Të rrisim mbështetjen për familjet në nevojë teksa COVID-19 vijon të përhapet, u shprehën UNICEF dhe ILO

Rekomandimet më të fundit për bizneset synojnë të ndihmojnë punëdhënësit të përforcojnë mbështetjen ndaj familjeve gjatë pandemisë

30 Mars 2020
corona
UNICEF/Albania/Pirozzi

NJU JORK, 30 mars 2020 – Në një deklaratë për shtyp ditën e sotme, UNICEF dhe ILO u shprehën se, ndërsa pandemia e COVID-19 vijon të rritet në mënyrë eksponenciale, është thelbësore mbështetja e familjeve të shtresave të ulëta për të minimizuar pasojat negative te fëmijët. Si pasojë e humbjes së vendit të punës, mbylljes së shkollave dhe mungesës së kujdesit për fëmijët, familjet, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta, kanë nevojë për më shumë mbështetje.

Sipas Dr. Pia Rebello Britto, Përgjegjëse e Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme të UNICEF, pasojat e pandemisë, siç janë humbjet e vendit e të punës, stresi i vazhdueshëm dhe përkeqësimi i shëndetit mendor, familjet do t’i ndiejnë në vitet pasardhëse. Për fëmijët më të cenueshëm, mungesa e sistemeve të kualifikuara të mbrojtjes sociale shton rrezikun e ekspozimit të tyre ndaj krizës.

Në rekomandimet e reja paraprake të publikuara sot, UNICEF-i iu kërkon punëdhënësve të marrin në konsideratë ndikimin e vendimmarrjes së tyre mbi familjet e punëtorëve, si dhe të mbështesin mbrojtjen sociale aty kur është e mundur.

Përveç kësaj, UNICEF dhe ILO u bëjnë thirrje qeverive të përforcojnë masat e mbrojtjes sociale, veçanërisht për familjet në nevojë, duke i mbështetur punëdhënësit të vazhdojnë të sigurojnë punësim dhe të ardhura, si dhe të garantojnë mbështetje financiare për ata që humbasin punën e tyre.

Manuela Tomeri, Drejtore e Departamentit të Kushteve të Punës dhe Barazisë pranë ILO, theksoi se dialogu social, duke përfshirë këshillimin dhe bashkëpunimin midis qeverive, punëtorëve, punëdhënësve dhe përfaqësuesve të tyre, është thelbësor. Në mënyrë që reagimet të jenë efikase dhe të qëndrueshme, ato duhet të bazohen në besim dhe në përvoja të shumëllojshme.

Politikat dhe praktikat miqësore ndaj familjes, duke përfshirë punësimin dhe mbrojtjen e të ardhurave, lejen e paguar për t'u kujdesur për anëtarët e familjes, rregullimet fleksibël të punës dhe aksesin në kujdesin cilësor e fëmijëve në raste urgjente, mund të sjellin një ndryshim tejet të rëndësishëm. Përmes tyre, punëtorët mund të mbrojnë dhe të kujdesen për veten dhe fëmijët e tyre, si dhe të rrisin produktivitetin dhe ndjenjën e sigurisë së punëtorëve.

Rekomandimet paraprake drejtuar punëdhënësve për të zbutur pasojat negative që vijnë nga COVID-19 përfshijnë si më poshtë:

 

  • Monitorimin dhe zbatimin e këshillave kombëtare nga autoritetet lokale dhe kombëtare, si dhe përcjelljen e informacioneve të rëndësishme fuqisë punëtore.
  • Vlerësimin e politikave aktuale të vendit të punës për të siguruar se ato parashikojnë ofrimin e mbështetjes së mjaftueshme për punëtorët dhe familjet e tyre.
  • Aplikimin e praktikave të mira gjatë zbatimit të politikave ekzistuese ose të reja bazuar në dialogun social, si dhe në ligjet dhe standardet ndërkombëtare të punës. Garantimin që të gjithë punëtorët të gëzojnë të drejtat e masave mbështetëse në vendin e punës, pa dallim, si dhe të jenë të njohur, t’i kuptojnë dhe t’i përdorin ato lehtësisht.
  • Mbrojtjen e vendit të punës ndaj diskriminimit dhe stigmës sociale, duke lehtësuar trajnimin dhe duke siguruar që mekanizmat e raportimit të jenë konfidenciale dhe të sigurta.
  • Zbatimin i rregullimeve të punës miqësore me familjen për t'u dhënë punëtorëve më shumë liri lidhur me vendin dhe kohën e përmbushjes së përgjegjësive të tyre të punës. Nëse nuk mund të bëhen rregullime fleksibël të punës, konsideroni mbështetjen alternative për prindërit që punojnë, siç është mbështetja për kujdesin ndaj fëmijëve.
  • Mbështetjen e prindërve të punësuar, duke iu ofruar zgjedhje të sigurta dhe të përshtatshme të kujdesit të fëmijëve në lidhje me COVID-19.
  • Parandalimin dhe adresimin e rreziqeve në vendin e punës përmes përforcimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
  • Udhëzime dhe trajnime mbi masat e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe mbi praktikat e higjienës.
  • Nxitjen e punëtorëve për të marrë kujdesin e duhur mjekësor nëse kanë ethe, kolle dhe vështirësi në frymëmarrje.
  • Mbështetjen e punonjësve që përballen me stresin gjatë epidemisë së COVID-19.
  • Mbështetjen e masave qeveritare për mbrojtjen sociale në përputhje me Konventën nr. 102 për Sigurinë Sociale të ILO-s (standarde minimale) dhe Rekomandimin nr. 202 mbi Garancitë e Mbrojtjes Sociale të ILO-s. Në mbështetjen e kompanive mund të përmendim, për shembull, subvencionet për punëtorët për akses në sigurime shëndetësore, papunësi dhe paaftësi për punë, të cilat duhet të përfshijnë punëtorët në sektorin informal.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook