Udhëzimet e reja ofrojnë një plan për rihapjen e sigurt të shkollave

02 Maj 2020
back to school
UNICEF/ALBANIA/2020

UNESCO, UNICEF, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Banka Botërore sot nxorën udhëzimet e reja për rihapjen e sigurt të shkollave pas mbylljes së tyre, që ka prekur rreth 1.3 miliardë nxënës në mbarë botën. 

Gjithashtu, agjencitë paralajmëruan se mbyllja në masë e strukturave arsimore si reagim ndaj pandemisë së COVID-19 paraqet një rrezik të paprecedentë për arsimimin dhe mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht për fëmijët më të margjinalizuar të cilët mbështeten te shkolla për arsimimin, shëndetin, sigurinë dhe ushqyerjen e tyre. Udhëzimet u ofrojnë këshilla praktike autoriteteve kombëtare dhe vendore se si të garantojnë sigurinë e fëmijëve kur ata të kthehen në shkollë.

“Rritja e pabarazisë, problemet shëndetësore, dhuna, puna e fëmijëve dhe martesa në moshë të mitur janë disa nga kërcënimet afatgjata për fëmijët që nuk frekuentojnë shkollën,” u shpreh Henrietta Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it. “E dimë se sa më gjatë fëmijët qëndrojnë larg shkollës, aq më pak gjasa kanë që ata të kthehen sërish. Nëse nuk prioritizojmë rihapjen e shkollave, kur një veprim i tillë të jetë i sigurt, me shumë gjasa ne do të shohim një regres të madh në sukseset që kemi arritur deri tani në fushën e arsimit.

Udhëzimet e reja nxjerrin në pah se ndërkohë që nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar ndikimin e mbylljes së shkollave në përqindjen e transmetimit të sëmundjes, efektet negative të mbylljes së shkollave në sigurinë dhe nxënien e fëmijëve janë të mirëdokumentuara. Rrezikojmë që të humbasim, dhe në rastet më të këqija, të  zhbëjmë, sukseset e arritura gjatë dekadave të fundit për rritjen e aksesit të fëmijëve në arsim.

“Në vendet më të varfra, fëmijët shpesh mbështeten te shkollat për vaktin e tyre të vetëm të ditës. Por, duke qenë se shumica e shkollave janë tashmë të mbyllura për shkak të COVID-19, 370 milionë fëmijë kanë humbur këto vakte ushqyese të cilat janë një formë shpëtimi për familjet e varfra. Krahas kësaj, atyre po u mohohet mbështetja shëndetësore që normalisht do të merrnin përmes shkollës. Kjo mund të shkaktojë një dëm afatgjatë, ndaj është kritike që këto programe të vakteve dhe shërbimet shëndetësore të rifillojnë kur shkollat të rihapen, pasi ato mund të nxisin fëmijët më të cenueshëm për t’u rikthyer në shkollë,” u shpreh David Beasley, Drejtor Ekzekutiv i WFP-së. 

Sipas udhëzimeve, interesi më i lartë i fëmijëve dhe konsideratat e përgjithshme për shëndetin publik, të bazuar në vlerësimin e përfitimeve dhe rreziqeve lidhur me arsimin, shëndetin publik dhe faktorët socio-ekonomikë, duhet të jenë në qendër të vendimeve të autoriteteve kombëtare dhe vendore për rihapjen e shkollave. 

Shkollat duhet të gjejnë mënyra më të mira për rihapjen, duke përmirësuar të nxënit dhe duke ofruar mbështetje më të plotë për fëmijët në shkollë, duke përfshirë shëndetin, ushqyerjen, mbështetjen psikosociale, si dhe strukturat e furnizimit me ujë, kanalizimet dhe ato të higjienës.

Ndërkohë që vende të ndryshme janë në dilemë se kur do të hapen shkollat, UNESCO, UNICEF, WFP dhe Banka Botërore, si pjesë e Global Education Coalition (Koalicioni Global për Arsimin), u bëjnë thirrje qeverive që të vlerësojnë përfitimet e mësimdhënies në klasë kundrejt mësimit në distancë, duke marrë në konsideratë provat e paplota mbi rrezikun për infektimin nga frekuentimi i mësimit në shkollë.

