Fushata #TëBesoj e UNICEF për ndalimin e Abuzimit Seksual të Fëmijëve në Shqipëri lançohet në qytetin e Fierit

19 Shkurt 2021
fieri
UNICEF/ALBANIA/2021

Fier, 18 Shkurt 2021 – Fushata kombëtare #TëBesoj e UNICEF Shqipëri është lançuar në qytetin e Fierit. Instalacioni prej rreth 50 siluetash fëmijësh, secila me një histori reale të abuzimit seksual të ndodhur në Shqipëri është vendosur në parkun qendror pranë Galerisë së Arteve të qytetit dhe do të qendrojë aty për dy javë duke nisur nga kjo datë.

 “Isha 11 vjeç kur…më dhunuan seksualisht. Sot kam frike se nuk jam e virgjër dhe mendoj për probleme që do të më sjellë ky fakt. Mu deshën 8 vjet ta ndaj këtë ngjarje me dikë... deri më sot, nuk i kisha treguar njeriu”

“Isha 12 vjeç...kur një burrë më i madh në moshë se unë më abuzoi seksualisht, dhe që prej asaj kohe kam probleme me seksualitetin. M'u deshën 12 vjet që të flas me dikë.”.

Këto dhe historitë e tjera të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, të treguara në këtë instalacion, synonjnë të demonstrojnë që fenomeni i Abuzimit Seksual të Fëmijëve është shumë here më i përhapur dhe shkatërrues sesa mendohet, ndodh në sy të gjithëve dhe kërkon një ndërhyrje proaktive të menjëhershme.

Sipas Policisë së Shtetit, 60% e rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është nga rrethi i besimit të fëmijës, ndërsa në 1/3 e rasteve është pjesëtar i familjes (Raporti Medialook, 2019). Për më shumë, studimi i UNICEF “Nje klikim Larg” mbi eksperiencën e fëmijëve online sygjeron që një në dhjetë fëmijë raporton të paktën një përvojë të padëshiruar seksuale në internet, e iniciuar kryesisht nga një person i njohur nga fëmija.

Për ta adresuar këtë dukuri dhe për t’i dhënë fund Abuzimit Seksual në vend, UNICEF Shqipëri mirëpriti në këtë aktivitet Nënkryetaren e Bashkisë së Fierit znj. Enkelejda Peshkëpia.

“Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam ti japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne! Të gjitha historitë janë reale dhe i kanë ndodhur fëmijëve në Shqipëri, ndaj dhe ne kemi vetëm një mesazh të qartë për të gjithë - Na besoni, dhe na ndihmoni t'i japim fund dhunës", tha në fjalën e saj hyrëse znj. Edina Kozma, Zv/Përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri.

Nënkryetarja e Bashkisë së Fierit znj. Enkelejda Peshkëpia në adresimin e tij ndaj fenomenit theksoi se “Të gjithë bashkë duhet të bëhemi një zë dhe krah njëri tjetrit për ti thënë stop këtij krimi të shëmtuar që lë gjurmë të thella. Interesi më i lartë i fëmijës është parimi që na udhëheq në punën tonë të përditshme, me qëllim fuqizimin dhe ngritjen e strukturave të reja në ndihmë të identifikimit, referimit dhe parandalimit të rasteve të fëmijëve jo vetëm viktima të dhunës sekuale, por të të gjitha formave të tjera të dhunës”.

Qyteti i Fierit bëhet qyteti i nëntë në vend pas Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Beratit, Korçës, Lezhës, Elbasanit dhe Pogradecit që i bashkohet fushatës #TëBesoj duke kontribuar në angazhimin e UNICEF për ti dhënë fund këtij krimi të shëmtuar. 

Objektivat e fushatës janë: ndërgjegjësimi mbi problematikën e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijës; nxitja e kulturës së ngritjes së zërit dhe raportimit kundër kësaj dukurie; inkurajimi i autoriteteve për politika dhe veprime konkrete.

Mbledhja e historive, u zhvillua brënda disa javësh në sajë të mbështetjes dhe bashkëpunimit të ngushtë të Nisma ARSIS, Fondacionit “Together Albania”, si dhe Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijët “Alo 116”.

Të dhëna mbi instalacionin:

#TëBesoj është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri. Pas çdo siluete, fshihet historia e një fëmijë të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook