UNICEF prezanton Fushatën për Sigurinë e Fëmijëve në Internet #hapnisytë për ta bërë internetin më të sigurt për fëmijët dhe adoleshentët

09 Dhjetor 2016

Tiranë, 9 dhjetor 2016- UNICEF-i në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, prezanton një fushatë të re të quajtur #Hapnisytë, duke u përqëndruar te fëmijët si përcjellësit më të mirë të mesazhit, për t’i DHËNË FUND dhunës në internet. Në shkallë botërore, një në tre përdorues të internetit është fëmijë. UNICEF-i synon të shtojë zërat e adoleshentëve, për të ndihmuar në trajtimin e dhunës në internet, shfrytëzimit dhe abuzimit, si edhe për të garantuar që fëmijët gëzojnë përfitimet, që sjell interneti dhe përdorimi i celularëve. Fushata, do të prezantohet sot në shkollën  “Ahmet Gashi” në Laprakë, Tiranë.    

Edhe pse ka një mungesë të të dhënave të besueshme për abuzimin në internet; megjithatë raportet e shkurtra ekzistuese konfirmojnë praninë e pornografisë së fëmijëve dhe përdorimin online të materialeve të tilla. Shumica e prindërve në Shqipëri nuk dinë se si t’i mbrojnë fëmijët nga rreziqet e internetit dhe nuk janë të vetëdijshëm për mjetet e kontrollit prindëror siç është filtrimi i përmbajtjes. Për të trajtuar këtë shqetësim, është organizuar një fushatë ndërgjegjësimi për sigurinë në internet, e para e këtij lloji në Shqipëri, e cila ka si synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe ofrimin e informacionit për fëmijët, prindërit, mësuesit dhe ofruesit e shërbimeve për ta bërë internetin më të sigurt për fëmijët. 

Fushata është hartuar nga një kompani komunikimi profesionale duke përdorur një kombinim kanalesh për mesazhe vizuale (spote TV, dritat e qytetit, dhe postera). Në konsultim me fëmijët në diskutime në fokus grupe u hartuan materiale për Informim, Edukim dhe Komunikim. Fushata do të zgjasë katër javë dhe do të mbulojë rreth 65-70 për qind të të rinjve në Shqipëri. 

Fushata #Hapnisytë u tregon fëmijëve: Po, ju do të përdorni internetin. Ju do të ndesheni me përmbajtje dhe sjellje që janë të rrezikshme. Kjo i ndodh çdokujt. Por, duke punuar së bashku dhe mbështetur njëri-tjetrin, ju mund të merreni me këto çështje në një mënyrë më të sigurtë dhe të shëndetshme. Kur ne ndihmojnë njëri-tjetrin të gjejë mënyrat e duhura për të reaguar, ne mund të përcjellim një mesazh real.

“Fëmijët janë pjesë e rëndësishme e zgjidhjes, kur trajtojmë shfrytëzimin dhe abuzimin seksual në internet. UNICEF-i po u bën thirrje qeverisë, sektorit Telekomunikacionit, prindërve dhe mësuesve të dëgjojnë fëmijët dhe të forcojnë dialogun nëpërmjet konsultimeve direkte ose kërkimeve, si edhe të integrojnë mendimet e tyre në politika, strategji dhe programe që janë hartuar për të trajtuar abuzimin dhe shfrytëzimin seksual në internet të fëmijës.” tha Antonella Scolamiero, Përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri. 

“Qeveria britanike beson se siguria në internet është e rëndësishme. Ne kemi financuar 10 milionë paund për UNICEF-in që të organizojë këtë fushatë në mbarë botën. Mbretëria e Bashkuar është krenare për të udhëhequr Aleancën Globale "Ne Mbrojmë" për trajtimin e shfrytëzimin në internet të fëmijës, duke hedhur bazat e një pune të mirë të bërë deri më tani”, tha Shkëlqesia e Tij, Duncan Norman, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

Në vitin 2012, Komiteti i Konventës për të Drejtat e Fëmijës shprehu shqetësimin e tij për mungesën e një sistemi efikas për të mbrojtur fëmijët nga imazhet dhe informacioni i dëmshëm që lidhet me dhunën, racizmin dhe pornografinë, si edhe për të parandaluar aksesin në informacione të pasigurta për fëmijët në Shqipëri. 

Që prej asaj kohe, si rezultat i grantit të qeverisë britanike dhe përpjekjeve të UNICEF-it për advokaci, në vitin 2016 u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga katër Ministri (Ministria e mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë) dhe u hartua një Plan Kombëtar Veprimi, për sigurinë e fëmijëve në internet që pasoi Samitin e Abu Dhabit, për Shfrytëzimin dhe Abuzimin Seksual të Fëmijëve në Internet. 

Këto përpjekje rezultuan në prezantimin e platformës së parë online në Shqipëri ‘ISIGURT’ (www.isigurt.al) si një platformë raportimi për abuzimin dhe fyerjet në internet. Pavarësisht progresit, shteti duhet të zhvillojë më tej legjislacionin e tij për mbrojtjen e fëmijës nga shfrytëzimi seksual dhe pornografia në internet.  

Për një fushatë të suksesshme dhe ndikim më të madh, është thelbësore që qeveria dhe bizneset nga industria e komunikimit/telefonisë të veprojë tani dhe të trajtojë çështjet e dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

Fushata kombëtare #Hapnisytë do të menaxhohet njëkohësisht me fushatën globale të UNICEF-it global #ReplyForAll për t’i dhënë fund dhunës në internet.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook