Fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen që duan.

Mbi 10,000 fëmijë dhe të rinj marrin pjesë në një konsultim, për të formësuar hartimin e Strategjive të ardhshme të BE-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe për Garancitë e Fëmijëve.

25 Shkurt 2021
speak
UNICEF/ALBANIA/2021

Opinionet e fëmijëve dhe të rinjve mund të luajnë një rol më të rëndësishëm në politikëbërje në të ardhmen e afërt. Një grup prej pesë organizatash që punojnë për të drejtat e fëmijëve ndërmorën një anketim dhe konsultim online me fëmijët, si edhe hartimin e një raporti. Me anë të opinioneve të dhëna nga vetë fëmijët, do të lehtësohet hartimi i Strategjisë së BE-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe Garancitë e Fëmijëve. Kontributet e fëmijëve do të jenë kështu një ndihmë e drejtpërdrejtë në formësimin dhe përcaktimin e prioriteteve për të dyja nismat. Ky anketim është nismë e Komisionit Evropian, i cili ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me pesë agjenci për të drejtat e fëmijëve.

“Ky konsultim me fëmijët përbën një ndryshim në rrjedhën e “lojës” për ne të Komisionit Evropian dhe një hap të rëndësishëm drejt pjesëmarrjes më të madhe të fëmijëve. Fëmijët janë ekspertë për çështjet që i shqetësojnë vetë ata dhe ky konsultim provon edhe një herë se fëmijët janë tashmë aktorë të rëndësishëm të këtij momenti. Roli ynë është t’i aftësojmë të gjithë ata që t’i ndriçojnë shtigjet e tyre drejt rrugës për t’u bërë drejtues të së ardhmes. Prandaj, në vitin 2021, pjesëmarrja, barazia dhe përfshirja janë parimet udhërrëfyese për të dyja strategjitë e BE-së, të asaj për të Drejtat e Fëmijëve dhe për Garancitë e Fëmijëve. Ne duhet, dhe do të garantojmë që të gjithë fëmijët të kenë të njëjtat mundësi në fillimet e jetës së tyre dhe të lulëzojnë në këtë botë, të lirë nga frika dhe varfëria” u shpreh Zv. Presidentja e Komisionit Evropian, Dubravka Šuica.

“Ky në vetvete është një raport historik, pasi është hera e parë që kaq shumë fëmijë dhe të rinj kanë pasur mundësinë të ndikojnë në formësimin e politikave të BE-së. Ky konsultim nuk mund të vinte në një kohë më të mirë se kjo, kur fëmijët po përballen me pasojat psikologjike dhe praktike të pandemisë COVID-19, duke iu dashur të përshtaten me një realitet të ri për vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për të ardhmen e tyre, ndaj në vendimet që do të merren nga BE-ja mes gjithë opinioneve duhet të dëgjohen më shumë opinionet të fëmijëve,” pohuan përfaqësuesit e ChildFund Alliance, Eurochild, Save the Children, UNICEF dhe World Vision. 

Komisioneri Evropian për Punësimin dhe të Drejtat Sociale, Nicolas Schmit u shpreh: “Teksa përballemi me pasojat social-ekonomike të pandemisë Covid-19, nuk duam thjeshtë t’i mbrojmë fëmijët tanë, por duam edhe të investojmë tek ata, në mënyrë që të kenë nisjen më të mirë të mundshme të jetës së tyre dhe të mund të lulëzojnë. Dhe kush më mirë se vetë fëmijët mund të na tregojnë rreth vështirësive me të cilat ata vetë po përballen. Unë e mirëpres me shumë ngrohtësi frymën e këtij konsultimi dhe jam mirënjohës ndaj mijëra fëmijëve që na kanë dhënë sugjerimet e tyre. Zëri juaj po dëgjohet.”

“Si politikëbërës, na duhet të sigurohemi që strategjitë tona mund të bazohen te përvojat e të gjithë qytetarëve. Zhvillimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për të drejtat e fëmijëve duhet të përfshijë të gjitha fushat, që nga shëndeti (duke përfshirë shëndetin mendor), përfshirja sociale, arsimi, drejtësia miqësore me fëmijët, fëmijët në migrim dhe pjesëmarrja në proceset demokratike. Rëndësi shumë të madhe ka të dëgjuarit e zërit të fëmijëve rreth këtyre temave. Prandaj, ky konsultim është kaq i vlefshëm dhe do të ndihmojë në mbështetjen e Strategjisë së BE-së për të Drejtat e Fëmijëve,” u shpreh Didier Reynders, Komisioneri  Evropian për Drejtësi. 

“Fëmijët janë qytetarë që gëzojnë të drejta të plota. Është me rëndësi të madhe t'u japim fëmijëve zë dhe të pranojmë se ata mund të thonë fjalën e tyre për të formuar të ardhmen e Evropës.  Jam jashtëzakonisht i kënaqur që Strategjia e parë e ardhshme gjithëpërfshirëse e BE-së për të Drejtat e Fëmijëve i vendos fëmijët në qendër, dhe ky konsultim është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Është përgjegjësia jonë si politikanë, t’u japim të gjithë fëmijëve një mundësi reale për të arritur potencialin e tyre të plotë dhe të lulëzojnë në çdo mjedis, duke mos lënë pas askënd,” u shpreh David Lega Eurodeputet, Bashkëkryetar i Grupit të Parlamentit Evropian për të Drejtat e Fëmijëve.  

Gjetet kryesore të anketimit:

Pandemia COVID-19 i ka shtyrë fëmijët dhe të rinjtë në Evropë drejt një gjendjeje stresi dhe pasigurie. Një në pesë fëmijë në BE, të cilët iu përgjigjën anketimit, raportuan se ndjejnë një rritje të pakënaqësisë dhe të ankthit për të ardhmen, siç u tregua sot nga një studim i ri i kryer nga  ChildFund Alliance, Eurochild, Save The Children, UNICEF dhe World Vision. 

Për raportin, "Evropa jonë. Të drejtat tona. E ardhmja jonë,” u konsultuan më shumë se 10,000 fëmijë dhe të rinj të moshave midis 11 dhe 17 vjeç nga brenda dhe nga jashtë Evropës.
Raporti solli edhe gjetje të tjera të qarta: 

  • Pothuajse 1 në 10 fëmijë që u konsultuan për raportin, u identifikuan se jetonin me probleme të shëndetit mendor ose me simptoma të tilla si depresioni dhe ankthi. Vajzat e anketuara ishin shumë më tepër të rrezikuara se sa djemtë. Gjithashtu, edhe fëmijët më të rritur raportuan nivele më të larta të problemeve se sa më të vegjlit; 
  • Një e treta e fëmijëve të anketuar kanë përjetuar diskriminim dhe përjashtim;
  • Kjo përqindje u rrit deri në 50%, për fëmijët me aftësi të kufizuara, migrantët, minoritetet etnike ose ata që identifikohen si pjesë e  komunitetit LGBTQ+; 
  • Tre çereku i fëmijëve të konsultuar ndihen të lumtur në shkollë, por 80% e 17 vjeçarëve të anketuar ndjenin se arsimi që u ofrohet nuk i përgatit ata mirë për të ardhmen;
  • Pjesa më e madhe e fëmijëve të konsultuar do të dëshironin të bënin ndryshime në jetën e tyre shkollore: 62% e të intervistuarve do të dëshironin të kishin më pak detyra shtëpie, dhe 57% e të anketuarve do të dëshironin të bënin mësime më interesante. Pothuajse një e treta e të intervistuarve do të dëshironin të kishin ndikim në përmbajtjen e kurrikulës shkollore, me më shumë aktivitete sportive (33 %), më shumë mësime rreth të drejtave të fëmijëve (31 %) dhe më shumë lëndë për artin (31%). Megjithatë, pothuajse të gjithë të intervistuarit kishin dëgjuar për të drejtat e fëmijëve; 
  • 88 % e fëmijëve dhe të rinjve të konsultuar ishin në dijeni të ndryshimeve të klimës dhe ndikimit të saj në komunitet, 8 % ishin disi të informuar dhe 4 % ishin të pasigurt.

Gjeni në linqet e mëposhtme dy dokumentat e përgatitur nga katër organizatat vendase në lidhje me procesin e konsultimit të strategjisë:

Raporti i Shqipërisë mbi diskutimet në grupe të fokusuara me fëmijë dhe të rinj, gjatë fazës së konsultimit për zhvillimin të Strategjisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat e Fëmijës (mars 2021)

Dokument politikash: Fëmijët informojë Strategjinë Evropiane për të Drejtat e Fëmijës  (mars 2021)

 

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook