Letër e hapur për anëtarin e ardhshëm të Parlamentit të Shqipërisë

Të drejtat e Fëmijëve ne zemër të axhendës politike

22 Prill 2021
upshift
UNICEF/ALBANIA/2021

I/E nderuar deputete e ardhshme e Kuvendit të Shqipërisë,

Së shpejti, ju mund të jeni një prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me një rol sublim mbi supe: të përfaqësoni elektoratin tuaj në të gjitha diskutimet e rëndësishme ligjore dhe politike për katër vitet e ardhshme, si dhe të ngrini lart zërin tuaj për të mbrojtur interesin e komuniteteve dhe familjeve shqiptare, apo të shumë  burrave dhe grave që ju kanë besuar votën.

Fëmijët, djem e vajza, ndonëse pa të drejtë vote, përbëjnë një të tretën e popullsisë shqiptare dhe janë një pjesë mjaft e rëndësishme e elektoratit. Prandaj, Save the Children, Terres des hommes, UNICEF dhe World Vision dëshirojnë të sjellin në vëmendjen tuaj çështje mjaft kritike lidhur me avancimin e axhendës për të drejtat e fëmijëve.

Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992, parashtron parimet dhe standardet e së drejtës për arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie, siguri sociale, mbrojtje nga abuzimet, trajtimet e padrejta dhe shfrytëzimi, si dhe të së drejtës për t’u dëgjuar. Progresi dhe arritjet e Shqipërisë lidhur me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve për arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, drejtësi dhe mjedis të ngrohtë familjar pa dhunë kanë qenë mjaft mbreslënëse. Hap pas hapi, pjesëmarrja e fëmijëve po transformohet nga përpjekje e pastër në praktikë pune. Tashmë më të informuar për të drejtat e tyre, vetë fëmijët kanë filluar të flasin hapur dhe të ngrihen për të drejtat e tyre.

“Jetojmë në një vend demokratik, ndaj të drejtat e fëmijës duhen respektuar. Në të kundërt të zbatohet ligji. Në komunitetin tonë ka disa shkelje të të drejtave të fëmijëve” nga një vajzë 14-vjeçare.

Megjithatë, rrugëtimi i përmbushjes së angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me fëmijët është plot me të përpjeta, sidomos tani përballë krizës së Covid-19, e cila po kërcënon dhe po dobëson strukturat zyrtare dhe jozyrtare – institucionet, komunitetet, familjet dhe fëmijët. Pa masa të mirëmenduara dhe të mirëfinancuara, pasojat që kjo pandemi mund të ketë në të tashmen dhe në të ardhmen e përbashkët të fëmijëve mund të jenë të rënda.

Fëmijët dhe familjet e tyre përballen me sfida të shumta, por këto sfida bëhen edhe më të mprehta për ata fëmijë që jetojnë në zona të nënshërbyera dhe peri-urbane. Bazuar në konsultimet e zhvilluara me grupet e fëmijëve nga zona gjeografike dhe formime të ndryshme, është vënë re se diskriminimi, pabarazia dhe varfëria mbeten ende faktorët kryesorë të përjashtimit social që përjetojnë jo vetëm ata vetë, por edhe familjet e tyre. Shumë prej tyre shprehen se iu mungojnë shërbimet jetike. Jo pak mendojnë se zëri i tyre nuk dëgjohet dhe se mendimi i tyre nuk merret parasysh lidhur me çështje që i interesojnë.

“Të gjithë fëmijët janë të barabartë dhe gëzojnë të drejta të barabarta, e prapë disa kanë kushte më të mira se shumë të tjerë. Ata (liderët/qeveria) nuk duhet t’i diskriminojnë, por duhet t’i ndihmojnë (fëmijët) nëse kanë mundësi... Ata mund ta vendosin veten e tyre në vendin e fëmijëve, edhe për një herë të vetme dhe të shohin lotët e jetimëve, të pastrehëve, të të varfërve që lypin në rrugë për të nxjerrë bukën e gojës” nga një vajzë 15-vjeçare.

Fëmijët mendojnë se dhuna është përhapur kudo në familje, shkolla dhe komunitete. Ata janë të shqetësuar për faktin se gjuha e armiqësisë, urrejtjes dhe dhunës po kthehet në model që po mbizotëron diskutimet publike në televizion dhe në media të tjera, duke e promovuar dhunën si zgjidhjen e vetme të konflikteve apo mosmarrëveshjeve.

Ne besojmë se si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Shqipërisë, ju mundeni dhe do të bëni ndryshimin duke ngritur zërin tuaj dhe duke dhënë ndihmesën tuaj në hartimin, rishikimin dhe miratimin e politikave apo buxheteve që i shërbejnë më mirë mirëqenies së fëmijëve. Kuvendi i Shqipërisë ka treguar vullnet politik, bashkëpunim dhe lidership të pashoq në të kaluarën lidhur me avancimin e axhendës për të drejtat e fëmijëve duke ngritur Grupin Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” në formën e “një grupimi vullnetar deputetësh, pa dallim bindjeje apo përkatësie politike, me misionin për të promovuar nismat dhe veprimet shtetërore në mbështetje dhe mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”. Ky grup luan rol të spikatur në marrjen e masave ligjore dhe në hartimin e politikave dhe programeve për të drejtat e fëmijëve, si dhe në forcimin e kontrollit parlamentar mbi institucionet shtetërore dhe të pavarura lidhur me respektimin e këtyre të drejtave.

Ne besojmë se zëri dhe ndihmesa juaj do të jenë thelbësore për avancimin e politikave dhe advokimin e buxheteve të përshtatshme për të siguruar:

  • Qasje në shërbime cilësore dhe të kënaqshme lidhur me shëndetësinë dhe ushqyerjen, si dhe vënien në dispozicion të vaksinave për çdo fëmijë në Shqipëri
  • Arsimimin e të gjithë fëmijëve, duke sheshuar pabarazitë dixhitale
  • Parandalimin e varfërimit të fëmijëve dhe familjeve dhe rimëkëmbjen gjithëpërfshirëse
  • Dyfishimin e përpjekjeve për të parandaluar viktimizimin e fëmijëve nga çdo formë dhune, abuzimi dhe shfrytëzimi, përfshi edhe sigurinë online
  • Trajtimin e çështjeve lidhur me degradimin mjedisor

Përmes kësaj letre duam t’ju shprehim edhe njëherë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm. Ne do të vijojmë të japim të dhëna, prova dhe mbështetje për çdo zgjidhje për avancimin e të drejtave të fëmijëve. Por, më kryesorja është t’i shihni fëmijët si partnerë dhe agjentë të çmuar të ndryshimit në familje, komunitete dhe shkolla.

Ju urojmë suksese në përpjekjen tuaj kaq domethënëse për fëmijët dhe familjet e mbarë Shqipërisë!

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook