UNICEF dhe partnerët e koalicionit kundër trafikimit të bashkuar për të parandaluar trafikimin e qënieve njerëzore në Shqipëri

18 Maj 2020
childs
UNICEF/Albania/Pirozzi

Tiranë, 18 Maj 2020 – Trafikimi i qënieve njerëzore është skllavëri e kohëve moderne dhe prek çdo vend si pikë tranziti apo destinacion. 

Pavarësisht nga përpjekjet e shtuara të Qeverisë Shqiptare, organizatave qeveritare dhe shoqërisë civile për të luftuar fenomenin, trafikimi vazhdon të jetë realitet për shumë qytetarë shqiptarë, fëmijë, vajza të reja dhe të rinj në veçanti.

Për të adresuar këtë çështje, UNICEF Albania ka iniciuar një angazhim më aktiv dhe të drejtpërdrejtë me komunitetet më në rrezik, punonjësit e vijës së parë, grupet profesioniste dhe aktorët e shoqërisë civile.

Ndërhyrja synon të rrisë masat parandaluese për njerëzit në rrezik trafikimi dhe të mbështesë ata që i kanë mbijetuar kësaj skllavërie moderne duke mbrojtur të drejtat e tyre, ndërsa siguron një sërë shërbimesh të përshtatshme si edhe ndihmë për ri-integrimin  socio-ekonomik.

Kjo nismë do të zbatohet në katër bashki: Shkodër, Tiranë, Dibër dhe Kukës dhe synon më shumë bashkëveprim me fëmijët, prindërit, të rinjtë, si dhe punonjësit e vijës së parë.

Roberto de Bernardi, Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri e vë theksin tek rëndësia e kombinimit të burimeve dhe përvojës për t’iu përgjigjur këtij fenomeni.

“Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është vetëm një krim dhe forma më e e papranueshme e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai lë gjurmë të thella fizikisht, psikologjikisht dhe emocionalisht tek të gjithë ata që preken në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Fatkeqësisht, fëmijët dhe gratë e reja janë ata që vuajnë më së shumti pasojat e këtij krimi”, thotë Dr. De Bernardi.

“Ne duhet të veprojmë tani dhe të veprojmë të bashkuar me ata që janë të detyruar apo të aftë dhe që kanë vullnet t’i japin fund këtij fenomeni. Ne kemi një koalicion partnerësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë, kemi aktorë të motivuar si mes autoriteteve ashtu edhe mes organizatave lokale, dhe kemi mbështetjen shumë bujare të Qeverisë Britanike, për të bërë ndryshimin për ata njerëz që i kanë shpëtuar tmerrit të trafikimit, si edhe atyre që janë në rrezik”, - nënvizon ai.

Siç thekson Ambasadori Britanik në Shqipëri, Shkëlqesia e tij z. Duncan Norman “Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar të çrrënjosë të gjitha format e skllavërisë moderne, punës së detyruar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, siç është miratuar njëzëri në Samitin  e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm në vitin 2015. Ne po bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe organizatat shumëkombëshe, përfshi këtu Qeverinë Shqiptare dhe UNICEF Albania për t’iu përgjigjur këtij problemi global”.

“Programi i Skllavërisë Moderne në Shqipëri do të ndihmojë në riintegrimin e viktimave në shoqëri si dhe sigurimin e mbështetjes për individët e rrezikuar të bien në duart e kriminelëve, të cilet synojnë të shfrytëzojnë më të dobëtit. Përmes këtij programi ne do të ofrojmë trajnim dhe mbështetje për 250 profesionistë të agjencive ligjvënëse dhe sektorit të drejtësisë”, shprehet Ambasadori.

“Skllavëria moderne është një krim i fshehur dhe i papranueshëm, që mund të ndodhë kudo, duke bërë pre ata që janë më të brishtët në shoqëri. Duke punuar me Qeverinë Shqiptare dhe UNICEF ne do të rrisim ndërgjegjësimin dhe do të kundërshtojmë të gjitha format e shfrytëzimit duke mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin njerëzor”.

Kjo nismë drejtohet nga UNICEF ashtu si edhe koalicioni anti-trafikim ku bëjnë pjesë: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Terre des Hommes si dhe tre organizata lokale: Vatra, Tjetër Vizion dhe Të Ndryshëm dhe të Barabartë.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook