Vlerësimi i Impaktit të të Drejtave të Fëmijëve (CRIA)

Vlerësimi i Impaktit të të Drejtave të Fëmijëve (CRIA)

Karakteristikat kryesore

Ky raport është hartuar nga AP, me kontributin e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve që është pjesë e rrjetit ENOC, dhe synon të vlerësojë efektet e masave të ndërmarra nga shteti lidhur me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në kuadër të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Ky vlerësim është kryer në kontekstin e një nisme të përbashkët ndërmjet ENOC-it dhe UNICEF ECARO për një vlerësim që përfshin vendet anëtare të ENOC-it, dhe si i tillë ndjek dhe zbaton standardet etike, parimet dhe udhëzimet e këtyre organizatave. Kjo iniciativë është ne fushëveprimin e mandatit të Avokatit të Popullit sic e parashikon ligji per Avokatin e Popullit dhe rolin e këtij institucioni për monitorimin e zbatimit të ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

Vlerësimi i impaktit të të drejtave të fëmijëve, që shkurtimisht do të referohet në këtë raport si CRIA, synon të vlerësojë masat e caktuara nga shteti në lidhje me të drejtat e fëmijës. Ky raport vlerësimi është hartuar nëpërmjet një procesi dhe duke përdorur një instrument që mbështet vlerësimin e efekteve të qëllimshme ose të paqëllimshme të akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Në rastin e Shqipërisë, ky ishte një vlerësim hibrid që përfshiu CRIE-n (Vlerësimin e Ndikimit të të Drejtave të Fëmijëve) për aktet ligjore dhe nënligjore të miratuara tashmë dhe CRIA-n për aktet normative të rishikuara gjatë situatës së pandemisë, në masën që institucionet përgjegjëse iu referuan rekomandimeve të dhëna në këtë raport.

Gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti synojnë të identifikojnë mangësitë e vërejtura lidhur me proporcionalitetin e masave dhe efikasitetin e funksionimit të sistemit të integruar të mbrojtjes, me qëllim nxjerrjen e përfundimeve dhe për të mësuar nga mënyra e menaxhimit të situatës së pandemisë, si dhe për të marrë masat e duhura për t’iu përgjigjur dhe përshtatur situatave të emergjencave.

Një përbërës shumë i rëndësishëm është komunikimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të CRIA-s gjithë palëve të përfshira të interesit, veçanërisht këtyre aktorëve shtetërorë që kishin rol në propozimin, marrjen, zbatimin dhe monitorimin e masave gjatë situatës së pandemisë. Qëllimi i këtij komunikimi lidhet me evidentimin e aspekteve të cilat kanë nevojë të përmirësohen në të ardhmen me qëllim përmbushjen e mandatit ligjor brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore në një mënyrë që garanton ushtrimin me efektivitet dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre të veçantë.

Rasti i parë i COVID-19-s në Shqipëri u konfirmua në fillim të marsit të vitit 2020. COVID19-a është një virus që mund të transmetohet drejtpërsëdrejti nëpërmjet kontaktit njerëzor, ose tërthorazi nëpërmjet kontaminimit të sipërfaqeve apo objekteve. Kështu, me rekomandim të ISHP-së, bazuar në përvojën e vendeve të ndikuara më parë, si dhe bazuar në ligjin për parandalimin dhe luftën kundër infeksioneve dhe sëmundjeve infektive, Ministri i Shëndetësisë nxori një urdhër për mbylljen e institucioneve arsimore së bashku me një sërë masash dhe aktesh të tjera për reduktimin e transmetimit të infeksionit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishte institucioni kyç i ngarkuar me propozimin ose miratimin e masave të marra gjatë periudhës së pandemisë, bazuar edhe mbi propozimet e Institutit të Shëndetit Publik. Gjithashtu, në këtë ministri u ngrit një ad hoc Komitet , i cili ishte përgjegjës për vëzhgimin nga afër të situatës dhe për rekomandimin e masave të përshtatshme për kontrollin dhe kufizimin e përhapjes së virusit.

Vlerësimi i Impaktit të të Drejtave të Fëmijëve (CRIA)
Autori
Zyhrada Kongoli, National Legal Expert
Data e publikimit
Gjuhët
Angleze, Shqip