Vaksinat kanë efekt te të gjithë fëmijët

24 Prill 2017

Tiranë, 24 prill, 2017 –Në kuadër të Javës Botërore të Imunizimit, 24-30 prill, UNICEF-i do ta përqëndrojë vëmendjen tek ata miliona fëmijë që humbasin mundësinë e vaksinimit, që mund t’ua shpëtojë jetën dhe të mbrojë të ardhmen e tyre. Java Botërore e Imunizimit organizohet çdo fund prilli, për të nxitur përdorimin e vaksinave, që shërbejnë për të shpëtuar jetën e të gjithë fëmijëve, veçanërisht të atyre që janë vazhdimisht të përjashtuar. 

Imunizimi është një nga mënyrat më të efektshme dhe me efikasitet në kosto, për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e fëmijëve. Sidoqoftë, më shumë se gjysma e fëmijëve më vulnerabël në botë nuk bëjnë vaksinimet më kryesore, që u nevojiten për të mbijetuar dhe për të pasur një jetë të shëndetshme. Vaksinat shpëtojnë dy deri në tre milionë jetë çdo vit. Çdo dollar që investohet për vaksinat deri në vitin 2020 mund të sjellë një fitim të vlerësuar, që arrin vlerën sa 16 herë më shumë se kostoja në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. 

Në Shqipëri, programi i imunizimit është një ndër ndërhyrjet më të konsoliduara të shëndetit publik. Falë angazhimit të fortë qeveritar, mbulimi me vaksina për fëmijët nga mosha 0 deri në 14 vjeç mbetet në nivele të lavdërueshme të 97 për qind. Megjithatë, arritjet e programit të imunizimit nuk mund të merren si të mirëqena. Një punë e qëndrueshme nevojitet për të adresuar pabarazitë që ekzistojnë në mbulimin me imunizim, për të prioritizuar ato grupe specifike të popullsisë me nivele të mbulimit me vaksinim nën mesataren kombëtare dhe për të ruajtur besimin që publiku ka për imunizimin.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri financon 100 për qind prokurimin e vaksinave të vendit për Programin e Imunizimit të Fëmijëve dhe në mënyrë të vazhdueshme zgjeron grafikun e imunizimit me vaksina të reja. UNICEF-i në Shqipëri ka qenë një partner i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, duke mbështetur përpjekjet e Qeverisë Shqiptare në forcimin e shërbimeve kombëtare të imunizimit, zhdukjen e poliomielitit, veprimtaritë për eliminimin e fruthit, komunikimin për imunizimin dhe fuqizimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë në vend. Vaksinat e fëmijëve blihen nga Qeveria me anë të Shërbimeve të Prokurimit të UNICEF-it, i cili siguron cilësinë më të mirë të vaksinave në çmimet më konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Kjo marrëveshje e prokurimit të vaksinave mbështetet në një Memorandum afatgjatë Mirëkuptimi të nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Divizionit të Furnizimit të UNICEF-it.

 

#Vaksinatkanëefekt. Dhe UNICEF-i punon për t’u siguruar që ato të jenë të disponueshme#PërÇdoFëmijë. UNICEF-i është një nga blerësit më të mëdhenj në botë të vaksinave për fëmijë: Në 2016-ën, ne kemi prokuruar 2.5 milionë doza, që shërbyen për të mbuluar 45% të fëmijëve në botë me vaksina jetike. Nga 2012-ta deri në 2015-ën, UNICEF-i ka ndihmuar në uljen e kostos së disa prej vaksinave deri në 70%, duke kursyer më shumë se një miliard dollarë. Zyra e UNICEF-it në Shqipëri mbështet Ministrinë e Shëndetësisë së Qeverisë së Shqipërisë në prokurimin e vaksinave. Në 2016-ën, UNICEF-i ka prokuruar vaksinat me fondet e Qeverisë së Shqipërisë, në vlerën totale prej 1,752,395 $, për më shumë se 10 lloje vaksinash.  

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook