UNICEF-i dhe USAID-i dhurojnë 270 frigoriferë dhe ngrirës për të përforcuar sistemin e zinxhirit të ftohtë të vaksinave në Kosovë

15 Nëntor 2022
Donation of 270 refrigerators to Ministry of Health
USAID/2022

Sot, UNICEF-i në partneritet me USAID-in i ka dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë pajisje të zinxhirit të ftohtë për të siguruar ruajtjen dhe transportin e sigurt të vaksinave. Këto pajisje do të mbështesin imunizimin e rregullt të fëmijëve si dhe vaksinimin kundër COVID-19 në mbarë Kosovën. 

Donacioni për Ministrinë e Shëndetësisë përfshinë pesë dhoma të reja ftohëse për depon qendrore të vaksinave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 214 frigoriferë vaksinash dhe 56 ngrirës vaksinash për të siguruar që vaksinat të mbahen në temperaturën e duhur. Përveç kësaj, financimi i USAID-it do të mbështesë trajnimin për punëtorët shëndetësor në funksionimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të zinxhirit të ftohtë dhe do të mbështesë zhvillimin e një sistemi të digjitalizuar për monitorimin dhe menaxhimin e vaksinave. 

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Znj. Dafina Gexha Bunjaku tha: Ministria e Shëndetësisë thekson rëndësinë e madhe që ka avancimi i teknologjisë dhe pajisjeve për sigurinë në ruajtjen dhe transportin e vaksinave, për të arritur shkallë sa më të lartë të mbulueshmërisë me vaksina të Programit të Zgjeruar të imunizimit dhe të vaksinave të tjera. Partneriteti i institucioneve shëndetësore të Kosovës me UNICEF-in dhe USAID-in është një shembull i mirë i bashkëpunimit për të ofruar vaksina të sigurta për të gjithë në Kosovë. 

Ky donacion shënon fazën e parë të përforcimit të zinxhirit të ftohtë mbështetur nga USAID dhe do të rrisë kapacitetet e ruajtjes së vaksinave në të gjitha nivelet, nga depoja qendrore e vaksinave në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) deri te Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër të gjitha komunat e Kosovës. 

Siç tha Zeinah Salahi, Drejtoresha e Misionit të USAID-it në fjalimin e saj hyrës, “Sot ne po shpërndajmë pajisje që janë komponentë kritike për shpërndarjen e sigurt të vaksinave kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit që kanë nevojë për to. Në fakt, ky donacion i pajisjeve nuk do të ndihmojë vetëm programin e vaksinimit kundër COVID-19, por cilindo nga programet e imunizimit të Kosovës për të cilat nevojitet ruajtja në temperaturë të ftohtë– veçanërisht për vaksinimin e rregullt të fëmijëve, që është shërbim thelbësor shëndetësor publik.” 

Nona Zicherman, shefe e UNICEF-it në Kosovë tha: “Me këtë mbështetje nga USAID-i, UNICEF-it i është dhënë mundësia që ta mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar qasje më të lehtë dhe të sigurt në vaksina në mbarë Kosovën. Pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar ende dhe ata që janë të pavaksinuar janë veçanërisht të rrezikuar. UNICEF-i dhe USAID-i do të vazhdojnë të punojnë së bashku për rritjen e kërkesës dhe qasjen ndaj vaksinave kundër COVID-19 dhe vaksinave të tjera, për të rritur shkallen e mbulueshmërisë së vaksnimit tek fëmijët dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët dhe familjet në Kosovë të jenë të shëndetshëm dhe të sigurt”.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF-it

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të margjinalizuar dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës për fëmijët, vizitoni: www.unicef/kosovoprogramme.

Ndiqni UNICEF Kosova në Twitter, YouTube, Instagram dhe Facebook