"Tech Camp" në Shkodër, Korçë dhe Tiranë
Tech Camp, tre ditë në botën e teknologjisë për të mësuar më shumë mbi programimin dhe sigurinë në internet

- Gjendet në:
- English
- Shqip
Tech Camp
Fëmijët i pëlqejnë shumë kampet verore. Por, jo të gjithë kanë mundësinë të jenë pjesë e tyre. Në kuadër të programit "Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Njerëzve brenda dhe nga Shqipëria" i cili mbështetet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar - Ambasada Britanike në Tiranë dhe zbatohet nga UNICEF në Shqipëri, Qendra Shqiptare për një Zhvillim të Qëndrueshëm (Albania Sustainable Development Organization) në bashkëpunim me Bashkitë Tiranë, Korçë e Shkodër në vijim të projektit Bibliotech organizoi në këto qytete kampin veror “Tech Camp”.
Gjatë periudhës Gusht-Shtator, bibliotekat e qytetit të Shkodrës, Tiranës dhe Korçës mblodhën rreth 100 fëmijë dhe i ofruan atyre njohuri të thelluara mbi teknologjinë e informacionit në “Tech Camp”.


Programi është krijuar për t'iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të tyre. Në programin e ndarë në tre ditë fëmijët u njohën dhe përvetësuan dijet në tre fusha të ndryshme: Robotika, gjuha e programimit Python dhe Interneti i Sigurt.
1. Në ditën e parë të Tech Camp u zhvillua kursi i Robotikës, ku fëmijët morën njohuritë themelore mbi projektimin, ndërtimin, operimin dhe përdorimin e robotëve, si dhe sistemet kompjuterike për kontrollin e tyre, dhe përpunimin e informacionit.
2. Në ditën e dytë në kursin e Python fëmijët u njohën me përdorimin e kësaj gjuhe programimi, ku më specifikisht u fokusuan te njohja e kodeve dhe te të kuptuarit e funksionimit të tyre. Në fund trajnimi u finalizua me një ushtrim ku fëmijët patën mundësi të krijojnë vetë një lojë duke përdorur gjuhën e programimit Python.
3. Në ditën e tretë u zhvillua kursi i Internetit të sigurt, ku fëmijët përmirësuan aftësitë e lundrimit. Ata mësuan se si të mbajnë të sigurt informacionin personal, se si të mbrohen nga grabiqarët online dhe sextortion dhe si të luajnë të sigurt.