Njoftim për shtyp Shqipëria prezanton Objektivin Nr. 4 të Zhvillimit të Qëndrueshëm - Arsimi 2030 dhe Raportin e Analizës të Politikës për Arsimin

12 Prill 2017

Tiranë, më 12 prill 2017- Ministria e Arsimit dhe e Sporteve dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA), në bashkëpunim me UNESCO-n dhe UNICEF-in, prezantojnë sot Objektivin Nr. 4 të Zhvillimit të Qëndrueshëm - Arsimi 2030 dhe Raportin e Analizës së Politikës për Arsimin. Ky aktivitet synon të nxisë sensibilizimin për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të) të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ky aktivitet do të përqendrohet në veçanti në OZHQ4 - Arsimi 2030, i cili synon të “garantojë arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, si dhe të krijojë  e konsolidojë shanse për të mësuarit gjatë të gjithë jetës për këdo"

Axhenda 2030 përfshin 17 OZHQ. Ato mbulojnë një gamë të gjerë të fushave të politikave, duke filluar nga eliminimi i varfërisë, garantimi i shëndetit dhe mirëqenies, i një pune dinjitoze e deri te barazia gjinore. OZHQ4 për arsimin thekson rëndësinë e barazisë, të gjithëpërfshirjes dhe barazisë gjinore, e të mësuarit në mënyrë të efektshme dhe të vlerës praktike e jetësore të asaj që mësohet. Ky objektiv aspiron t'i pajisë të rinjtë me të gjitha aftësitë e nevojshme për një jetesë të qëndrueshme, për një punë dinjitoze, për qytetari globale dhe kulturë paqeje. 

Gjatë këtij aktiviteti, do të prezantohet Raporti i Analizës së Politikës për Arsimin, e realizuar nga një ekip i UNESCO-s me kërkesë të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve. Ky raport identifikon çështjet kryesore të kësaj politike dhe jep rekomandime në bazë të analizës së tri fushave kryesore të politikës arsimore: zhvillimi dhe reforma e kurrikulës; teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit në arsim; politikat për mësuesit dhe e lidershipin e shkollës. 

Raporti rekomandon zhvillimin e mëtejshëm profesional të mësimdhënësve për zbatimin e reformës kurrikulare në fusha të tilla si vlerësimit të studentëve, plotësimin e nevojave të nxënësve nga shtresat ne nevoje si dhe te teknollogjive te informacionit dhe komunikimit(TIK) për qëllime edukative. 

Raporti sygjeron rritjen e lidhjes dhe prezences se internetit, veçanërisht në zonat rurale, dhe përmirësimin e sigurise online për fëmijët. Raporti gjithashtu sygjeron marrjen e masave dhe nderhyrjeve  për të rritur statusin e profesionit të mësimdhënies dhe për të tërhequr aplikantë me cilësi të lartë ne Universitete. Në tërësi, rekomandimet përfshijnë përmirësimin e komunikimit, mbështetjen dhe zhvillimin e arsimit gjithëpërfshirës, fuqizimin e institucioneve dhe përmirësimin e monitorimit dhe vlerësimit.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Arsimin pranë UNESCO-s, Qian Tang, e përgëzoi Shqipërinë për organizimin e këtij aktiviteti. Ai u shpreh se "Aktiviteti i sotëm ka të bëjë me nxitjen e një vizioni të përbashkët dhe afatgjatë për një arsim cilësor dhe për një të mësuar gjatë të gjithë jetës në Shqipëri, pa përjashtuar askënd. Analiza e Politikës për Arsimin ka për qëllim të mbështesë Shqipërinë, përmes një qasjeje analitike dhe të mbështetur në fakte për zhvillimin e sektorit të arsimit dhe të bazuar në përvojën ndërkombëtare. Janë qeveritë ato që mbartin përgjegjësinë parësore për pëmbushjen e OZHQ4. UNESCO, në cilësinë e saj si drejtuese dhe koordinuese e Axhendës 2030 për Arsimin, shpreh angazhimin për t'i mbështetur ato".

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Antonella Scolamiero nxit qeverinë në përbushjen e Objektiva të ZHvillimit të Qëndrueshëm, e në vecanti të  Objektivit 4, i cili vë theksin e të nxënit që fillon që në moshë të vogël. Këto objektiva,  synojnë për  një arsim cilesor për të gjithë fëmijët - qofshin ata vajza, djem, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë ose fëmijë  që jetojnë në kushte të vështira. UNICEF, në zbatim të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, shpreh angazhimin e organizatës për vazhdimësinë e mbështetjes për  fuqizimin e sistemit arsimor në Shqipëri, në mënyrë që ai të bëhet sa më gjithëpërfshirës dhe të garantojë arsim cilësor për çdo fëmijë".   

Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Znj. Lindita Nikolla, falenderon UNESCO-n dhe UNICEF-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe cilësore që i kanë dhënë arsimit shqiptar në drejtim të analizës së politikës arsimore dhe të realizimit të objektivave strategjikë të këti arsimi. Sfidat, problemet  e arsimit dhe kërkesat ndaj tij nga shoqëria janë të shumta. Në përgjigje të tyre, në këto katër vjet, MAS ka ndërmarë një reformë të thellë, të guximshme e me shumë përmasa, që përfshin të gjithë arsimin parauniversitar, që nga fëmijëria e hershme e deri në arsimin e mesëm të lartë. Objektivat dhe qasja e kësaj reforme janë në të njëjtën linjë me OZHQ4. E vetëdishme që ka ende shumë punë për bërë, Ministria Nikolla shpreh angazhimin  e qeverisë së Shqipërisë se arsimi do të vazhdojë të jetë përparësi absolute e kësaj qeverie si dhe angazhimin e saj personal dhe të institucionit që aktualisht drejton se do të mobilizojë të gjitha energjitë e mundshme për të realizuar OZHQ4.  Znj.Nikolla shpreh besimin se ky aktivitet do te kontribuojë edhe për përmirësimin  e dialogut politik për arsimin në Shqipëri, si shprehje e përgjegjësisë së gjithësecilit për mbarëvajtjen e tij dhe të harmonizimit të të gjitha forcave dhe energjive në një drejtim. 

Koordinatori i Perhershem i OKB-se ne Shqiperi Brian Williams theksoi:” Ne duam te urojme Qeverine e Shqiperise  per fokusin  mbi Objektivin e Zhvillimit te Qendrueshem numer 4 qe lidhet me sigurimin e arsimit cilesor e gjitheperfshires si dhe per fillimin e procesit per te perpiluar nje Raport baze per Shqiperine, i cili do te kete nje rol kritik ne percaktimin e prioriteteve ne rrugen drejt arritjes se Objektivave”.

Në këtë aktivitet, nëpërmjet pjesëmarrjes në seancat me panelin e ekspertëve, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të reflektojnë për progresin dhe sfidat për zbatimin e OZHQ4 - Arsimi 2030 në Shqipëri, duke iu referuar gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit të Analizës së Politikës për Arsimin. 

Ky aktivitet do të mbështesë dhe do t’i japë një shtysë  të fuqishme edhe realizimit të të gjithë objektivave të arsimit në Shqipëri, në përmbushje të objektivave të tij strategjikë. 

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook