UNICEF-i prezantoi fushatën #TëBesoj si një thirrje për nxitjen e aktorëve përgjegjës për ndalimin e Abuzimit Seksual të Fëmijëve në Shqipëri

29 Shtator 2020
teBesoj1
UNICEF/ALBANIA/2020/Gj.Milkani

Tiranë, 29 shtator 2020 - UNICEF Shqipëri prezantoi në Tiranë, në një mënyrë unike, fushatën #TëBesoj. Në kuadër të kësaj fushate, UNICEF-i ka organizuar një aktivitet të heshtur në Sheshin Skënderbej, ku janë vendosur silueta fëmijësh, që secila tregon një histori reale të abuzimit seksual. 

“Isha 11 vjeç kur…më dhunuan seksualisht. Sot kam frike se nuk jam e virgjër dhe mendoj për probleme që do të më sjellë ky fakt. Mu deshën 8 vjet ta ndaj këtë ngjarje me dikë... deri më sot, nuk i kisha treguar njeriu”

“Isha 12 vjeç...kur një burrë më i madh në moshë se unë më abuzoi seksualisht, dhe që prej asaj kohe kam probleme me seksualitetin. M'u deshën 12 vjet që të flas me dikë.”.

Këto janë vetëm dy nga historitë e shumta të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, që shfaqen në këtë instalacion, si prova të prekshme të ndikimit madhor të Abuzimit Seksual të Fëmijëve dhe nevojës për të marrë masa të rrepta. Kjo dukuri është shumë e përhapur dhe prek një numër më të lartë fëmijësh sesa mendonim. Rastet e ekspozuara publikisht së fundmi janë thjesht maja e ajsbergut. Sipas Policisë së Shtetit, 60% e rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve. Gjatë 10 viteve të fundit, janë trajtuar mesatarisht 15 raste të abuzimit seksual të fëmijëve në vit. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është nga rrethi i besimit të fëmijës, ndërsa në 1/3 e rasteve është pjesëtar i familjes (Raporti Medialook, 2019). Një në dhjetë fëmijë raporton të paktën një përvojë të padëshiruar seksuale në internet, e iniciuar kryesisht nga një person i njohur nga fëmija. Policia e vendit merr 5000  deri në 20.000 referime në vit në lidhje me pornografinë e fëmijëve.

Për ta adresuar këtë dukuri dhe për t’i dhënë fund Abuzimit Seksual në vend, UNICEF Shqipëri mirëpriti në këtë fushatë Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij z. Luigi Soreca, nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës Znj. Anuela Ristani, dhe Zv.Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Bardhylka Kospiri.

“Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam ti japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne! Nëse ata do të ishin këtu sot, ata do të na kërkonin të ndërmerrnim masa për të ndaluar abuzimin seksual. Ata duhet të fillojnë të na besojnë dhe ne duhet të fillojmë t'i besojmë ", tha në fjalën e tij hyrëse Dr. Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri.

"Lufta kundër abuzimit seksual të fëmijëve është një prioritet për Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim, ne kemi prezantuar strategjinë e BE për një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj kërcënimit në rritje të abuzimit seksual të fëmijëve, duke përmirësuar parandalimin, hetimin dhe ndihmën ndaj viktimave. Gjithësecili duhet të luajë rolin e tij/saj për të ndaluar abuzimin seksual të fëmijëve dhe autoritetet publike kompetente duhet të caktojnë burimet e nevojshme për këtë qëllim. Le të punojmë të gjithë së bashku për të fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë për të raportuar dhe komunikuar. BE do të vazhdojë të mbështesë mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri, "tha Ambasadori Luigi Soreca, Shefi i Delegacionit të BE-së.

Ky instalacion do të qëndrojë në Sheshin Skënderbej për 2 javë dhe më pas do të zhvendoset në zona të tjera të Tiranës, si edhe në qytete kryesore të Shqipërisë. Objektivat e fushatës janë: ndërgjegjësimi mbi problematikën e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijës; nxitja e kulturës së ngritjes së zërit dhe raportimit kundër kësaj dukurie; inkurajimi i autoriteteve për politika dhe veprime konkrete.

Mbledhja e historive, u bë e mundur nëpërmjet mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë të Shoqërisë Civile Nisma ARSIS, Fondacionit “Together Albania”, si dhe Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët “Alo 116”.

Të dhëna mbi instalacionin:

#TëBesoj është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri. Pas çdo siluete, fshihet historia e një fëmijë të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook