Në Ditën Botërore të Fëmijëve, UNICEF shprehet se “Fëmijët e vegjël duhet të jetojnë në një familje të dashur dhe të ngrohtë”

23 Nëntor 2021
deint
UNICEF/ALBANIA/2021/Bevis Fusha

Konferenca Kombëtare për procesin e Deinstitucionalizimit u mbajt në Shqipëri në prag të Ditës Botërore të Fëmijëve për të siguruar një nga të drejtat themelore: të drejtën e çdo fëmije për të pasur një familje. Tri vite më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u zotua se do të fillonte fazën aktive të procesit të deinstitucionalizimit në Shqipëri. Që atëherë është ndërmarrë një angazhim dhe punë e jashtëzakonshme për agjendën e të drejtave të fëmijëve. Për shembull, bashkitë e Korçës dhe Vlorës me mbështetjen e drejtpërdrejtë të UNICEF-it, morën financim shtetëror tre-vjeçar për ngritjen e shërbimeve alternative të kujdesit të fëmijëve në rrethet e tyre, gjë që ndihmoi në transformimin e institucioneve rezidenciale ekzistuese në qendra komunitare për mbështetjen e familjes dhe fëmijëve dhe kur është e mundur, në rivendosjen e fëmijëve në llojin e kujdesit familjar. Qëllimi i Konferencës ishte të bënte së bashku ekspertë të shquar të fushës, ofrues të kujdesit, punonjës socialë dhe të gjitha agjencitë qendrore dhe vendore për të shqyrtuar praktikat më të mira të disponueshme për të ndihmuar fëmijët të zhvillohen në mjedisin familjar.

Aktualisht, në Shqipëri në institucionet e kujdesit rezidencial publik jetojnë rreth 300 fëmijë dhe akoma më shumë jetojnë në institucionet rezidenciale private. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve i kanë të dy prindërit gjallë. Fatkeqësisht, vendosja e fëmijëve në institucione të kujdesit rezidencial, në pjesën më të madhe të rasteve, praktikisht në 70% të tyre, është një fenomen i shkaktuar nga varfëria dhe për rrjedhojë zgjidhjet duhet të fokusohen te forcimi i familjes dhe mbrojtjes sociale cilësore. 

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh: “Vendi ka miratuar së fundmi Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, që është në përputhje me agjendën e BE-së. Ajo përqendrohet në parandalim dhe synon të sigurojë shërbime miqësore me fëmijët për fëmijët dhe familjet e tyre. Plani i deinstitucionalizimit është pjesë e kësaj agjende. Zbatimi i planit të deinstitucionalizimit ka në qendër fuqizimin e familjes.  Për ta bërë këtë, ne mbështetemi në rolin e organizatave të shoqërisë civile për të forcuar komunikimin ndërpersonal me familjet, kryesisht në zonat rurale, sepse çdo fëmijë meriton të jetojë në një familje të dashur dhe të ngrohtë.”

“Ndërkohë që UNICEF po punon në mënyrë proaktive dhe të zellshme që të mbështesë qeverinë qendrore dhe vendore në përpjekjet e tyre për të pilotuar qasjet e reja në kujdesin alternativ për fëmijët; ne presim me padurim të shohim një përqendrim real të përpjekjeve të të gjithë aktorëve  në nivel kombëtar, për të drejtat e fëmijëve për të jetuar në një mjedis familjar” u shpreh Edina Kozma, Zëvendës Përfaqësuesja e UNICEF-it në Shqipëri.

Përfaqësuesi i delegacionit të BE-së Z. Hubert Perr theksoi rolin e rëndësishëm të punonjësve socialë që janë në qendër të reformës së kujdesit social dhe nevojën për të vepruar për interesin më të lartë të fëmijës. “Reforma e deinstitucionalizimit është për t’u përgëzuar, por duhet të veprojmë shpejt dhe të përshpejtojmë zbatimin sepse e ardhmja e fëmijëve është tani.”


Pjesëmarrësit në Konferencë diskutuan mënyrat dhe modelet më të mira të mundshme që mund të përshtaten në kontekstin vendor për të siguruar ruajtjen e bërthamës së shëndetshme të familjes dhe për të parandaluar institucionalizimin e panevojshëm të fëmijëve. Nevoja për shërbim të mirë të mirëqenies sociale dhe fuqisë punëtore u theksua sërish si elementi kyç dhe forca drejtuese në përparimin e kësaj agjende.

Synimi i Konferencës për të forcuar familjet, fuqinë punëtore në kujdesin e fëmijëve dhe për të investuar më shumë në masat parandaluese mbizotëroi mbledhjen dhe vendosi tonin për të siguruar të drejtën e çdo fëmije për t’u rritur në një mjedis familjar të dashur dhe të ngrohtë.

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook