Miliona fëmijë të tjerë do të detyrohen të bëjnë punë të detyruar sipas ILO dhe UNICEF

Arritja e rënies së nivelit të punës së detyruar me 94 milionë që prej vitit 2000 është tashmë në rrezik

12 Qershor 2020
stopchildlabour
UNICEF/ALBANIA/2020

NJU-JORK/GJENEVË, 12 qershor 2020 – Sipas një dokumenti përmbledhës të ri nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe UNICEF-i, miliona fëmijë të tjerë rrezikojnë të bëjnë punë të detyruar si pasojë e krizës së COVID-19, çka mund të çojë për herë të parë në rritjen e nivelit të punës së detyruar të fëmijëve pas 20 vitesh progresi në këtë drejtim.

Sipas dokumentit të titulluar: COVID-19 dhe puna e detyruar e fëmijëve: Kohë krize, çasti për të vepruar, që prej vitit 2000, puna e detyruar e fëmijëve ka rënë me 94 milionë, por aktualisht kjo arritje është në rrezik.

Sipas raportit, fëmijët që kryejnë tashmë punë të detyruar mund të punojnë ose me orë të zgjatura ose në kushte të rënduara. Një numër në rritje i fëmijëve mund të detyrohen të kryejnë forma më të këqija të punës, çka do të dëmtojë rëndë shëndetin dhe sigurinë e tyre.

“Teksa të ardhurat e familjeve ndërpriten nga pandemia, rrugëdalja e vetme për personat pa mbështetje është puna e detyruar e fëmijëve,” - u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Guy Ryder. “Mbrojtja sociale është jetike në kohë krize, pasi iu ofron ndihmë personave më të cenueshëm. Integrimi i shqetësimeve mbi punën e detyruar të fëmijëve në politikat e gjera për arsimin, mbrojtjen sociale, drejtësinë, tregjet e punës, dhe të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe të punës, mund të sjellë ndryshime kyçe.”

Sipas dokumentit përmbledhës, COVID-19 mund të çojë drejt rritjes së nivelit të varfërisë, e rrjedhimisht drejt punës së detyruar të fëmijëve, pasi familjet do të shfrytëzojnë çdo mundësi për të mbijetuar. Sipas disa studimeve, nëse niveli i varfërisë rritet me një pikë përqindjeje, puna e detyruar e fëmijëve në vende të caktuara rritet me të paktën 0.7 për qind.

“Në kohë krize, puna e detyruar e fëmijëve shndërrohet në një mekanizëm përballimi për shumë familje,” - u shpreh Drejtorja e Përgjithshme e UNICEF-it, Henrietta Fore. “Me rritjen e nivelit të varfërisë, shkollat mbyllen dhe disponueshmëria e shërbimeve sociale bie, çka i detyron fëmijët t’i bashkohen fuqisë punëtore. Teksa rikonceptojmë botën pas COVID-19, duhet të sigurohemi që fëmijët dhe familjet e tyre i kanë instrumentet e nevojshme për të përballuar "stuhi" të ngjashme në të ardhmen. Arsimi cilësor, shërbimet e mbrojtjes sociale dhe mundësitë ekonomike më të mira mund të jenë kthesë vendimtare.”

Grupet e cenueshme të popullsisë, si personat që punojnë në ekonominë joformale dhe punonjësit migrantë, do të vuajnë më shumë nga rënia ekonomike, rritja e nivelit të informalitetit dhe papunësisë, reduktimi i standardeve të jetesës në përgjithësi, sëmundjet e paparashikuara, dhe sistemet e pamjaftueshme të mbrojtjes, ndër të tjera.

Evidencat dalëngadalë po tregojnë se me mbylljen e shkollave, si pasojë e pandemisë, puna e detyruar e fëmijëve po rritet. Mbyllja e përkohshme e shkollave aktualisht ka prekur më shumë se 1 miliardë nxënës në mbi 130 vende. Edhe kur të rifillojë mësimi, disa prindër mund të mos jenë në gjendje të përballojnë shpenzimet për t’i çuar fëmijët në shkollë.

Si rrjedhojë, një numër më i madh fëmijësh mund të shfrytëzohen për të bërë punë të rrezikshme. Sipas dokumentit përmbledhës, pabarazia gjinore mund të thellohet, çka do të thotë se vajzat mund të jenë veçanërisht të cenueshme ndaj shfrytëzimit për të bërë punë në bujqësi dhe në shtëpi.

Dokumenti përmbledhës propozon një sërë masash për të luftuar kërcënimin e rritjes së nivelit të punës së detyruar të fëmijëve, duke përfshirë mbrojtjen sociale gjithëpërfshirëse, akses më të lehtë në hua për familjet e varfra, promovimin e punës së denjë për të rriturit, masa për t’i kthyer fëmijët në shkollë, si: heqja e tarifave shkollore, si dhe më shumë burime për inspektimin e punës dhe zbatimin e legjislacionit.

ILO-ja dhe UNICEF-i po krijojnë një model simulimi për të vlerësuar ndikimin e COVID-19 mbi punën e detyruar të fëmijëve në nivel botëror. Përllogaritjet e reja botërore të punës së detyruar të fëmijëve do të publikohen në vitin 2021.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook