Rikthehemi në shkollë
Pyetje dhe përgjigje për prindërit

- English
- Shqip
Teksa përgatitemi për t’i kthyer fëmijët tanë në shkollë, secili prej nesh ka pyetje rreth mënyrës më të mirë për t’i mbrojtur nga COVID-19. Mirëqenia e fëmijëve është ndikuar ndjeshëm nga mbyllja e shkollave. Është e rëndësishme që sa herë të jetë e mundur, fëmijëve t’iu jepet mundësia të socializohen me bashkëmoshatarët e tyre, të mësojnë, dhe të zhvillohen emocionalisht. Sipas studimeve të deritanishme, ndonëse iu kanoset rrezik më i vogël sesa të rriturve, fëmijët mund ta transmetojnë virusin te të tjerët, duke përfshirë edhe fëmijët e tjerë me probleme të fshehura shëndetësore.
Kërkoni informacione nga stafi i shkollës rreth rregullave, rutinës, dhe protokolleve të sigurisë lidhur me COVID-19. Prindërit duhet të zbatojnë të gjitha këshillat dhe rregulloret e autoritetit vendor të shëndetit publik. Ndërkohë, më poshtë gjeni përgjigjet e disa prej pyetjeve kryesore rreth sigurisë së gjithsecilit.
1. A duhet ta çoj fëmijën tim në shkollë këtë vit?
Po, mund ta çoni fëmijën tuaj në shkollë kur të jetë e hapur. Është vërtetuar se mbyllja e shkollave ka ndikuar negativisht mbi shëndetin, mirëqenien, dhe të nxënit e fëmijëve. Pavarësisht varianteve të reja, rreziku që iu kanoset fëmijëve kur të kthehen në shkollë është i ulët nëse kjo e fundit, stafi dhe mësuesit i zbatojnë masat e rekomanduara kundër COVID-19 dhe protokollet e sigurisë rreth larjes së duarve, distancimit, dhe ajrimit. Nëse fëmija juaj është sëmurë dhe shfaq simptoma të COVID-19, mbajeni në shtëpi derisa gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.
2. Si ta përgatis fëmijën tim për t’u kthyer në shkollë?
Flisni me fëmijën sesa argëtuese dhe ngazëlluese është shkolla, duke i kujtuar çastet që do të kalojë me miqtë dhe mësuesit, si dhe rutinën dhe veprimtaritë e ndryshme që do të zhvillojë. Diskutoni për mënyrat më të mira se si të mbrohet nga COVID-19, duke larë duart, duke praktikuar distancimin fizik, dhe duke mbuluar gojën dhe hundën me bërryl apo me pecetë kur të kollitet apo teshtijë. Nëse rekomandohet që të mbajë maskë, fëmija duhet të dijë se duhet ta mbulojë gojën dhe hundën, si dhe duhet të mësojë se si ta lajë dhe ta hedhë poshtë.
Kthimi në shkollë mund të jetë shumë argëtues për fëmijën nëse e lejoni të zgjedhë maska shumëngjyrëshe (nëse i kërkohet t’i mbajë), apo nëse krijoni këngë kushtuar hapave të larjes së duarve dhe protokolleve të sigurisë. Veç kësaj, mund t’i mësoni mënyra argëtuese se si t’i përshëndesë miqtë duke ruajtur distancën, si për shembull duke ia bërë me dorë njëri-tjetrit apo ndonjë lëvizje tjetër!
3. Çfarë të bëj nëse fëmija im ka frikë të kthehet në shkollë?
Mund të ndodhë që fëmija të ndiejë ankth kur të mendojë se do të kthehet në shkollë. Vëzhgoni me kujdes shenjat e stresit dhe nxiteni që të flasë hapur për shqetësimet e tij. Sigurojeni që shkolla bën më të mirën që t’i mbrojë të gjithë nga COVID-19 dhe se gjithsecili prej nesh mundet të japë kontributin e vet. Mos harroni të tregoheni të sinqertë dhe të mirëkuptoni ndjenjat e fëmijës suaj. Gjëja më e rëndësishme është ta nxisni që të ketë vetëbesim për vitin e ri shkollor!
4. Çfarë të bëj nëse fëmija im sëmuret?
Nëse fëmija juaj shfaq shenja sëmundjeje, si: temperaturë, rrjedhje hundësh, dhimbje fyti, apo kollë, zgjidhja më e mirë do të ishte që mos ta çonit në shkollë. Zbatoni politikat e shkollës dhe nëse është e nevojshme, kërkoni ndihmë mjekësore. Nga ana tjetër, nëse fëmija juaj ka pasur kontakt me një person të infektuar me COVID-19, sigurohuni që ta mbani në shtëpi sipas rekomandimeve të autoritetit të shëndetit publik rreth vetizolimit. Mos harroni që gjatë gjithë kësaj kohe, duhet ta informoni stafin e shkollës. Mësuesin ose shkollën mund ta kontaktoni dhe ta njoftoni nëpërmjet telefonit, email-it, apo një forme tjetër komunikimi, të cilën do ta vendosni duke biseduar paraprakisht.