“Ndërkohë që shumë nxënës po mbeten mbrapa me shkollimin e tyre për shkak të mbylljes së tejzgjatur të shkollave, vendimi se kur dhe si të rihapen shkollat, edhe pse jo i thjeshtë, duhet të jetë një prioritet. Pasi të marrim dritën jeshile nga fronti shëndetësor, duhet të vendosen një sërë masash për të siguruar që asnjë nxënës të mos mbetet mbrapa. Këto udhëzime ofrojnë një orientim të plotë për qeveritë dhe partnerët në lehtësimin e rihapjes së shkollave për nxënësit, mësuesit dhe familjet. Ne kemi një qëllim të përbashkët: të mbrojmë dhe të çojmë përpara të drejtën të çdo nxënësi për t'u arsimuar,” u shpreh Audrey Azoulay, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s.

Udhëzimet përfshijnë:

  • Reformimin e politikave: adresoni të gjitha kriteret e udhëzimeve, duke përfshirë hartimin e politikave të qarta për hapjen dhe mbylljen e shkollave gjatë emergjencave të shëndetit publik, reformat që nevojiten për rritjen e aksesit të drejtë për fëmijët e margjinalizuar dhe ata jashtë sistemit shkollor, si dhe forcimin dhe standardizimin e praktikave të mësimit në distancë.
  • Kërkesat e financimit: parashikoni adresimin e ndikimit të COVID-19 mbi arsimin dhe investimet për fuqizimin e sistemeve arsimore që të rimëkëmben dhe të konsolidohen.
  • Funksionimin të sigurt: krijoni kushtet që pakësojnë transmetimin e sëmundjes, që mbrojnë shërbimet dhe furnizimet thelbësore dhe nxisin sjelljen e shëndetshme. Këtu përfshihet aksesi në sapun dhe ujë të pastër për larjen e sigurt të duarve, procedurat kur stafi apo nxënësit nuk ndihen mirë, protokollet mbi distancimin social dhe praktikat e mira të higjienës.
  • Kompensimin e mësimit: fokusoheni në praktikat që kompensojnë kohën e humbur të të nxënit, fuqizoni pedagogjinë duke e mbështetur në modele hibride të të nxënit të tilla si qasja e integruar e mësimit në distancë. Kjo duhet të përfshihen njohuritë mbi transmetimin dhe parandalimin e sëmundjes.
  • Mirëqenien dhe mbrojtjen: drejtoni vëmendjen te mirëqenia së nxënësve dhe përforconi mbrojtjen e fëmijëve nëpërmjet mekanizmave të përmirësuara të referimit dhe sigurimin e shërbimeve kryesore të bazuara në shkollë, duke përfshirë kujdesin shëndetësor dhe ushqyerjen në shkollë.
  • Përfshirjen e më margjinalizuarve: përshtatni politikat dhe praktikat e hapjes së shkollave për të zgjeruar aksesin e grupeve të margjinalizuara, të tilla si: nxënësit që e kishin braktisur shkollën, fëmijët e shpërngulur dhe minoritetet. Diversifikoni komunikimet kryesore dhe mbulimin, duke i ofruar ato në gjuhët përkatëse dhe në formate të aksesueshme.

“Pasi shkollat të fillojnë rihapjen, prioritet do të jetë riintegrimi i nxënësve në mjediset e shkollave në mënyrë të sigurt dhe në mënyra që u mundësojnë rifillimin e të nxënit, veçanërisht për ata që kanë pësuar humbjet më të mëdha. Ky është një moment kritik pasi është pikënisja e një normaliteti të ri që duhet të jetë më i efektshëm dhe i drejtë. Për menaxhimin e rihapjes, shkollat duhet të jenë të përgatitura nga ana logjistike me stafin e gatshëm mësimdhënës. Dhe duhet të kenë plane specifike për të mbështetur rikuperimin e orëve mësimore për nxënësit më të disavantazhuar. Udhëzimet ofrojnë një kornizë për të vazhduar përpara, në të cilën janë mbështetur agjencitë kryesore të OKB-së,” u shpreh Jaime Saavedra, Drejtori Global për Arsimin i Bankës Botërore.

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook