Përqafoni sjellje miqësore ndaj mjedisit në përditshmërinë tuaj!

Përqafoni sjellje miqësore ndaj mjedisit - Rinia shqiptare pyet.

22 Maj 2023
Group of youth sitting in a round circle discussing
UNICEF/Albania2023

Me krenari sot çelim YouthMove4Air&Climate2, një nismë risiprurëse në kuadër të Marrëveshjes midis Suedisë dhe UNICEF-it për Përmirësimin e Cilësisë së Ajrit në Ballkanin Perëndimor. Nisma synon të frymëzojë dhe të mobilizojë rininë në Shqipëri dhe në mbarë rajonin drejt veprimeve kuptimplota, me qëllim adresimin e sfidave të ngutshme të cilësisë së ajrit dhe ndryshimeve klimatike.

Zëri i rinisë luan një rol kyç në formësimin e politikave, nxitjen e novacionit, dhe krijimin e praktikave të qëndrueshme. Sipas të dhënave të mbledhura nga U-Report në Shqipëri, në vitin 2022, 81% e 214 të anketuarve besonin se ndryshimet klimatike dhe problemet e ndotjes së ajrit janë të ndërlidhura, ndërsa 83% e tyre mendonin se cilësia e ajrit në qytetet e tyre përkatëse ishte përkeqësuar qysh prej fëmijërisë së tyre.

Në kuadër të YouthMove4Air&Climate2, thuajse 250 të rinj dhe të reja me formime të ndryshme do të shkëmbejnë ide, do të ndajnë njohuri, dhe do të bashkëpunojnë mbi nisma që promovojnë ajrin e pastër dhe llogaridhënien në nivelin vendor dhe kombëtar. Përmes programit kryesues të UNICEF-it, UPSHIFT, të rinj dhe të reja (15 - 24 vjeç) nga mbarë Shqipëria do të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje që ndikojnë te cilësia e ajrit, shpyllëzimit, reduktimi i mbetjeve, promovimi i transportit publik, si dhe ruajtja e burimeve ujore, ndër të tjera.

Sot të rinjtë do të marrin stafetën duke u angazhuar me #YouthManifesto4AirQuality, dhe duke vijuar dialogun e hapur me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri. Për të promovuar aktivizmin për cilësinë e ajrit dhe shkëmbimin e informacioneve, si dhe për të komunikuar me të rinjtë dhe të rejat, janë krijuar hapësira ndërvepruese, si: “Rrota e Njohurive” për Cilësinë e Ajrit, loja Monopoly, e titulluar: “Sa miqësore ndaj mjedisit është përditshmëria ime?”, si dhe çantat prej cohe, me emrin “ARTivism”.

“Ndryshimet klimatike janë një çështje ndërbrezore, ndaj duhet të veprojmë tani për ne dhe fëmijët tanë. UNICEF-i beson se është përgjegjësi e politikëbërësve, individëve, dhe sidomos rinisë dhe industrisë (sektori privat) që të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje në lidhje me cilësinë e ajrit dhe ndryshimet klimatike. Teksa çelim këtë fazë të projektit, veprimet kyç nga Manifestoja Rinore do të mbështeten dhe do të përkthehen në masa. Dhe për ta arritur këtë qëllim, na duhet kontributi i gjithsecilit prej jush.” - shprehet përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Dr. Roberto De Bernardi.

“Ndryshimet klimatike janë reale dhe të pranishme. Për Suedinë, mbrojtja e mjedisit, ajri i pastër, dhe përpjekjet drejt një të ardhmeje të qëndrueshme për planetin dhe njerëzit përbëjnë prioritet. Është thelbësore që ky proces të përfshijë të rinjtë dhe të rejat, duke dëgjuar idetë e tyre dhe duke i bërë pjesë të politikëbërjes dhe vendimmarrjes në institucione dhe qeveri. Kjo nismë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Shqipëri dhe mbarë Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme, sepse ju, rinia, merrni përsipër të krijoni një të ardhme më të mirë!”

Nëpërmjet kësaj nisme, UNICEF-i synon të mbështetë mbi 250 drejtues të rinj që kanë pasion pjesëmarrjen aktive për mbrojtjen e mjedisit, duke ndërgjegjësuar rreth cilësisë së ajrit dhe duke monitoruar masat në bashkitë Shkodër, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Pogradec, dhe Korçë, me vëmendje të veçantë kushtuar rëndësisë së veprimeve individuale dhe të përbashkëta. Duke e njohur nevojën për veprime të përbashkëta, UNICEF-i dhe partnerët e tij do t’iu kërkojnë bashkive që të marrin masa proaktive për të edukuar komunitetet rreth domethënies së ajrit të pastër dhe dobive afatgjata.

Ky projekt zbatohet në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Qendrën EDEN, ICTSLab, dhe UNICEF Shqipëri, me mbështetjen bujare të Qeverisë Suedeze.

 

Youth painting tote bags

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook