Më shumë se gjysmës së fëmijëve të vegjël, iu mohohet e drejta e lojës dhe veprimtarive të të nxënit të hershëm me baballarët e tyre – UNICEF

E publikuar në Ditën e Babait, që u festua ditën e diel në 80 vende, analiza e re bazohet në programin e UNICEF-it, Anketimi i Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë, që është grupi më i madh i të dhënave të krahasueshme të cilat hartëzojnë sjelljen e prin

16 Qershor 2017

NJU JORK, 16 qershor 2017 – Sipas një analize të re të UNICEF-it, më shumë se gjysma, ose 55 për qind, e fëmijëve ndërmjet moshës 3 dhe 4 vjeç në 74 vende, mesatarisht 40 milionë, nuk luajnë ose bëjnë veprimtari të të nxënit të hershëm me baballarët e tyre.

Laurence Chandy, Drejtore e të Dhënave, Kërkimeve dhe Politikave të UNICEF-it, u shpreh se: “Ajo që na tregojnë këto shifra është se baballarët hasin vështirësi për të luajtur një rol aktiv gjatë viteve të para të jetës së fëmijëve të tyre. Duhet t’i eliminojnë barrierat që i ndalojnë baballarët t’iu ofrojnë foshnjave dhe fëmijëve të tyre të vegjël një mjedis të favorshëm, ku ata të lulëzojnë, ku ka dashuri, lojëra, siguri, dhe ushqim të mirë. Duhet të sigurohemi që të gjithë prindërit kanë kohën, burimet, dhe njohuritë e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e hershëm të fëmijëve të tyre.”

Analiza e UNICEF-it, për të cilën përdoren të dhënat e Anketimit të Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) lidhur me sjelljet e prindërve, shqyrtoi faktin nëse fëmijët ndërmjet moshës 3 dhe 4 vjeç luanin, apo bënin veprimtari të të nxënit të hershëm me baballarët e tyre. Veprimtaritë përfshinin leximin ose rrëfimin e tregimeve nga baballarët, këndimin së bashku, shëtitjet, lojërat, si dhe emërtimin, numërimin dhe vizatimin. MICS-i është grupi më i madh i të dhënave të krahasueshme për sjelljen e prindërve në botë.  

Për t’i nxitur më shumë baballarët të luajnë rol më aktiv në zhvillimin e fëmijëve të tyre dhe për të nënvizuar rëndësinë e dashurisë, lojës, mbrojtjes, dhe ushqyerjes së duhur për zhvillimin e shëndetshëm të trurit të fëmijëve të vegjël, UNICEF-i këtë muaj i fton familjet të postojnë fotografi dhe video për “super baballarët”, duke përdorur hashtag-un #ÇastetEParaKanëRëndësi në llogaritë e tyre në Instagram dhe Twitter.   

Fotografitë dhe videot e ambasadorëve dhe mbështetësve të UNICEF-it, që janë marrë me fushatën do të postohen në llogaritë e UNICEF-it në Instagram dhe Twitter dhe do të vendosen në galerinë e fushatës, si një mënyrë për të nxitur familjet në të gjithë botën të ndajnë çastet me “super baballarët” e tyre. 

UNICEF-i i nxit qeveritë dhe sektorin privat që të shtojnë shpenzimet dhe të ndikojnë mbi politikat për mbështetjen e programeve të zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Këto programe synojnë që t’iu sigurojnë prindërve burimet dhe informacionet që iu nevojiten për kujdesin edukues të fëmijëve të tyre. Përparimet në neuroshkencë kanë vërtetuar se kur fëmijët i kalojnë vitet e tyre të para në një mjedis edukues dhe nxitës, mund të krijohen lidhje të reja nervore në një shpejtësi marramendëse prej 1,000 lidhjesh për sekondë. Këto lidhje ndihmojnë në përcaktimin e gjendjes së tyre shëndetësore, aftësisë së tyre, për të mësuar dhe përballuar stresin, madje dhe mund të ndikojnë në aftësinë e tyre për të fituar para si të rritur. 

Gjithashtu, hulumtimet tregojnë se ekspozimi ndaj dhunës dhe mungesa e nxitjes dhe kujdesit mund të pengojnë realizimin e lidhjeve nervore, dhe se kur fëmijët bashkëveprojnë në mënyrë 

pozitive me baballarët e tyre, ata kanë shëndet psikologjik dhe vetëvlerësim më të mirë, dhe janë më të kënaqur nga jeta për një kohë më të gjatë.  

Seritë e Lancet-it për Zhvillimin në fëmijërinë e hershme: nga shkenca te zbatimi në shkallë të gjerë, publikuar në tetor të vitit 2016, treguan që përafërsisht 250 milionë fëmijë nën moshën pese vjeç rrezikonin të kishin zhvillim të dobët për shkak të varfërisë së skajshme. Seritë zbuluan gjithashtu se programet të cilat promovojnë kujdesin edukues, përfshirë këtu shëndetin, ushqyerjen, kujdesin reagues, sigurinë dhe mbrojtjen, dhe të nxënit e hershëm, mund të kushtojnë deri në 50 cent për frymë në vit, kur ndërthuren me shërbimet ekzistuese të shëndetit. 

UNICEF-i bashkëpunon me qeveritë, shoqërinë civile, profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe sektorin privat për të mbështetur familjet dhe komunitetet dhe për të rritur aksesin ndaj kujdesit dhe arsimimit cilësor në fëmijërinë e hershme. 

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook