
Mirë se vini në Kabinetin Virtual
Nxënësit nga Gjakova krijojnë një Kabinet online me materiale për nxënësit që të mësojnë rreth energjisë elektrike.

Gjakovë, Janar 2023 – Thjesht zgjidhni opsionin “on” në ndërprerësin e vizuelizuar në Kabinetin Virtual, të krijuar nga nxënësit e shkollave të mesme në Gjakovë, për t'u zhytur në një aventurë rreth energjisë elektrike dhe instalimeve elektrike. Është një burim i veçantë mësimor për nxënësit shqiptarë të inxhinierisë elektrike në Kosovë.
Hysen Bibaj është një ndër pesë nxënësit e shkollës së mesme teknike 'Nexhmedin Nixha', që krijuan Kabinetin Virtual. Ai thotë se është një trashëgimi që ai dhe bashkëmoshatarët e tij duan t'ua lënë nxënësve të ardhshëm, pasi ata të fillojnë studimet universitare.
“Kur kam qenë në vitin e parë të drejtimit Inxhinieri elektrike në shkollë të mesme, nuk kishim libra të mjaftueshëm në gjuhën shqipe, as kabinete për të praktikuar atë që mësonim në teori”, tregon 17-vjecari gjersa shpjegon problemin të cilin e kishin identifikuar në shkollën e tyre.

"Instalimet elektrike janë çështje shumë praktike, dhe nuk mjafton që të mësohen vetëm në teori. Në vitin e parë të shkollës së mesme, na u desh të huazonim libra nga mësimdhënësit, të paguanim për të bërë kopje dhe shpesh të mbështeteshim te dikush që dinte anglisht për të përkthyer materiale nga interneti,” thotë ai.
Ai thotë se Kabineti Virtual, i cili në thelb është një faqe interneti me mësime praktike, diagrame dhe modele, ka bërë një ndryshim të madh për nxënësit.
Shkolla e Hysenit ka përfituar nga mbështetja e një projekti të zbatuar nga UNICEF-i, me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës, i cili ka fuqizuar të rinjtë për të qenë pjesë e tranzicionit digjital në arsim, duke i bërë përgjegjës për krijimin dhe dizajnimin e materialeve mësimore dhe zgjidhjeve për të mësuarit digjital përmes punëtorive UPSHIFT. Nxënësit u fuqizuan për të bashkëkrijuar përvojën e të mësuarit digjital dhe për ta bërë mësimin online më tërheqës, interesant dhe më të përshtatshëm për veten dhe nxënësit e tjerë.
UPSHIFT është një program për ndërtimin e aftësive, përmes të cilit të rinjtë identifikojnë problemet, gjenerojnë zgjidhje dhe vënë në jetë idetë e tyre.

Hyseni, së bashku me Elvis Rasajn, Leonard Hotin dhe Bernard Hajdaraj, e propozuan idenë e Kabinetit Virtual së fundmi në programin UPSHIFT që u zhvillua në shkollën e tyre. Ata fituan mbështetje për zbatimin e projektit të tyre të Kabinetit Virtual.
“Fillimisht, me ndihmën e mësimdhënëses Ramize Kryeziu, identifikuam mësimet që donim t'i përfshinim në Kabinet, mblodhëm informacionin dhe e përkthyem në gjuhën shqipe. Më pas angazhuam një programues dhe një dizajner për të krijuar Kabinetin ose faqen e internetit" tregon ai.
Ai shton se Kabineti nuk u shërben vetëm nxënësve por edhe mësimdhënësve të tyre.
"Kemi marrë komente kthyese shumë pozitive. Nxënësit e kanë më të lehtë të mësojnë online kur mund të shohin të gjithë shembujt praktikë të asaj që mësojnë në teori. Mësimdhënësit gjithashtu e kanë shumë më të lehtë të japin mësim duke përdorur këta shembuj", thotë ai.
Hyseni tregon se fakti që projekti kishte ndihmuar edhe shkollën të ketë lidhje të qëndrueshme të internetit, ka bërë të mundur që të gjithë nxënësit të përdorin Kabinetin Virtual, e jo vetëm ata që kishin internet në shtëpi.
Drejtoresha e shkollës "Nexhmedin Nixha", Florentina Gjergjaj, shpreh mirënjohjen e saj për mbështetjen e projektit për nxënësit.
“Meqenëse teknologjia po zhvillohet me shpejtësi, është e nevojshme që të rinjtë të pajisen me aftësi dhe që t'u ofrohen atyre mundësi për të krijuar produkte që do të rrisin përvojën e tyre të të mësuarit. Unë do të doja të falënderoja projektin që u ka ofruar mundësi mësimdhënësve dhe nxënësve tanë për t’i përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre digjitale në mënyra inovative dhe për t’i ndarë projektet e tyre me nxënësit e tjerë të cilët gjithashtu mund të përfitojnë prej tyre”.
Kabineti Virtual i nxënësve të shkollës "Nexhmedin Nixha" mund të qaset online në linkun e mëposhtëm: Kabineti Virtual (virtual-cabinet.netlify.app)
UNICEF-i në Kosovë dhe Mbretëria e Holandës bashkuan forcat për këtë partneritet strategjik që ka mundësuar mbështetjen e shkollave të përzgjedhura që ato të shfrytëzojnë fuqinë e inovacionit dhe teknologjisë dhe të jenë në gjendje të kalojnë në arsimin kuptimplotë online dhe digjital dhe t’i përqafojnë aftësitë digjitale, gjatë dhe pas pandemisë COVID-19.