Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes “Një familje për çdo fëmijë!” – deklaron UNICEF

15 Maj 2017

Tiranë, 15 maj 2017 - UNICEF në Shqipëri dëshiron të përkujtojë Ditën Ndërkombëtare të Familjes, nëpërmjet ndërgjegjësimit për të drejtën e çdo fëmije, për t’u rritur në një mjedis familjar përkujdesës dhe edukues.

Sipas serive të Lancet për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme të publikuara në vitin 2016, edukimi që në vitet e para, siguron që individët dhe shoqëritë të përparojnë. Zhvillimi i shëndetshëm i fëmijëve të vegjël, varet nga kujdesi që siguron shëndetin, ushqyerjen, përkujdesjen e duhur, mbrojtjen dhe sigurinë, dhe të nxënit e hershëm.

Pavarësisht arritjeve, Shqipëria ka ende mungesë të shërbimeve shoqërore për familjet dhe fëmijët në nevojë, një numër i konsiderueshëm i fëmijëve romë nuk kanë ende akses të hershëm në sistemin arsimor, dhe numri i fëmijëve në kujdesin rezidencial është ende i lartë. 

Me mbështetjen e UNICEF-it, Qeveria Shqiptare po ndërmerr një sërë ndërhyrjesh kyçe. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, po punon për të ulur numrin e fëmijëve të vendosur në institucione rezidenciale, dhe në vend të institucioneve,ajo po mbështet familjet që të kujdesen për fëmijët e tyre në shtëpi, nëpërmjet miratimit dhe zbatimit të Planit Kombëtar të Deinstitucionalizimit. Në kuadër të Reformës së Kujdesit Social, është forcuar llogaridhënia e aktorëve të ndryshëm shtetërorë, përfshirë bashkitë, për të siguruar disponueshmërinë dhe cilësinë e këtyre shërbimeve, veçanërisht për grupet më të pafavorizuara.  

Së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe partnerët e tjerë kombëtarë, si pjesë e nismës “Çdo fëmijë rom në kopsht”, brenda tre viteve, në Shqipëri janë regjistruar në kopshte dhe shkolla më shumë se njëmijë fëmijë romë. Kjo nismë, krijoi për herë të parë Klubet e Prindërve dhe Mësuesve që funksionojnë në dymbëdhjetë qarqet e Shqipërisë, ku ata punojnë për të zhvilluar plane për integrimin e çdo fëmije rom në arsimimin në fëmijërinë e hershme.  

Falë përpjekjeve të përbashkëta me Ministrinë e Drejtësisë, fëmijëve në konflikt me ligjin u jepet tashmë një mundësi e dytë, nëpërmjet masave alternative ndaj paraburgimit, përfshirë programet e prindërimit. Si rrjedhojë, prindërit dhe fëmijët e tyre kanë kontribuar në përparimin e komunitetit të tyre, nëpërmjet kujdesit për gjelbërimin në parqe, daljes vullnetare për të ndihmuar prindërit dhe fëmijët e tjerë me probleme shoqërore, promovimit të barazisë gjinore dhe kundërshtimit të dhunës në familje. Në fakt, programet e prindërimit mund të kontribuojnë vërtetë në zbatimin e ligjit të sapohartuar “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, dhe në legjislacionin për drejtësinë për të mitur, Kodin e Familjes dhe dhunën në familje.  

Antonella Scolamiero, përfaqësuese e UNICEF-it në Shqipëri, deklaroi:

“Programet e prindërimit janë të rëndësishme për forcimin e aftësive të nënave dhe baballarëve për të ofruar kujdes, arsimim dhe shëndet më të mirë për fëmijët e tyre. Investimi te familjet që kanë fëmijë, nëpërmjet masave për mbrojtjen shoqërore e ndihmon Shqipërinë të ndërtojë një shoqëri të bashkuar, ku për çdo fëmijë ofrohet kujdes në një mjedis familjar të përshtatshëm që i lejon atij/asaj të përparojë në jetë.”

 

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook