në fshatin Zerovnicë përbëhet nga fëmijë të moshës 3-6 vjeç. Çdo ditë ajo bën aktivitete ku të gjithë mund të marrin pjesë. Ajo thotë se qëllimi i saj kryesor është të sigurohet që të gjithë fëmijët ndjehen të dashur, të pranuar dhe janë në gjendje të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.

" Kjo qendër është jetike sepse në fshatra të thella si ky nuk ka kopshte. Socializimi i hershëm është thelbësor për zhvillimin e fëmijëve dhe prindërit nuk janë gjithmonë në gjendje ta ofrojnë atë. Gjithashtu, kjo do të thotë shumë për prindërit, sepse ata e dinë se fëmijët e tyre janë në duar të sigurta dhe ata mund ta kalojnë kohën duke përfunduar detyrat e tyre të përditshme”, shpjegon ajo.

Nënat si Milena Vlašković, 28, dhe Dženita Vlašković, 24, vlerësojnë shumë lartë punën e Jelenës. Kopshti i tyre më i afërt është në qytetin e Zveçanit (afërsisht pesë kilometra larg), i cili është i paarritshëm për ta pasi nuk lëvizin me makinë dhe nuk ka as linjë të rregullt autobusi.

"Ne nuk mund të përballojmë shkuarjen e fëmijëve në atë kopsht, ku ata mund të mësojnë dhe të jenë në kontakt me fëmijët e tjerë. Unë si prind nuk mund ta zëvendësoj kurrë shoqërimin me fëmijë të tjerë dhe të gjitha ato aktivitete ku Jelena i bën me ata së bashku" thotë Milena.

“Gjithashtu, ata janë shumë më të qetë kur kthehen në shtëpi pasi kalojnë kohë dhe luajnë në qendër”, shton Dzenita e buzëqeshur.

Children at ECD center in Mitrovica
UNICEF/2022

Para COVID-19, qendra në Zerovnicë ishte e hapur çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në 14:00. Megjithatë, orari u reduktua gjatë pandemisë në tri orë në mëngjes, madje ishte një periudhë ku qendra u mbyll plotësisht dhe mësimi u bë online. Që nga shtatori 2021, qendra është përsëri e hapur nga ora 10:00 deri në orën 14:00 me masa të jashtëzakonshme për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

"Përveç që fëmijëve u mungonte loja dhe mësimi me miqtë e tyre, mendoj se klasat online gjatë pandemisë ishin edhe më të vështira për prindërit. Ata nuk kishin persona që mund t'i ndihmonte të kujdeseshin për fëmijët e tyre kur i duhej të kryenin detyrat e tyre të përditshme. Ata duhej t'i bënin të gjitha vetë dhe të gjenin kohë për të punuar edhe me fëmijët e tyre”, thotë Jelena.

Fëmijët mezi prisnin të ktheheshin në “shkollë”, konfirmojnë të dyja nënat. 

" Atyre u mungonin miqtë dhe mësuesja e tyre”, thotë Dzenita, duke shtuar se i ka dërguar dhjetëra mesazhe Jelenës duke pyetur se kur do të rihapet qendra..

Lidhja që krijojnë këta fëmijë me edukatoret vazhdon edhe pas largimit të tyre nga qendra. Meqenëse qendra është në të njëjtin ambient me shkollën fillore, fëmijët ende e vizitojnë Jelenën gjatë ditës edhe nëse është vetëm për ta përshëndetur.

Falë mbështetjes së Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADA), UNICEF-i është në gjendje të përfshijë më shumë fëmijë të margjinalizuar dhe të sigurojë akses të barabartë në arsimin e hershëm për fëmijët.