Për të parën herë, Shqipëria me një Kod të Drejtësisë Penale për të Miturit!

30 Mars 2017

Tiranë, 30 mars 2017 - Sot, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë të cilësuar Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, si pjesë e përpjekjeve të tij për reformimin e gjithë sistemit të drejtësisë. Ky legjislacion revolucionar, përbën një ndryshim madhor në konceptim, duke u zhvendosur nga një qasje ndëshkuese drejt asaj rehabilituese dhe restauruese, për trajtimin e përfshirjes së të miturve në veprat penale. Gjithashtu, Kodi parashikon një drejtësi më miqësore me fëmijët viktima apo dëshmitarë të një vepre penale. 

I hartuar me mbështetjen e UNICEF-it, Kodi krijon një kornizë të drejtësisë penale për fëmijët, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës (KDF) dhe standardet e tjera ndërkombëtare. Kodi, synon të përshtatë sistemin e drejtësisë penale sipas nevojave të fëmijës, për t'i ofruar qasje në drejtësi e mjete juridike, mbrojtje, edukim dhe rehabilitim atyre që bien në kontakt me ligjin. Nën dritën e parimit të KDF-së për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës, Kodi në tërësi është rrënjosur në filozofinë që fëmija duhet të orientohet drejt një jete larg krimit dhe dhunës. 

Ky Kod, si akti i parë ligjor në Shqipëri që i kushtohet posaçërisht drejtësisë penale për të mitur, parashikon se burgimi jepet vetëm si masë e fundit ndaj të miturve dhe për një kohë sa më të shkurtër të mundshme. Kodi kërkon si domosdoshmëri që të gjithë profesionistët e përfshirë në procesin e drejtësisë për të mitur të specializohen në trajtimin e rasteve të fëmijëve. Ai fut konceptin e shmangies së fëmijës nga procesi traumatik gjyqësor. Gjithashtu, Kodi sanksionon praninë e detyrueshme të psikologut; ofrimin e ndihmës juridike dhe psikologjike falas për fëmijët, përfshirë fëmijët viktima/dëshmitarë; parashikon përshtatjen e godinës së gjykatës dhe seancave, në mënyrë që ato të jenë më të sigurta e më pak frikësuese për fëmijët, si dhe më të favorshme për dhënien e dëshmisë; sjell konceptin e shërbimeve të rehabilitimit me bazë komunitare, etj.

“Në emër të UNICEF-it, dëshiroj të përgëzoj deputetët e Kuvendit, të cilët, me miratimin e Kodit shpalosën vizionin e tyre të ri për sistemin e drejtësisë penale për fëmijë, një sistem që vlerëson edukimin në vend të dënimit, ri-integrimin në vend të izolimit si dhe mbrojtjen e fëmijës në vend të ri-viktimizimit ", u shpreh Antonella Scolamiero, Përfaqësuese e UNICEF-it. UNICEF i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë, organeve kompetente dhe palëve e interesuara, të planifikojnë dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar zbatimin efektiv dhe në kohë të Kodit të ri dhe qëndron i gatshëm të vazhdojë mbështetjen e tij për këtë kauzë të rëndësishme.

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook