Kujdesi shoqëror në bashki – mjedisi institucional, kapacitetet, problematika

Ky studim ndihmon për arritjen e OZhQ Nr.1, 3, 5, 10 dhe 16

Karakteristikat kryesore

Strategjia ndërsektoriale, “Për decentralizimin dhe qeverisjen vendore, 2015-2020”, i parapriu vendimit për decentralizimin e funksionit të ofrimit të shërbimeve sociale vendore dhe kalimin e tij në kompetencë të bashkive, të cilat nga ana e tyre u ngarkuan të krijonin zyrat e shërbimeve sociale të integruara për identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e individëve dhe familjeve në nevojë përmes programeve të ndihmës ekonomike dhe të kujdesit social. Po kështu, Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale, 2015-2020, nënvizoi nevojën për rritjen e ofertës së shërbimeve sociale në të gjithë territorin, si një domosdoshmëri për të mbështetur jo vetëm kërkesat për shërbime të individëve, por dhe skemat e reformuara të ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.

Në zbatim të këtij vizioni strategjik, u miratua Ligji 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili ngarkoi njësitë e pushtetit vendor me një gamë të gjerë përgjegjësish dhe funksionesh të reja, përfshirë ato në fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror që lidhen me identifikimin, vlerësimin dhe planifikimin e masave për plotësimin e nevojave të komunitetit, në përgjithësi dhe grupeve në nevojë, në veçanti, si dhe Ligji nr. 121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcaktoi rolin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (neni 31) si përgjegjëse për përcaktimin e politikave, standardeve minimale të shërbimeve, kritereve dhe kushteve që duhet të përmbushin subjektet e ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, këshillimin dhe udhëzimin e bashkive për planifikimin e shërbimeve dhe strukturat përgjegjëse, si dhe planifikimin e nevojave për financim të shërbimeve nga buxheti i shtetit. Ky ligj përcaktoi funksionet e strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në nivel bashkie, funksionet e Njësive të Vlerësimit të Nevojave dhe të Referimit (NjVNR) në secilën njësi administrative me më shumë se 6,000 banorë, si dhe standardin sipas të cilit NjVNR-ja duhet të ketë të paktën një punonjës social për vlerësimin dhe menaxhimin e rasteve për çdo 6,000-10,000 banorë, një punonjës për mbrojtjen e fëmijës për çdo 3,000 fëmijë dhe një administrator social.

Raporti i vlerësimit të ecurisë së zbatimit të strategjisë për mbrojtjen sociale në vitin 2019 konstatoi se bashkitë përballen me sfida sa i takon ofrimit të shërbimeve për të gjitha grupet në nevojë, shpërndarjes së shërbimeve shoqërore dhe mbulimit territorial që ato garantojnë, cilësisë dhe qëndrueshmërisë së tyre, burimeve financiare në dispozicion dhe prokurimit të tyre, si dhe mungesës së strukturave dhe të kapaciteteve vendore për vlerësimin e nevojave, planifikimin, ofrimin dhe monitorimin e shërbimeve sociale.

Nga komunikimi dhe bashkëpunimi me bashkitë, konstatohet që, vitet e fundit, ka pasur zhvillime pozitive në drejtim të reformimit të sistemit ekzistues të shërbimeve me theks tek pushteti lokal, të rritjes së ofertës së shërbimeve në komunitete, jo vetëm për t’u ardhur në ndihmë individëve në nevojë, por edhe për të krijuar kushtet për një perspektivë ekonomike nëpërmjet punësimit për familjet e mbështetura nga programi i ndihmës ekonomike dhe i aftësisë së kufizuar, të rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional midis pushtetit qendror dhe vendor dhe krijimit të modeleve të mira të shërbimeve sociale.

Të gjitha bashkitë kanë miratuar planet e tyre sociale vendore. Në vitin 2019, u aktivizua fondi social qendror për financimin e ngritjes së shërbimeve të reja sociale apo konsolidimin e atyre ekzistuese si pjesë e fondit social vendor, ndërkohë që vijon reforma e deinstitucionalizimit të shërbimeve. Në këtë rrugëtim, ka pasur një rëndësi të posaçme mbështetja nga Programi i OKB-së, “Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve lokale të mbrojtjes sociale”, i financuar nga Fondi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe i zbatuar nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me katër agjencitë e OKB-së, PNUD-i, UNICEF-i, UN Women dhe OBSh-ja, me pjesëmarrjen e UNFPA-së dhe ILO-s, si dhe mbështetja nga Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara, “Leave No One Behind” (Askush të mos mbetet pas).

Zbatimi i agjendës transformuese të shërbimeve shoqërore kërkon domosdoshmërisht struktura institucionale funksionale në të gjitha nivelet, me burime njerëzore jo vetëm të mjaftueshme për t’iu përgjigjur detyrimeve ligjore të tyre, por edhe të mirëtrajnuara, për të përballuar të gjitha sfidat me të cilat ndeshen. Aktualisht, drejtuesit dhe personeli i bashkive janë më të qartë për rëndësinë e shërbimeve sociale për t’iu përgjigjur nevojave të komuniteteve, situatës dhe vështirësive me të cilat ballafaqohen në ngritjen apo funksionimin e shërbimeve, përfshi ato financiare, si dhe në angazhimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe të kapaciteteve të duhura të të gjitha strukturave përgjegjëse. Për të kuptuar më mirë mundësitë që ekzistojnë për zbatimin e Ligjit nr. 121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, në periudhën tetor-dhjetor 2021, u krye një fotografim i situatës ekzistuese në 61 bashki lidhur me: (i) strukturat ekzistuese dhe burimet njerëzore në dispozicion, për të zbatuar funksionet e deleguara me ligj lidhur me Ndihmën Ekonomike, Aftësinë e Kufizuar dhe Shërbimet Shoqërore për individët në nevojë; (ii) situatën e burimeve njerëzore të NjVNR-ve, problematikën ekzistuese, situatën e shërbimeve sociale etj.

Cover of the Report with the Title & Sub-titles
Autori
Linda Rama & Elena Polo
Data e publikimit
Gjuhët
Shqip