Të drejtat e fëmijëve dhe mjedisi digjital

Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve sapo ka nxjerrë udhëzuesin ligjor, 'Komenti i Përgjithshëm mbi mënyrën se si Shtetet duhet të mbrojnë të drejtat e fëmijëve në lidhje me mjedisin dixhital”

UNICEF
bibliotech
UNICEF/ALBANIA/2021
08 Prill 2021

Komenti i Përgjithshëm Nr. 25 (2021) për të drejtat e fëmijëve lidhur me mjedisin digjital është rezultat i një konsultimi dyvjeçar me Shtetet palë, organizatat ndërqeveritare, shoqërinë civile, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut dhe vetë fëmijët. Më shumë se 700 fëmijë dhe të rinj të moshave 9 deri në 22 vjeç nga 27 vende, u pyetën lidhur me ndikimin e teknologjisë mbi të drejtat e tyre, dhe se çfarë veprimesh ata dëshirojnë të merren për mbrojtjen e tyre.  Kontributi i UNICEF-it në këtë konsultim theksoi se në mjedisin digjital duhet të respektohen, të mbrohen dhe të përmbushen të gjitha të drejtat e fëmijëve.

Disa nga elementet kyçe të KP-së paraqiten përmbledhtazi më poshtë.

Në KP Komiteti theksoi se aksesi kuptimplotë në teknologji digjitale mund t’i ndihmojë fëmijët në realizimin e të gjithë gamës së të drejtave të tyre civile, politike, kulturore, ekonomike dhe sociale.Për shembull, teknologjitë digjitale mund të lehtësojnë aksesin në shërbime dhe informacion shëndetësor dhe të përmirësojnë shërbimet diagnostikuese dhe trajtuese për shëndetin fizik dhe mendor të nënave dhe fëmijës, si dhe për ushqyerjen. Po ashtu, mjedisi digjital mund të sigurojë dhe përforcojë aksesin e fëmijëve në arsim gjithëpërfshirës me cilësi të lartë, përfshirë burime të besueshme për mësimnxënie formale, joformale, informale, midis bashkëmoshatarësh dhe vetjake, si dhe mundëson mësimnxënien në distancë ose nga shtëpia. Kjo vlen veçanërisht kur këto u ofrohen fëmijëve në situata të disavantazhuara apo vulnerabël, në komunitete të thella, dhe në situata emergjence apo krizash humanitare.

KP-ja gjithashtu thekson se fëmijët duhet të kenë akses të barabartë dhe të efektshëm në përmbajtje dhe informacion fuqizues dhe të përshtatshëm për moshën, nga një gamë e gjerë dhe e shumëllojshme burimesh të besueshme.

Gjatë konsultimeve për hartimin e udhëzuesit, vetë fëmijët raportuan se mjedisi digjital u mundësonte atyre mundësi themelore që zëri i tyre të dëgjohej lidhur me çështje që kishin ndikim tek ta, dhe KP-ja i bën thirrje Shteteve Palë të garantojnë që përdorimi i teknologjive digjitale të ndihmojë në pjesëmarrjen e fëmijëve në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të sigurojnë mbështetje për aktivizmin e kryesuar nga fëmijët dhe mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve.

Ndërkohë që mjedisi digjital ofron mundësi për rritje, zhvillim dhe fuqizim, ai paraqet gjithashtu sfida dhe risk për fëmijët. Për shembull, ai mund të krijojë mënyra të reja për kryerjen e dhunës kundër fëmijëve, duke lehtësuar situata në të cilat fëmijët përjetojnë dhunë dhe/ose mund të influencohen të dëmtojnë të tjerët. Autorët e veprave seksuale mund të përdorin teknologjitë digjitale për të kërkuar informacion për qëllime seksuale dhe të abuzimit me fëmijët, për shembull, duke shfaqur drejtpërsëdrejti, prodhuar apo shpërndarë materiale të abuzimit seksual me fëmijët, dhe përmes shantazhit seksual. Udhëzuesi rekomandon që Shtetet të marrin masa të fuqishme ligjore dhe administrative për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtja e dëmshme, me urrejtje dhe çorientuese, dhe që fëmijët të mbrohen nga të gjitha format e dhunës që shfaqen në mjedisin digjital, përfshirë trafikimin e fëmijëve, dhunën me bazë gjinore, agresionin kibernetik, sulmet kibernetike, shfrytëzimin ekonomik, seksual dhe të formave të tjera, dhe veprimet luftarake bazuar në informacion.

