Një fëmijëri ndryshe

Përgjigja ndaj neglizhimit dhe abuzimit të fëmijëve në Shqipëri

UNICEF Shqipëri
Child Protection
UNICEF/ALB

11 Tetor 2018

Ai është shtatë vjec dhe deri në prill 2017 nuk kishte luajtur kurrë në një kënd lojërash. Nuk kishte shkuar asnjëherë në kinema ose teatër. Ai nuk kishte miq. As babanë e vet nuk e njihte. Ai ishte një fëmijë në situatë rruge. Emri i tij është Arbri*.

E gjithë bota e tij përmblidhej tek mamaja e tij dhe partnerët e saj rastësorë. Jeta e tij ishte një ecejake midis qendrave të ndryshme të shërbimeve sociale, policisë, gjykatës dhe të afërmëve të nënës së tij. Ai ishte mësuar me të dhe kjo ishte fëmijëria e tij. Në janar të këtij viti, ARSIS , një organizatë vendase që mbështetet nga UNICEF për t’iu përgjigjur dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri, mori një telefonatë nga policia për një rast emergjence. “Policia na telefonoi, sepse ne jemi të vetmit ofrues të shërbimeve të emergjencës për mbrojtjen e fëmijëve hapur 24 orë në 7 ditët e javës,” thotë Juli Vokopola, menaxhere rasti në ARSIS. Arbri u gjet i vetëm në rrugë nga punonjësit e Njësisë Bashkiake për Mbrojtjen e Fëmijëve, me temperaturë të lartë. Atë natë, ARSIS ofroi strehë për djalin dhe nënën e saj dhe të nesërmen, ata u shoqëruan tek të afërmit e nënës në një qytet tjetër. Por papritur ata u kthyen në Tiranë në shkurt dhe rifilluan “jetesën” në rrugë. Me mbështetjen financiare të Komisionit Europian, UNICEF në partneritet me ARSIS ofron falas strehë emergjence, këshillim psikologjik, mbështetje ligjore dhe shërbime krijuese për fëmijët dhe gratë, të mbijetuar nga abuzimi dhe dhuna. Mamaja e Arbrit është një viktimë e alkolit, por kur ajo është e kthjellët, ajo dëshiron që fëmija e saj të jetë i sigurt. Për këtë arsye, ajo denoncoi një burrë , të cilit i kishte lënë në kujdes disa orësh djalin e saj dhe që dyshonte se kishte abuzuar me të. Ata u strehuan në Qendrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje, por nëna u arratis të nesërmen. Arbri u gjet nga njësia e terrenit e NJMF-së dhe menjeherë u kërkua një Urdhër Mbrojtjeje. Kësaj rradhe, nga e ëma. Që prej atij çasti, punonjësit e ARSIS-it u angazhuan sërish. Në fillim djali u prit nga punonjësi social dhe psikologu. Ata i shpjeguan pse ndodhej në qendër dhe çfarë do të ndodhte më pas. Djali kreu shërbimet e higjenës, hëngri darkë dhe shkoi të flejë. Në ditët në vijim, së bashku me NJMF-në, menaxheri i rastit plotësoi procedurat me gjykatën deri në marrjen e Urdhrit të Mbrojtjes. Alternativat ishin: vendosja e djalit në një qendër përkujdesjeje sociale ose kujdestari nga të afërmit. Këta të fundit nuk treguan interes, kështu që u vendos që djali të qëndronte në një institucion përkujdesi. Arbri mësoi që nga ajo ditë, ai do të qëndronte për pak kohë pa nënën e tij, deri sa ajo të bëhej më mirë. Ndërsa përgatitej transferimi i Arbrit në institucion, ai qëndroi tek qendra ARSIS, ku mund të luante me fëmijët e tjerë, mori rregullisht ushqime të ngrohta dhe u përgatit për jetën e re që e priste me ndihmën e ekipit të ARSIS-it. Ai qëndroi 4 ditë në Qendër. Ndërsa flet për rastin e Arbrit, Juliana merr një dosje të trashë nga raftet. Për çdo rast, koordinatorët mbajnë dokumenta të veçantë. Gjithcka është e dokumentuar aty: kur është pranuar fëmija, në çfarë kushtesh, cila është historia e tij/saj dhe të gjitha dokumentat e prodhuar për rastin, korrespondenca me autoritetet shtetërore, analizat në spital, procesverbalet e hyrjes dhe daljes nga qendra ARSIS.

“Më kujtohet fytyra e Arbrit kur u takuam-, thotë Juliana. “Dukej i qetë. Dëgjonte me vëmendje udhëzimet tona dhe ndiqte ato me përpikmëri.  Është një djalë i mirë.”

Mësuesit e tij të rinj në qendrën e përkujdesit përdorën të njëjtat fjalë për Arbrin. “Ai ishte i qetë në dukje”, megjithëse kjo mund të jetë vetëm në sipërfaqe. Megjithatë, ndërhyrjet nga ARSIS dhe NJMF sollën disa rezultate positive- Arbri shkoi në shkollë këtë shtator, për herë të parë. “Ditën e parë të shkollës ishte kaq i gëzuar sa donte të na tregonte të gjithave rrobat e reja, lulet, “ thote Përgjegjësja e Sektorit Social në qendrën e përkujdesit. Si çdo fëmijë tjetër.  Punonjësja sociale vendos mbi tavolinë një lodër personazhi Mignon. “Ma ka dhuruar Arbri,” tregon ajo. Zakonisht, fëmijët duan të marrin dhurata, por “kjo është një shenjë se Arbri ka shumë dashuri brenda vetes që dëshiron ta shpërndajë, “shpjegon psikologia. Ai e do shumë nënën e tij dhe arrin të kuptojë përse ata nuk mund të rrinë së bashku tani. “Mërzitem shumë kur ajo konsumon alkol, “ i ka thënë ai punonjëses sociale pas njërit prej takimeve, “por unë e dua atë”. Ecuria e Arbrit ka ndikuar edhe nënën e tij, e cila tashmë përpiqet  më shumë të ndryshojë mënyrën e saj të jetesës. Ajo dëshiron ta marrë sërish djalin në kujdestari pasi të skadojë Urdhri I Mbrojtjes, po deri atehëre është një rrugë e gjatë për t’u bërë. Qeveria shqiptare po ngre një rrjet të njësive të mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë vendin për t’iu përgjigjur më mirë situatave të fëmijëve të prekur nga abuzimi, neglizhimi dhe dhuna- një nismë që mbështetet fuqimisht nga UNICEF.