UNICEF, OBSH: “2 në 5 shkolla në mbarë botën nuk kishin hapësira bazë për larjen e duarve as përpara pandemisë së COVID-19”

18 Gusht 2020
hand washing cartoon
UNICEF/ALBANIA/2020

NJU-JORK /GJENEVË, 13 gusht 2020 – Teksa shkollat në mbarë botën po orvaten të rihapen, sipas të dhënave më të fundit nga Programi i Përbashkët i Monitorimit (PPM) i OBSH-së/UNICEF-it, në vitin 2019, 43% e shkollave në botë nuk ofronin mundësinë e larjes së duarve me ujë dhe sapun, një kusht kyç ky që shkollat të funksionojnë në mënyrë të sigurt gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Znj. Henrietta Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it shprehet: “Mbyllja e shkollave në të gjithë botën që prej shpërthimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 solli një sfidë të pazakontë ndaj arsimimit dhe mirëqenies së fëmijëve. Të nxënit e fëmijëve duhet të jetë përparësi, çka do të thotë se duhet të garantojmë rihapjen e shkollave të sigurta, që ofrojnë akses në higjenën e duarve, ujë të pijshëm të pastër dhe kushte sanitare të sigurta.”         

Sipas raportit, rreth 818 milionë fëmijëve nuk kanë hapësira për të larë duart në shkollë, çka e rrit rrezikun e infektimit me COVID-19 dhe sëmundje të tjera të transmetueshme. Më shumë se një e treta e këtyre fëmijëve (295 milionë) jetojnë në Afrikën Nënsahariane. Në vendet më pak të zhvilluara, 7 në 10 shkolla nuk kanë hapësirat bazë për larjen e duarve, dhe në gjysmën e shkollave mungojnë kushtet bazë sanitare dhe të ujit.

Në raport nënvizohet fakti se qeveritë, të cilat po përpiqen të kontrollojnë përhapjen e COVID-19, duhet të gjejnë ekulibrin midis nevojës për të zbatuar masat e shëndetit publik dhe ndikimit social dhe ekonomik të masave izoluese. Sipas raportit, janë të mirëdokumentuara evidencat në lidhje me ndikimin negativ të mbylljes së tejzgjatur të shkollave mbi sigurinë, mirëqenien dhe të nxënit e fëmijëve.

“Aksesi në ujë dhe shërbime higjieno-sanitare është thelbësor për parandalimin dhe kontrollin e infektimit në të gjitha mjediset, duke përfshirë edhe shkollat. Ky duhet të jetë fokusi kryesor i strategjive të qeverive, me qëllim rihapjen dhe funksionimin e sigurt të shkollave gjatë pandemisë botërore të shkaktuar nga COVID-19.” - u shpreh z. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

Gjetje të tjera të raportit janë si vijon:

  • Nga 818 milionë fëmijë, që nuk kanë akses në shërbimet bazë për larjen e duarve në shkollë, 355 milionë frekuentojnë shkolla ku ka ujë, por nuk ka sapun, ndërsa 462 milionë ndjekin shkolla ku nuk ofrohen as hapësira, as ujë për të larë duart.
  • Në 60 vendet më të rrezikuara nga krizat shëndetësore dhe humanitare si pasojë e COVID-19, në fillim të pandemisë, 3 në 4 fëmijë nuk përfitonin shërbime për larjen e duarve në shkollë; gjysma e fëmijëve nuk kishin akses në shërbime bazë të ujit; ndërsa më shumë se gjysmës së fëmijëve iu mungonin shërbimet sanitare bazë.
  • 1 në 3 shkolla në të gjithë botën ofron akses të kufizuar ose nuk ofron akses në ujë të pijshëm.
  • 698 milionë fëmijëve iu mungojnë shërbimet sanitare bazë në shkollë.

Në raport evidentohen burime të ndryshme, që nevojiten për parandalimin dhe kontrollimin e COVID-19 në shkolla, duke përfshirë 10 veprime të menjëhershme dhe lista kontrolli për sigurinë. Raporti mbështetet mbi udhëzimet për rihapjen e shkollave të sigurta,  botuar nga UNESCO-ja, UNICEF-i, WFP-ja dhe Banka Botërore, ku ofrohen këshilla praktike për autoritetet kombëtare dhe vendore mbi përgatitjen për rihapjen e shkollave të sigurta dhe për ruajtjen e sigurisë së fëmijëve kur të kthehen në shkollë. Udhëzimet përfshijnë protokolle të ndryshme të WASH (ujë i pijshëm, kanalizime dhe higjienë) mbi masat e higjenës, përdorimin e pajisjeve të mbrojtjes personale, pastrimin dhe dezinfektimin, si edhe ofrimin e aksesit në ujë të pastër, hapësirave për larjen e duarve me sapun, dhe tualete të sigurta.

UNICEF-i dhe OBSH-ja janë angazhuar për arritjen e aksesit të drejtë në shërbime të përshtatshme WASH në mbarë botën. Së fundmi, agjencitë kanë filluar një nismë të përbashkët, me titull: “Higjiena e duarve për të gjithë“, me qëllim mbështetjen e komuniteteve më të cenueshme për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe mjedisin. Kjo nismë ka bashkuar partnerët ndërkombëtarë, qeveritë, sektorët publikë dhe privatë, si dhe shoqërinë civile, për të garantuar disponueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të përballueshme, veçanërisht në zonat e pafavorizuara.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook