UNICEF zgjeron bashkëpunimin me komuna për fëmijët

02 Nëntor 2023
English
UNICEF/2023

Prishtinë, 1 nëntor 2023 – UNICEF-i në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi, “Komuna për Fëmijët dhe të Rinjtë e Prishtinës”, duke u zotuar bashkërisht për avancimin e përmbushjes së të drejtave të fëmijëve dhe duke siguruar që prioritetet e fëmijëve të jenë në qendër të agjendës së qeverisjes komunale. 

Autoritetet komunale janë partnerë të rëndësishëm për të drejtat e fëmijëve, pasi ato marrin vendime dhe menaxhojnë burimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Së bashku me Dragashin, Gjilanin, Gjakovën, Lipjanin dhe Zubin Potokun, Prishtina është komuna e gjashtë partnere e UNICEF-it në Kosovë që bashkërisht zbaton iniciativa që prekin drejtpërdrejt fëmijët duke përmirësuar arsimin, zhvillimin në fëmijërinë e hershme, shërbimet shëndetësore dhe të mbrojtjes.

Niveli lokal është gjithashtu vendi ku të gjithë sektorët mund të bashkohen dhe të përshpejtojnë mbështetjen për fëmijët dhe familjet më të cenueshme, që kërkojnë qasje të qëndrueshme dhe të koordinuara. Ligji i ri për Mbrojtjen e Fëmijës u dha komunave një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve, duke përfshirë detyrimin për t'i themeluar Ekipet Komunale për të Drejtat e Fëmijëve. Të kryesuara nga kryetarët e komunave, këto ekipe bashkojnë drejtori të ndryshme komunale dhe përfaqësues nga shoqëria civile për të zhvilluar politika komunale në lidhje me fëmijët dhe për të siguruar një qasje të koordinuar dhe shumësektoriale që plotëson nevojat e fëmijëve. UNICEF-i përgëzon 23 komunat, përfshirë Prishtinën, të cilat i kanë themeluar këto ekipe.

UNICEF-i në Kosovë mbetet i përkushtuar që të krijojë partneritete me autoritetet lokale, OJQ-të dhe akterët e tjerë vendorë për t'i ngritur kapacitetet dhe për të lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet sektorëve në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme