Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave të Fëmijëve, janë në zemër të Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit n ë Shqipëri për të Drejtat e Fëmijëve

Anila Mirija
nejla
UNICEF/ALBANIA/2021
15 Shkurt 2021

Si në shumë vende të tjera të botës, zyra e UNICEF-it në Shqipëri ka qenë një ndër nxitëset kryesore për hapjen e një seksioni të veçantë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, pranë Avokatit të Popullit. Kështu, Shqipëria, që në vitin 2014, e ka parashikuar në ligj ngritjen e këtij seksioni. Ne jemi me Znj. Peka, e cila është Komisionerja e parë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, pranë institucionit të Avokatit të Popullit. E emëruar nga Kuvendi në datën 15.03.2018, Komisionerja është juriste me përvojë 24-vjeçare në fushat e saj të ekspertizës: në të drejtën administrative, kushtetuese dhe të drejtat e njeriut. Znj. Peka mban titullin “Profesor i Asociuar” dhe gradën “Doktor i shkencave juridike”

  1. Çfarë përfaqëson Seksioni për Promovimin dhe Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe pse është i nevojshëm?

SMPDF përfaqëson një hallkë të rëndësishme të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve në institucionin e AP. Krijimi me ligj dhe bërja funksionale e kësaj strukture të rëndësishme është tregues domethënës dhe serioz, për garantimin e respektimit të të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.

  1. Çfarë mbështetjeje ofron konkretisht Seksioni për vetë fëmijët dhe sa njihet nga fëmijët dhe prindërit?

Veprimtaria e SMPDF, ka vijuar e ndërthurur në dy funksione kryesore: atë të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve. Në kuadër të veprimtarisë administrative të Seksionit, një ndër prioritetet e punës është krijimi i një qasjeje sa më miqësore, jo vetëm për të rritur aksesueshmërinë tek vetë fëmijët, në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, por edhe dhënia e garancisë se kjo qasje ekziston vërtet, për ta dhe prindërit e tyre. Për këtë, kemi krijuar për herë të parë faqen në rrjet për Seksionin, ku në një format të thjeshtë jemi përpjekur të shpjegojmë “kush jemi”, “çfarë bëjmë”, cilat janë detyrat tona dhe në mënyrë të dedikuar, si mund të na drejtohen në rast të një ankese, kërkese apo qoftë edhe të shprehjes së një mendimi konkret. Gjithashtu, aplikimi i formave alternative të komunikimit si: shpërndarja e fletëpalosjeve, krijimi i aplikacionit të AP-së për telefona smart, vizibiliteti në rrjetet sociale (siç është krijimi i faqes së seksionit në facebook), kanë shërbyer si një urë e mirë komunikimi, ndërmjet nesh dhe prindërve e fëmijëve, për t’u përballur vis a vis, si dhe për t’u krijuar atyre mundësinë të na drejtohen në çdo rast.

  1. Çfarë vendi zënë çështjet për shkelje të të drejtave të fëmijëve në çështjet që trajton AP ndër vite? Si mund të shtohet ky numër? A keni ankesa të bëra drejtpërdrejt nga fëmijët?

Rritja e rolit proaktiv për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është motoja e punës së institucionit të AP-së dhe në veçanti seksionit. Gjatë vitit 2020, Seksioni ynë ka trajtuar gati 200 raste shkeljesh të të drejtave të fëmijëve. Pa dyshim, falë bashkëpunimit efektiv dhe mbështetjes administrative, teknike dhe financiare të organizatave ndërkombëtare si UNICEF apo Save the Children, por edhe shfrytëzimit të çdo mundësie, ne jemi duke u përpjekur të gjejmë mekanizmat e duhur për rritjen e numrit të ankesave të adresuara tek ne nga vetë fëmijët. Kështu, në krahasim me vitin 2019, vit në të cilin ne administruam për herë të parë 10 ankesa drejtpërdrejt nga fëmijët, për vitin 2020 kemi rreth 15 ankesa drejtëpërdrejt nga fëmijët.

  1. Shqipëria raporton 1 herë në 5 vjet pranë Komitetit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Çfarë rekomandimesh keni marrë nga ky Komitet apo organizma të tjerë të së drejtës ndërkombëtare, për të nxitur Shtetin shqiptar të sigurojë që Zyra e Avokatit të Popullit, e sidomos Seksioni i Fëmijëve, të ketë burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe teknike për të funksionuar siç duhet?

Sikundër Komiteti, por edhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, kanë theksuar dhe theksojnë me forcë nevojën e sigurimit dhe garantimit të pavarësisë institucionale, financiare dhe administrative të institucionit të AP-së, sidomos të Seksionit. Thënë kjo, garantimi i një buxheti të dedikuar dhe forcimi i kapaciteteve institucionale janë parë si tregues kyçë në përmbushjen e mandateve kushtetuese dhe ligjore, që AP, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive themelore të individit, gëzon në një shoqëri demokratike.

  1. Si i krijoni mundësitë që edhe fëmijët që jetojnë në zona të largëta apo ata që kanë vështirësi komunikimi, të paraqesin ankesa për shkeljen e të drejtave të tyre dhe të përfitojnë nga shërbimet që ofron seksioni juaj?

Për të gjithë ata që janë në pamundësi të aksesojnë shërbimet e ofruara nga institucioni i AP-së dhe në veçanti të SMPDF, ne përpiqemi të prodhojmë dhe shpërndajmë informacion të vazhdueshëm, nëpërmjet ditëve të hapura dhe takimeve në shkolla.

  1. Si e gjeni bashkëpunimin me UNICEF-in si organizata kryesore për të drejtat e fëmijëve? Çfarë planesh të përbashkëta keni për të ri – imagjinuar një Shqipëri më të mirë për të gjithë fëmijët? 

Bashkëpunimi i deritanishëm me UNICEF, është në nivele të kënaqshme dhe, pa hezitim mund të themi që ka shërbyer, jo vetëm në ngritjen e një rrjeti bashkëpunues për shkëmbime informacioni dhe eksperience, por edhe në drejtim të garantimit të një mbështetjeje teknike, administrative dhe financiare shumë efikase.