5 Ditë
Ditari i një punonjësi të mbrojtjes së fëmijëve në Tiranë

- English
- Shqip
Denisa është punonjëse e mbrojtjes së fëmijëve (PMF) në Njësinë Administrative numër 7, në Bashkinë e Tiranës, e cila ka rreth 60 mijë banorë, nga të cilët 15 mijë janë fëmijë.
Takimi ynë me të, u shty disa herë për shkak të programit të ngjeshur të punës së Denisës dhe rasteve emergjente me të cilat duhej të merrej.
Më në fund, u takuam në një ditë me shi afër Qendrës Rinore në Tiranë, pak minuta para se të fillonte një konferencë për të drejtat e fëmijëve. Denisa është vetëm 25 vjeç, por pjekuria që ka treguar në punë e ka kthyer atë në një shembull midis PMF-ve. Toni i zërit të saj është i sigurt, teksa na tregon pjesë nga puna e saj e përditshme, ajo duket e vendosur dhe poshtë syzeve vërejmë sytë e saj të menduar. Herë pas here, fytyra i ndricohet kur flet për fëmijë e familje që janë ndihmuar të dalin nga rreziku i abuzimit, neglizhimit dhe keqtrajtimit.
A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se cfarë bën një punonjës i mbrojtjes së fëmijëve? Le te shohim së bashku ditarin e një dite më poshtë:
E HËNË - Dita 1
“Në ditë me shi, trafiku është i tmerrshëm në Tiranë, ndaj duhet të dal pak më herët që të jem në kohë në punë. Sot kisha një takim me kolegët e mi nga shkolla, shëndetësia dhe policia për rastin 37. Që kur kemi ndërruar zyrë, e kam pak të vështirë t’I bëj këto takime në Njësi, pasi tashmë e ndaj zyrën me dy kolege të tjera. Për fat të mirë, kam ARSIS afër dhe mund të përdor mjediset e tyre për këto lloj mbledhjesh. Përveç kësaj, kolegët e ARSIS-it (Nisma pë Ndryshim Social) - janë gjithmonë kaq ndihmues! Fryma e grupit është e mirë dhe të gjithë bashkë mundohemi të bëjmë më të mirën për rastin që trajtojmë.
Drejtoresha e shkollës më thotë që vajza vjen rregullisht në shkollë dhe po e merr terapinë psikologjike nga OJF-ja. Bisedova me ARSIS për t’u ofruar paketa ushqimore dhe medikamente, derisa prindi të sistemohet në punë dhe ata pranuan. Kështu mund të përqëndrohem në familjet e tjera në nevojë dhe deri tani kam 14. Besoj se ky rast po shkon drejt zgjidhjes, por kam të tjerë që s’më hiqen nga mendja. Çfarë mund të bëj më shumë?
E MARTË - Dita 2
“Edhe pse dosjet më prisnin në zyrë, u nisa në fillim tek rasti nr 36, ku familja më kishte njoftuar në ndryshimin e banesës. Babai dhe vajza, kishin kaluar një periudhë të vështirë pas diagnostikimit të nënës me sëmundje mendore dhe ishin paraqitur te Njësia Për Mbrojtjen e Fëmijëve për ndihmë. Bashkë me infermieren e qendrës shëndetësore, shkuam për një vizitë në familje dhe e këshilluam që nëna duhet të bëjë vizitë në spital. Tani, ajo po merr mjekimin dhe është shtruar në spital. Një ndër gjërat që duhet të bëj, është edhe takimi me pronarin e shtëpisë, ku është familja tjetër që i mbaron kontrata në fund të
muajit dhe duhet të gjej një zgjidhje për fëmijët dhe prindërit që banojnë aty. Ndoshta ndonjë OJF mund të mbulojë qeranë për muajt që vijnë derisa të miratohet kërkesa për banesë sociale.”
E MËRKURË - Dita 3
“Isha rrugës për në shtëpi duke menduar për aktivitetin e ditës së nesërme me shkollën, kur oficeri i policisë më telefonoi për rastin e një fëmije 7 vjeç që skuadra e terrenit kishte gjetur në rrugë duke lypur. Ora shënonte 16.30. Menjëherë shkova në rajonin e policies në komisariat, sepse e di që pa praninë time, nuk mund të fillonte intervistimi i fëmijës. Të paktën tani policia ka dhe shërbimin që ofron mbështetje psikologjike, brenda komisariateve. Kolegu nga ARSIS ishte aty gjithashtu, pasi ata kanë qendrën e vetme emergjente, jo-qeveritare, të shërbimit të mbrojtjes së fëmijëve në qytet dhe janë duke punuar fort. Tani kjo pjesë është e zgjidhur, po urdhrat e mbrojtjes na marrin shumë kohë. Nëse do të kisha një ndihmës edhe unë si ata që po piloton Bashkia në disa NJMF………..”
E ENJTE - Dita 4
“Sot ishte një nga ato ditët e bukura të punës sime. Kam aktivitet me kopshtin “Xixëllonjat” lidhur më të drejtat e fëmijëve. S’ka kënaqësi më të madhe, kur sheh ato fytyra të vogla të qeshura e plot jetë. Kam ftuar disa studentë nga Fakulteti i Psikologjisë për të organizuar lojëra, pasi në këtë mënyrë fëmijët e marrin më mirë informacionin. Do të doja që çdo ditë të ishte kështu, po unë e di, dhuna, neglizhenca dhe abuzimi i fëmijëve zakonisht fshihet nga sytë tanë dhe ne duhet të jemi shumë vigjilentë.
Kemi sërish shumë fëmijë që janë në situatë rruge ditë e natë, që lypin, hanë, luajnë,i rikthehen lypjes, flenë, jetojnë….nuk mund ta marr me mend çfarë do të bëja unë nëse do më duhej të jetoja në rrugë…. Puna ime është që t’i ndihmoj ata, dhe para së gjithash prindërit e tyre për të kuptuar se sa rrezik paraqet për fëmijët ekspozimi i tyre në rrugë.
E PREMTE - Dita 5
“Erdhi e premtja dhe kam fare pak kohë për të përgatitur tavolinën e rrumbullakët me institucionet për ligjin e ri të mbrojtjës së fëmijëve. Kam ftuar drejtorin e policisë, oficerin e ngarkuar për dhunën ndaj të miturve dhe grave, drejtorët e shkollave, psikologët dhe drejtoreshën e qendrës shëndetësore. Një nga gjërat më të rëndësishme që kam mësuar nga puna gjatë këtyre tre viteve, është që koordinimi është çelësi për të arritur suksesin. Kur mendoj për vitin tim të parë të punës në NJMF, më dukej se gjitha bota varej mbi shpatullat e mia. Ishte kjo ideja që një PMF duhet të mbronte çdo fëmijë. Vitin e parë hapa 60 dosje të mbrojtjes së fëmijëve isha e mbingarkuar.
Më pas, u njoha me mbështetjen që zyra e UNICEF-it në Tiranë u jepte PMF-ve, duke i ndihmuar në zhvillimin e tyre profesional dhe mbështetjen në aftësitë menaxhuese në partneritet me ARSIS. Prej atëherë, nuk u ndjeva më vetëm në këtë betejë kritike për sigurinë e fëmijëve dhe lumturinë e tyre. Ata janë e “sotmja” jonë, jo e “ardhmja”, ne nuk mund të presim deri nesër.