5. A duhet të marr masa mbrojtëse shtesë edhe kur fëmija im të kthehet nga shkolla?
Shkollat duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur edhe fëmijët, edhe familjet e tyre. Kërkojini fëmijës ose mësuesit që t’ju informojë rreth veprimtarive ku mund të përfshihet kontakti i afërt me të tjerët. Si rregull, nëse shkollat zbatojnë masat e rekomanduara të sigurisë, nuk keni përse të shqetësoheni pasi fëmijët të kthehen në shtëpi. Megjithatë, nëse ju apo një familjar tjetër rrezikoni të infektoheni rëndë me COVID-19 për shkak të moshës apo sëmundjeve bashkëshoqëruese, sigurohuni që të merrni masa mbrojtëse, duke përfshirë distancimin fizik dhe vaksinimin, nëse është i disponueshëm.
Jepuni fëmijëve këshilla se si të kthehen në shtëpi në mënyrë të sigurt, duke ardhur në këmbë ose me biçikletë për të shmangur autobusin e shkollës apo transportin publik. Nëse nuk është e mundur dhe në zonën tuaj rekomandohen maskat, kujtojini që të mbulojë gojën dhe hundën me maskë sa herë që të jetë në mjedise të mbyllura dhe me shumë njerëz, duke përfshirë edhe autobusin. Sigurohuni që pasi të arrijë në shtëpi, fëmija të zbatojë masat e duhura të higjienës.
6. Çfarë të bëj nëse fëmija im sëmuret në shkollë?
Nëse fëmija juaj shfaq simptoma të COVID-19 në shkollë, mësuesi apo stafi i shkollës duhet të veprojë menjëherë. Prindërit duhet të kontaktohen menjëherë për të vlerësuar veprimet që duhet të kryhen në përputhje me udhëzimet e autoriteteve vendore të shëndetësisë. Kontaktoni mjekun e fëmijës suaj për të vlerësuar nevojën që të kryeni një test për COVID-19 dhe informojeni shkollën rreth rezultateve të tij. Mbajeni fëmijën në shtëpi për aq kohë sa e rekomandon mjeku ose zbatoni protokollet nga autoriteti vendor i shëndetësisë për vetizolimin.
7. Çfarë të bëj nëse mësuesi apo një shok klase i fëmijës tim sëmuret në shkollë?
Nëse shkolla ju informon se mësuesi apo një shok klase i fëmijës suaj ka dalë pozitiv me COVID-19, monitoroni simptomat e fëmijës suaj dhe ndiqni rekomandimet e autoritetit vendor të shëndetësisë për vetizolimin. Kërkoni ndihmë mjekësore nëse fëmija juaj shfaq simptoma të COVID-19, si: temperaturë, kollë, ose lodhje. Ruani kontaktin me shkollën për të marrë informacione apo përditësime nëse mundeni ta çoni fëmijën në shkollë dhe si do të planifikohen oraret mësimore. Shkollën mund ta kontaktoni përmes mësuesit, telefonit, email-it, apo ndonjë forme tjetër komunikimi.
8. A mund të kthehen në shkollë fëmijët që vuajnë nga astma, obeziteti, diabeti, apo probleme të tjera shëndetësore?
Përgjigja varet nga gjendja aktuale e fëmijës, situata e COVID-19 në komunitetin tuaj dhe masat e sigurisë që zbatohen në shkollë. Sigurohuni që shkolla zbaton protokolle sigurie që përfshijnë larjen e duarve, distancimin dhe ajrimin.
Ndonëse në shumicën e rasteve, fëmijët janë asimptomatikë ose shfaqin simptoma të lehta kur infektohen me COVID-19, ka evidenca që tregojnë se personat me probleme shëndetësore të rrezikshme (astma, diabeti ose obeziteti) kanë më shumë gjasa të shfaqin simptoma të rënda të COVID-19 ose edhe të vdesin. Këto efekte shfaqen edhe te fëmijët, por duhet të zhvillohen studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet e COVID-19 te fëmijët me probleme shëndetësore.
Nëse është e disponueshme për fëmijën tuaj, vaksina është mënyra më e mirë për ta mbrojtur. Vaksina mund të ulë ndjeshëm rrezikun e infektimit të rëndë me COVID-19, duke përfshirë shtrimin në spital dhe vdekjen.
Autori: UNICEF ECARO
Kontakte me mediat
About UNICEF
UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.
For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.