KP-ja i jep rëndësi faktit që zhvillimet digjitale si ato që lidhen me inteligjencën artificiale, dhe analizimin e algoritmeve dhe të dhënave, ndikojnë jetën e fëmijëve dhe të drejtat e tyre, edhe kur fëmijët nuk janë personalisht në internet.Theksohet rëndësia e mbrojtjes së jetës private të fëmijëve në çdo moment, dhe KP-ja i bën thirrje Shteteve palë të marrin masa ligjore, administrative dhe të formave të tjera për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e jetës private të fëmijëve nga të gjitha institucionet dhe në të gjitha fushat ku të dhënat e tyre përpunohen.

Përmes nxjerrjes së KP-së, Komiteti vëren gjithashtu edhe se Shtetet duhet të sigurojnë që bizneset të respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe të parandalojnë dhe korrigjojnë abuzimet me të drejtat e tyre në kuadrin e mjedisit digjital. Në këtë kuadër, sektorit të biznesit i duhet kërkuar të bëjë kujdesin e duhur lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe të ofrojë shërbime dhe produkte digjitale me standarde të larta sigurie kibernetike, që mishërojnë privatësi dhe siguri.

Siç thotë Kryetari i Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, Luis Perdenera: “Bizneset nuk duhet të profilizojnë ose shënjestrojnë fëmijët për qëllime tregtare bazuar në të dhënat digjitale të fëmijëve”. Gjithashtu, KP-ja rekomandon në mënyrë të veçantë që Shtetet Palë të inkurajojnë përdorimin e teknologjive digjitale për promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës, përfshirë veprimtarinë fizike dhe sociale dhe që të rregullojnë reklamat, marketingun dhe shërbimet e tjera digjitale përkatëse të synuara dhe të papërshtatshme për moshën, me qëllim parandalimin e ekspozimit të fëmijëve ndaj promovimit të produkteve të pashëndetshme, përfshirë disa ushqime dhe pije, alkoolin, lëndët narkotike dhe duhanin, si dhe produktet e tjera të nikotinës.

Udhëzuesi i drejton Shteteve një sërë rekomandimesh shtesë lidhur me një gamë të gjerë çështjesh të të drejtave të fëmijës, përfshirë hartimin e politikave kombëtare për të drejtat e fëmijëve që trajtojnë në mënyrë specifike mjedisin digjital; vëmendjen e veçantë lidhur me efektet e teknologjisë mbi fëmijët në fazat më të hershme të jetës; mbështetjen e nevojshme për prindërit dhe ofruesit e kujdesit dhe mësuesit për zhvillimin e ‘alfabetizmit digjital’, që lidhet me botëkuptimin, kapacitetet dhe aftësitë teknologjike të nevojshme për të ndihmuar dhe mbrojtur fëmijët në mjedisin digjital; dhe nevojën për të siguruar njohurinë për dhe disponueshmërinë e gjerë të mekanizmave të përshtatshëm dhe të efektshëm gjyqësorë dhe jashtëgjyqësorë të të drejtave të fëmijëve lidhur me mjedisin digjital, për të gjithë fëmijët dhe përfaqësuesit e tyre, përfshirë edhe përtej kufijve kombëtarë. Natyra ndërkufitare dhe ndërkombëtare e mjedisit digjital kërkon bashkëpunim të fuqishëm ndërkombëtar dhe rajonal.

Analiza e Komitetit thekson gjithashtu dhe paralajmëron se nëse nuk arrihetpërfshirje digjitale, pabarazitë ekzistuese kanë gjasa të thellohen, ndërsa pabarazi të tjera do të krijohen. Udhëzuesi përbën një shembull të rekomandimeve specifike për trajtimin e ‘ndasisë digjitale’ përfshirë sa i përket barazisë gjinore dhe përfshirjes së aftësisë së kufizuar, si dhe fëmijëve në kontekstet më të disavatazhuara.