Qeveritë nxiten për të bërë zgjedhjet e duhura tani për të ndryshuar fatin e fëmijëve më vulnerabël- thotë UNICEF

Varfëria, analfabetizmi dhe vdekjet e hershme presin fëmijët më të disavantazhuar në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore

28 Qershor 2016

GJENEVË,TIRANE 28 qershor 2016 — Fëmijët në Evropën Qëndrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore po paguajnë çmimin për progresin e pabarabartë dhe të padrejtë në rajon – ata kanë shumë gjasa që të jenë të varfër dhe më vulnerabël sesa të rriturit, deklaroi sot UNICEF-i, në prezantimin e një raporti të ri.

Gjendja e Fëmijëve në Botë 2016 – Një shans i drejtë për çdo fëmijë, raporti më i rëndësishëm vjetor i UNICEF-it paraqet progresin e jashtëzakonshëm për fëmijët kudo në botë. Por, raporti vë në dukje se 69 milionë fëmijë do të vdesin për shkaqe kryesisht të parandalueshme, 167 milionë fëmijë do të jetojnë në varfëri, dhe 750 milionë gra do të martohen si fëmijë deri në vitin 2030, data e synuar për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, përveçse nëse bota përqendrohet më shumë në gjendjen e vështirë të fëmijëve më të disavantazhuar.   

Progresi i bërë në këtë rajon nuk ka qenë as i barabartë dhe as i drejtë. Fëmijët po mbajnë barrën kryesore: ata përballen me shanse më të mëdha për të jetuar në varfëri sesa të rriturit. Ky rast paraqitet edhe në shumë shtete të Bashkimit Evropian, edhe pse rreziqet janë më të mëdha në Evropën Lindore. Fëmijët refugjatë dhe migrantë në lëvizje dhe që kërkojnë azil në Evropë janë ndër më të përjashtuarit në shoqëri. 

“Shtetet në rajon përballen me një zgjedhje – ata që investojnë sot për fëmijët më në nevojë duke synuar të arrijnë të gjithë fëmijët kudo që janë, do të shpërblehen nesër. Ata vënde që nuk do të angazhohen, do të mbeten pas për shkak të progresit të pabarabartë.  “Pabarazia nuk është e paevitueshme, ne mund të zgjedhim që ta luftojmë atë,” tha Marie-Pierre Poirier, Drejtoresha Rajonale dhe Koordinatorja Speciale për Krizën e Refugjatëve dhe Migrantëve.

 

Fëmijët nga komunitetet më në nevojë, veçanërisht popullata Rome në Evropë, përballen me pabarazi shëndetësore serioze. Ashtu si në vitin 2012, vetëm 4 për qind e fëmijëve Romë në një shtet të Evropës Juglindore janë imunizuar plotësisht, krahasuar me 68 për qind të fëmijëve të tjerë që nuk i përkasin komunitetit Rom.

Gjithsej, rajoni ka 12 milionë fëmijë të moshës së arsimit të mesëm që nuk ndjekin shkollën, me adoleshentë që vijnë nga familjet më të varfra dhe nga minoritetet etnike dhe gjuhësore midis atyre që kanë rrezik më të lartë për t’u larguar nga shkolla që në moshë të hershme. Gjithashtu, varfëria dhe privimi i shtyjnë fëmijët drejt kujdesit rezidencial. Rreth 1.3 milionë fëmijë kudo në rajon rriten në qendra kujdesit formal: gjysma e tyre në institucione rezidenciale që mund të dëmtojnë shëndetin, zhvillimin dhe perspektivat e tyre. Reformat janë ende duke u kryer dhe shërbimet e reja po ofrojnë alternativa për kujdesin rezidencial, por fëmijët me aftësi të kufizuara kanë shumë pak gjasa që të përfitojnë.

Shumë shtete në rajon po i trajtojnë këto çështje dhe po zhvillojnë mbrojtjen sociale për fëmijët, shpesh me mbështetje nga UNICEF-i dhe partnerët e tij. Skemat e sigurimeve shëndetësore me subvencionim nga shteti për grupet vulnerabël që u ofrojnë fëmijëve kujdes shëndetësor falas po fillojnë zbatohen, për shembull në Bjellorusi, Kroaci, Rumani dhe Serbi.

Në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Rumani dhe Ukrainë, ndërmjetësuesit për shëndetin e Romëve dhe komunitetin po i ndihmojnë individët Romë që të kenë akses në një larmi shërbimesh. Në Kirgistan, një fushatë informoi dhjetëra mijëra individë në zonat rurale, nëpërmjet aktorëve në nivel komuniteti dhe nëpërmjet radiove vendore, për përfitimet që ata mund të kenë.   

Në Malin e Zi, një fushatë për ndërgjegjësimin publik ndryshoi qëndrimet ndaj arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara: nga një sondazh i vitit 2015 rezultoi se 78 për qind e malazezëve e mbështesnin arsimin gjithëpërfshirës, nga 35 për qind që ishte në vitin 2010.   

Në Shqipëri, Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2015-2020, për herë të parë, artikulon qartë nevojën për të harmonizuar më mirë instrumentet e ndryshme ekzistuese të mbrojtjes sociale, duke njohur se vetëm asistenca me para në dorë (cash) nuk mund të trajtojë nevojat komplekse të familjeve dhe fëmijëve vulnerabël.

Strategjia aktuale për Arsimin Parauniversitar, e zhvilluar nëpërmjet asistencës teknike të UNICEF, angazhohet për rritjen e aksesit për të nxënit hershëm, duke i bërë jehonë advokacisë që bën UNICEF-it , për përfitime më të mëdha në qoftëse vendi investon që në moshë të hershme dhe duke synuar grupet më të disavantazhuara.

Për më tepër, ligji i ri për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve vendos mekanizma gjithëpërfshirës, për të garantuar të drejtat e gjithë fëmijëve në Shqipëri,kryesisht atyre grupeve që kanë nevojë për më shumë mbrojtje. Përvec rolit të prindërve,familjes dhe cdo personi që jeton në Shqipëri,ligji siguron nje ndarje rolesh dhe llogaridhënie të qarta për disa nga aktorët kyc të shtetit.

Prezantimi i teknologjisë dixhitale dhe asaj të lëvizshme (mobile) dhe i inovacioneve të tjera, e ka bërë më të lehtë për fëmijët dhe familjet vulnerabël në rrezik ndarje, që të marrin shërbime mbështetëse.

Sipas raportit, arritja e barazisë për fëmijët është një çështje prioritare, e cila njeh si rëndësinë morale ashtu edhe atë strategjike të investimit për ata që kanë më shumë nevojë. Kjo përfshin:

  • Kapërcimin e barrierave dhe vështirësive, përfshirë normat sociale që i largojnë fëmijët nga mbështetja për të cilën ata kanë nevojë dhe që pengojnë aksesin e tyre në mundësi dhe shërbime jetike;   
  • Përkthimin e angazhimit në veprime nëpërmjet programeve dhe shpenzimeve publike për të përmirësuar jetët e atyre më të disavantazhuar, siç janë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që vijnë nga familjet Rome dhe fëmijët që vijnë nga familjet e varfra. Kjo përfshin përmirësimin dhe zgjerimin e mbrojtjes sociale për fëmijët vulnerabël;
  • Investimin e qeverive dhe donatorëve në politika me në qendër fëmijët;
  • Angazhimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe dhunës që prek fëmijët, përfshirë fëmijët refugjatë dhe migrantë që duhet t’ia mbathin për shkak të luftës dhe konfliktit, ose vështirësive ekonomike.   

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook