Në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, UNICEF-i prezanton programin e ri integrimit ekonomik për të ndihmuar personat e prekur nga trafikimi në Shqipëri

03 Gusht 2020
webinar anti traffic
UNICEF/ALBANIA/2020

TIRANË, 30 korrik 2020 – Prezantimi i programit të ri-integrimit ekonomik, në mbështetje të Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit në Shqipëri, përkon me Ditën Botërore kundër Trafikimit të Personave, 30 korrik 2020, një ditë kjo e rëndësishme për të vënë në pah punën e palodhur në mbarë botën, për të adresuar dhe për të mbështetur problematikat e trafikimit të qenieve njerëzore.

Tematika e këtij viti, përqendrohet te punonjësit e vijës së pare, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të cilët kanë zgjedhur të punojnë pareshtur, për t’iu përgjigjur nevojave të viktimave, si dhe për t’i mbështetur në ditë të vështira. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për ndihmën e ofruar nga profesionistët e përfshirë në programin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore për VMT-të/VT-të në Shqipëri, si dhe kemi dëshmuar sesi, pavarësisht sfidave të vazhdueshme me të cilat duhet të përballemi, duke përfshirë COVID-19 si sfidën më të fundit, ndjenja e humanizmit nuk ka humbur.   

Viktimat e Trafikimit dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, shumica prej të cilëve fëmijë, të rinj dhe gra, vazhdojnë të vuajnë forma të shumta abuzimi, shfrytëzimi, dhune dhe stigmatizimi, shpesh nga persona të cilëve u kanë besuar verbërisht. Këto janë plagë tejet të vështira për t’u mbyllur, ndërsa rrugëtimi drejt normalitetit shpeshherë shkon krah për krah me riintegrimin dhe stabilitetin ekonomik, që përbën nismën e re të UNICEF-it, me mbështetjen e qeverisë britanike, për të ndihmuar personat e prekur nga trafikimi në Shqipëri.

Sipas Dr. Roberto De Bernardi, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, kriza ekonomike aktuale tregon nevojën për të ndërmarrë masa të ngutshme për mbrojtjen e popullsive të cenueshme, veçanërisht gratë, fëmijët dhe të rinjtë. Në prag të Ditës Botërore kundër Trafikimit, do të fillojmë një program të rëndësishëm për riintegrimin ekonomik, i cili mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës së qindra njerëzve që kanë nevojë më së shumti për ndihmën tonë.

Kriza e COVID-19 thjesht e ka përkeqësuar situaten, pasi ndikimi ekonomik është ende në fillimet e tij. Si drejtues i koalicionit, që zbaton programin kundër trafikimit të mbështetur nga Qeveria e MB-së, ditën e sotme UNICEF-i filloi një program specifik dhe të posaçëm riintegrimi për të mbijetuarit e trafikimit dhe personat në rrezik të lartë trafikimi. Nisma do të vihet në zbatim duke filluar nga muaji shtator i këtij viti dhe do të përfshijë 6 qarqe (Tiranë, Shkodër, Kukës, Dibër, Vlorë dhe Elbasan). Programi synon të:

  • Mbështesë sigurimin e aftësive joprofesionale dhe atyre të nevojshme për jetën në drejtim të punësimit dhe vetëpunësimit të suksesshëm;
  • Krijojë mundësi që njerëzit të mësojnë mbi teknologjinë  e informacionit dhe komunikimit (TIK);
  • Përfshijë Formimin Profesional në Qendrat Publike të Formimit Profesional/Këshillimit të Karrierës, si dhe, çka është më e rëndësishme, të mbështesë punësimin dhe vetëpunësimin përmes mundësive të financimit.

“Mposhtja e skllavërisë moderne nuk do të ndodhë menjëherë. Por ekziston një mundësi që ne të sjellim vërtet ndryshimin, duke luajtur gjithsecili rolin tonë.  Në Ditën Botërore Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ne ndajmë mirënjohjen tonë për punonjësit e vijës së parë, ata që punojnë në pararojë për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore duke identifikuar, mbështetur, këshilluar dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat e punës së detyruar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe të skllavërisë moderne.

Ne duhet të reagojmë bashkarisht për të ndarë informacione dhe praktikat më të mira dhe të forcojmë angazhimet dypalëshe mbi këto çështje. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimeve të tilla midis vendeve, ne mund ta mbërthejmë këtë fenomen dhe më pas të çrrënjosim skllavërinë një here e përgjithmonë.” u shpreh Shkëlqesia e tij, Z. Duncan Norman MBE, Ambasadori Britanik në Shqipëri.

Për ta realizuar këtë nismë, UNICEF-i ka bashkëpunuar me organizatën vendase ‘‘Key Advisor’’, që do të ofrojë shërbime dhe do të zbatojë programin në të 6-të qarqet e synuara.

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook