Të gjithë fëmijët gëzojnë të drejtën për arsim gjithëpërfshirës

13 Shtator 2016

Tiranë, 13 shtator 2016 – Me rastin e ditës së parë të shkollës, UNICEF i uron çdo dhe të gjithë fëmijëve në Shqipëri një vit akademik të suksesshëm. Për të shënuar këtë ditë, ekipi i UNICEF vizitoi këtë mëngjes shkollën ”Androkli Kostallari” në Tiranë, që është një shkollë pioniere e arsimit gjithëpërfshirës me 603 nxënës, nga të cilët 10 për qind e përbëjnë fëmijët e komunitetit rom dhe ata me aftësi të kufizuara. Shkolla ka qenë pjesë e projektit për arsim gjithëpërfshirës, i mbështetur nga UNICEF, që synon të zhvillojë kapacitetet dhe aftësitë e mësuesve, në mënyrë që djemtë dhe vajzat me aftësi të ndryshme të mund të mësojnë të gjithë së bashku. 

“Sot, unë jam dëshmitare e gëzimit të fëmijëve në ditën e tyre të parë të shkollës, dhe entuziazmit me të cilin fëmijëve të komunitetit rom dhe atyre me aftësi të kufizuara po u sigurohet mësim cilësor si një e drejtë bazë. Në përputhje me Konventën e të Drejtave të Fëmijës, sipas së cilës çdo fëmijë gëzon të drejtën për arsimim cilësor, UNICEF do të vazhdojë të kontribuojë për forcimin e sistemit arsimor për të siguruar se të gjithë fëmijët kanë mundësi të barabarta për t’u zhvilluar dhe për të përparuar drejt arritjes së potencialit të tyre të plotë” tha përfaqësuesja e UNICEF, Antonella Scolamiero.    

Me mbështetjen e UNICEF, sistemi arsimor shqiptar ka prezantuar module të arsimit gjithëpërfshirës, ku trajnimi i mësuesve arrin 100 për qind të mësuesve që japin mësim në klasat 2, 7 dhe 10. Trajnimi i mësuesve qëndron në thelb të modelit të shkollës gjithëpërfshirëse nëpërmjet Profilit të Mësuesit Gjithëpërfshirës, që së fundmi është miratuar edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Profili është baza për formësimin e praktikave të mësuesve në detyrë, si edhe ndikon në kurrikulat universitare që do të duhet të përgatisin mësues në bazë të këtij profili.

Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëdha për të kapërcyer hendekun në barazinë e sistemit të saj arsimor dhe ka bërë shumë arritje në arsimin parashkollor dhe fillor. Megjithatë, për sa i përket aksesit mbeten ende disa sfida për t’u zgjidhur. Rreth gjysma e fëmijëve të komuniteti rom ende nuk kanë akses në arsimin parashkollor, ndërsa deri në 40 për qind të tyre në moshën 6-14 vjeç nuk kanë shkuar kurrë në shkollë. Kategoria e fëmijëve jashtë sistemit shkollor përfshin gjithashtu edhe shumë fëmijë me aftësi të kufizuara. Shpenzimet publike për arsimin përbëjnë 3.5 për qind të PBB-së, që do të thotë një nivel dukshëm më i ulët sesa mesatarja prej 6.3 për qind e shteteve në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).  

UNICEF Shqipëri është i vendosur të përkrahë të drejtat e fëmijëve të cenueshëm për të pasur akses në arsim që në fazat e hershme të jetës së tyre, duke pasur parasysh se sa më herët që të bëhet investimi në arsimimin e fëmijëve të komunitetit rom dhe atyre të cenueshëm, aq më e madhe do të jetë mundësia për të prishur këtë rreth vicioz të varfërisë dhe përjashtimit. 

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook