FORCO VETEN, MBRO TË TJERËT!

Punonjësit e shëndetësisë janë bërë promovuesit më të mirë të rikthimit në jetën normale, të vaksinimit dhe të mbajtjes së një higjiene sa më korrekte.

UNICEF Albania
Qendrat shendetesore me mesazhe sensibilizuese rreth vaksinimit ndaj Covid-19
UNICEFAlbania/August2022
16 Gusht 2022

Punonjësit e vijës së parë të kujdesit shëndetësor padyshim janë më të ekspozuar ndaj COVID-19 në punë dhe rrjedhimisht rrezikojnë dhe personat e tyre të familjes dhe të shoqërisë. Punonjësit e shëndetësisë dhe ata që punojnë në kujdesin social (veçanërisht në shtëpitë e kujdesit) janë në rrezik shumë më të lartë të ekspozimit të përsëritur ndaj infeksionit.

Infektimi me COVID-19 mund të jetë serioz dhe mund të çojë në komplikime afatgjata. Këto janë më të zakonshme në stafin në moshë më të madhe ose ata me faktorë themelorë të rrezikut klinik. Ju mund të keni COVID-19 pa ndonjë simptomë dhe t’ia transmetoni familjes, miqve dhe pacientëve, shumë prej të cilëve mund të jenë në rrezik të lartë nga koronavirusi. Të jesh i shëndetshëm nuk zvogëlon rrezikun e infektimit me COVID-19 ose kalimit të tij. Për këtë arsye, duke u nisur nga ekspozimi i lartë që vija e parë e kujdesit shëndetësor ka ndaj COVID-19, UNICEF, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe USAID kanë bërë pjesë të fushatës së tyre edhe punonjësit e shëndetësisë dhe qendrat shëndetësore. Është e rëndësishme që mesazhet e duhura të jepen pikërisht nga punonjësit e shëndetësisë që janë dhe hallka më e rëndësishme në luftën ndaj COVID-19.

Fushata jonë e komunikimit është zgjeruar më shumë duke përfshirë edhe qendrat shëndetësore, punonjësit e vijës së parë dhe duke dhënë edhe tek popullata mesazhe të sigurta të konfirmuara vetë nga punonjësit shëndetësisë.

JEP SHEMBULLIN TËND!

#VAKSINOHU

Nën sloganin ‘’Jep Shembullin Tënd!’’ #VAKSINOHU, punonjësit e shëndetësisë janë bërë promovuesit më të mirë të rikthimit në jetën normale, të vaksinimit dhe të mbajtjes së një higjiene sa më korrekte për të shmangur përhapjen e COVID-19.

Gjithëpërfshirja e qendrave shëndetësore si dhe sektorit privat ka sjellë dërgimin korrekt të mesazhit direkt e te target audienca jonë, duke ndërgjegjësuar kështu: të rinjtë, familjet dhe popullatën.

Është shumë e rëndësishme që njerëzit të informohen nga burimet zyrtare dhe të forcojnë besimin e tyre duke parë shembuj që vijnë direkt nga ata që janë më të rrezikuarit: Punonjësit e vijës së parë.

Sidomos gjatë periudhës së verës, kur lëvizjet janë edhe më të shpeshta është shumë e rëndësishme që të kujdesemi rigorozisht për higjienën personale, të informohemi korrektësisht për vaksinën dhe të vaksinohemi në mënyrë që të arrijmë të mbrojmë edhe kategorinë më të dobët të popullatës.

Qendrat shendetesore me mesazhe sensibilizuese rreth vaksinimit ndaj Covid-19

FORCO VETEN, MBRO TË TJERËT!

#VAKSINOHU