Korniza kurrikulare e arsimit parashkollor

Korniza kurrikulare e arsimit parashkollor

Karakteristikat kryesore

Kurrikula, është një sistem i integruar i elementeve me synime arsimore, që orientojnë dhe mundësojnë zbatimin në sistem të politikave arsimore dhe administrative, në përshtatje me realitetet shoqërore, historike, ekonomike e kulturore të një vendi. Kurrikula, është dokument i shkruar nga ekspertë dhe i konsultuar me grupe të ndryshme interesi që e zbatojnë kurrikulën në terrenin e së përditshmes në institucionet parashkollore.

Ky dokument {Korniza Kurrikulare}, i referohet teorive më të njohura të zhvillimit të fëmijës, të cilat janë të konfirmuara; përshkruan besimet e ekspertëve që hartojnë
dokumente të këtij niveli; përcakton procedurat që përmbushin përmbajtjen e dokumentit; liston metodologjitë më të njohura që përmbushin kurrikulën; përcakton fushat e të nxënit, kompetencat, instrumentet e vlerësimit, materialet dhe burimet që përdoren për të ndihmuar fëmijën të arrijë qëllimet e vendosura. 

Në kurrikul, përcaktohet se çfarë duhet të dinë dhe çfarë duhet të jenë në gjendje të bëjnë fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç;. cilat vlera e qëndrime duhen kultivuar; si  duhen aftësuar ata për bashkëjetesë e tolerancë me njëri-tjetrin, por jo vetëm; si mund të japin ndihmesë në mënyrë aktive për mirëqenien shoqërore dhe vetjake.

Kurrikula, konfirmon nevojën që në moshën parashkollore, aftësitë e fëmijëve duhet t’i drejtohen të nxënit të pavarur, zgjidhjes së problemeve, si dhe zhvillimit të  mendimit kritik, përgjegjësive për veten e për të tjerët. Këto aftësi dhe të tjera lidhen sot me konceptin e kompetencave për të nxënit gjatë gjithë jetës, të cilat mundësojnë përgatitjen e individëve për pjesëmarrje cilësore dhe aktive në shoqëri.

Korniza kurrikulare e arsimit parashkollor
Autori
Gerti Janaqi, Aurela Zisi, Mirlinda Bushati
Data e publikimit
Gjuhët
Shqip

Files available for download