Faktori Web: Vlerësimi i kuadrit ligjor dhe gatishmërisë institucionale për trajtimin e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në hapësirën kibernetike në Shqipëri

11 Shtator 2019
web_factor_2019
UNICEF/Albania

Studimi i autorizuar nga UNICEF-i, “Web Factor” (Faktori Web), është i pari i llojit të tij dhe bën  një vlerësimin gjithëpërfshirës të mënyrës se si sistemi shqiptar i mbrojtjes së fëmijës trajton abuzimin e fëmijëve në internet. Ky studim, hedh dritë mbi hendeqet ekzistuese kritike në kuadrin kombëtar ligjor ,si dhe zbulon të metat institucionale që pengojnë parandalimin, identifikimin dhe menaxhimin efikas të rasteve të abuzimit të fëmijëve në internet.

 

Raporti nxjerr në pah se:

  • Megjithëse legjislacioni shqiptar në tërësi përputhet me të gjitha standardet ndërkombëtare përkatëse mbi abuzimin seksual të fëmijëve, ai është shpesh i fragmentuar dhe i mungojnë përkufizime shumë të rëndësishme lidhur me abuzimin seksual të fëmijëve, angazhimin dhe detyrimin e tyre në aktivitete seksuale dhe në aktivitete të tjera të pahijshme;
  • Sipas rekomandimit të Komitetit të Konventës së Kombeve ë Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (KDF), mosha e pëlqimit seksual, që në përgjithësi është përcaktuar 14 vjeç në Shqipëri, është e ulët;
  • Parimi i mbrojtjes nga materialet e dëmshme dhe të paligjshme në internet pengohet nga dy faktorë: (1) përkufizimi i materialit të dëmshëm është shumë i përgjithshëm, dhe lë shumë hapësirë për gjykim individual, dhe (2) mungesa e përkufizimeve të qarta të shfrytëzimit të fëmijëve në aktivitete seksuale e bën të vështirë identifikimin e akteve të paligjshme;
  • Legjislacioni shqiptar lidhur me Ofruesit e Shërbimit të Internetit është i paqartë për sa i përket ngarkimit të autoriteteve administrative me kompetencat e bllokimit ose heqjes së materialeve. Kjo i pengon këto autoritete që t’i kuptojnë qartë rolet dhe funksionet e tyre, dhe që të kenë mekanizmat për ushtrimin e tyre. Në këtë fushë nevojitet legjislacion i qartë lidhur me kompetencat dhe procedurat ekzakte të autoriteteve administrative.
  • Aktualisht, nuk ka të dhëna specifike të mbledhura dhe të publikuara për abuzimin e fëmijëve në internet. Deri më sot, nuk ka pasur diskutime ose marrëveshje ndërmjet aktorëve përkatës se si të vlerësojnë dhe raportojnë mbi rreziqet në internet dhe reagimet ndaj tyre.
  • As policia dhe as prokuroria nuk janë plotësisht të pajisura me infrastrukturën e duhur për hetimin efikas të rasteve të abuzimit të fëmijëve në internet. Njësia e krimit kibernetik raporton për një mungesë mundësish për kryerjen e mbikëqyrjes aktive online, duke cenuar aftësinë e tyre për të filluar hetimet ex officio dhe proaktive.
  • Mungesa e reagimit të shpejtë nga Ofruesit e Shërbimit të Internetit ndaj kërkesave të prokurorisë, si dhe vështirësitë në identifikimin e adresave IP të kundërvajtësve të pretenduar, ndikojnë në mënyrë shqetësuese në cilësinë dhe efikasitetin e përgjithshëm të hetimit, dhe rrjedhimisht edhe në mundësinë për t’i vënë autorët para përgjegjësisë.
  • Asnjë prej Njësive të Mbrojtjes së Fëmijës, të arritura nëpërmjet vlerësimit aktual, nuk është mbështetur për adresimin e rasteve të abuzimit të fëmijëve në internet.

 

Këto dhe shumë gjetje të tjera të rëndësishme, të nxjerra nga raporti, do ta shtyjnë Shqipërinë të marrë hapa proaktivë dhe të adresojë dëmin dhe mbrojtjen e fëmijëve si online ashtu edhe offline.

 

Ky studim, është përgatitur së bashku me “Shapo Consulting” në kuadër të programit “Internet i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri”, i mbështetur nga Fondet to Fondi për t’i Dhënë Fund Dhunës ndaj Fëmijëve.

 

 

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook