Vijimësia e shërbimeve rutinë të imunizimit është jetësore gjatë pandemisë COVID-19, u shprehën OBSH dhe UNICEF

Java Evropiane e Imunizimit 2020

22 Prill 2020
immunisation
UNICEF/Albania/Pirozzi

20 Prill, 2020 - Pandemia e COVID-19 erdhi si një rikujtesë e fortë që sëmundjet ngjitëse nuk njohin kufij. Të gjitha vendet janë të cenueshme, pavarësisht niveleve të të ardhurave apo sistemeve të forta të kujdesit shëndetësor. Në gjithë Evropën, ku dhjetëra milionë njerëz po jetojnë në izolim prej javësh, dhe ku mbi 100,000 njerëz kanë humbur jetën, shpejtësia dhe shkatërrimi i koronavirusit të ri ka kthyer përmbys jetët e njerëzve.

Nevoja urgjente për një vaksinë kundër COVID-19 thekson rolin kyç që imunizimi luan në mbrojtjen e jetëve dhe të ekonomisë së një vendi. Ndërkohë, që shkencëtarët në mbarë botën po punojnë që të zhvillojnë një vaksinë ndaj koronavirusit të ri dhe kapacitetet e kujdesit shëndetësor po tejkalohen në përgjigjen ndaj COVID-19, programet kombëtare rutinë të imunizimit janë më kritike se asnjëherë më parë. Qeveritë e rajonit duhet të përdorin çdo mundësi që të mbrojnë njerëzit nga sëmundjet e ndryshme për të cilat ka vaksina.

Kur nuk kryhen vaksinimet rutinë, rritet rreziku për përhapjen e sëmundjeve.

Në vitin 2018, rreth 527 000 fëmijë nuk morën dozën e parë të vaksinës kundër fruthit në Rajonin Evropian të OBSH-së. Një vit më pas, në 2019-n, virusi i fruthit nxori në pah boshllëqet e imunitetit në Evropë, duke infektuar mbi 100 000 njerëz të të gjitha grupmoshave. Mbrojtja e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve nga sëmundjet e parandalueshme nga vaksinat nëpërmjet vaksinimit është një detyrim për qëndrueshmërinë e sistemeve të kujdesit shëndetësor.

“Ne e dimë që cenueshmëria ndaj sëmundjeve ngjitëse diku në botë është një kërcënim për shëndetin publik kudo në botë,” u shpreh Z. Afshan Khan, Drejtori Rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Është kritike që programet rutinore të imunizimit të vijojnë gjatë kësaj krize, me parakusht që punonjësit shëndetësor dhe individët që vaksinohen të mbrohen në mënyrën e duhur. Duhet të prioritizohet mbulimi i fëmijëve më të cenueshëm të cilët nuk kanë kryer imunizimin rutinë në të kaluarën.”

Nëse, gjatë këtyre kohërave të paprecedente, masat vendore të reagimit ndaj COVID-19 shkaktojnë ndërprerje të përkohshme të shërbimeve rutinore të imunizimit, vendet duhet të planifikojnë që të rinisin shërbimet e imunizimit sa më shpejt që të jetë e mundur pasi të stabilizohet situata.

Vendet duhet të jenë të përgatitura që të vaksinojnë ata në rrezik më të madh dhe të sigurojnë që të gjithë, duke përfshirë dhe më të margjinalizuarit, do të kenë akses në vaksinën COVID-19 kur të jetë e disponueshme.

Ne mund të parandalojmë ndikimin e mëtejshëm të COVID-19 në sistemet tona shëndetësore duke siguruar që individët e të gjitha moshave të vaksinohen sipas një kalendari kombëtar. I nxis vendet që të vazhdojnë të ofrojnë shërbimin e imunizimit dhe të rrisin kërkesën të vaksinimit, përgjatë gjithë jetës, madje edhe në këto kohëra të vështira. Prioritizimi i imunizimit është një nga katër fushat e mia kryesore, si dhe është pjesë thelbësore e vizionit të OBSH-së për shëndetin në Programin e ri Evropian të Punës” u shpreh Dr. Hans Henri P. Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën.

OBSH dhe UNICEF do të vijojnë të përkrahin përpjekjet e qeverive për të forcuar programet e tyre të imunizimit, duke përfshirë dhe planifikimin strategjik për ofrimin e paanshëm të imunizimit, forcimin e survejancës së sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat, si dhe angazhimin dhe edukimin e komunitetit.

Ndërsa përballemi me një të ardhme të re, vaksinat do të vazhdojnë të shërbejnë si themeli i shëndetit dhe mirëqenies për të gjithë. Pikërisht, nëpërmjet solidaritetit, veprimit të përbashkët dhe angazhimit të palodhshëm për të mos lënë askënd mbrapa, ne mund të krijojmë një të ardhme më të shëndetshme së bashku.

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook