Fëmijët janë në rrezik më të madh nga mbipërdorimi i internetit, gjatë pandemisë të COVID-19 – paralajmëron UNICEF

18 Prill 2020
safe online
UNICEF/ALBANIA/2020

Mosha mesatare kur fëmijët shqiptarë fillojnë të përdorin Internetin është 9.3 vjeç, ndërsa vajzat dhe djemtë e brezave më të rinj kanë gjasa më të larta që të fillojnë më herët, rreth moshës 8 vjeç ose më të vegjël – tregon raporti i ri i UNICEF-it. Tashmë që shkollat janë mbyllur dhe duhet të zbatohet distancimi social, fëmijët dhe të rinjtë po përdorin më shumë se kurdoherë zgjidhjet digjitale për të ndjekur mësimin nga shtëpia dhe për t’u socializuar. Kjo gjë i bën ata më të cenueshëm nga abuzimi seksual, dhuna dhe bullizmi.

Raporti Një klikim larg:  Përvoja e përdorimit të internetit nga fëmijët në Shqipëri, tanimë i disponueshëm në gjuhën shqipe, u botua në kohën e duhur, teksa përpiqemi të adresojmë efektet e padëshirueshme të masave të ndërmarra për kontrollimin e pandemisë së COVID-19 dhe po përballemi me shtimin e konsiderueshëm të mjeteve online dhe përdorimit të internetit nga fëmijët. Raporti paraqet pikëpamjet dhe përvojat e fëmijëve të moshës 9 deri në 18 vjeç në vend dhe thekson disa prej rreziqeve online që hasin fëmijët dhe të rinjtë.
Pavarësisht përfitimeve, përdorimi internetit mbart rreziqe për fëmijët. Raporti nënvizon se 14 për qind e fëmijëve kanë kaluar përvoja të pakëndshme në internet; një në katër fëmijë raporton se ka pasur të paktën një kontakt online me dikë të cilin nuk e ka takuar kurrë ballë për ballë; Përgjithësisht, fëmijët ekspozohen ndaj përmbajtjes seksuale në internet në mënyrë të pavullnetshme, nëpërmjet dritareve kërcyese (pop-ups).

Në të njëjtën kohë, më shumë se gjysma e fëmijëve raportuan se kanë parë përmbajtje seksuale në internet me dëshirën e tyre. Vetëm një përqindje e ulët, kryesisht fëmijë në moshë të vogël, ishin shqetësuar pasi kishin parë përmbajtje seksuale, ndërsa shumica ishin indiferentë ose të kënaqur. Ekspozimi ndaj formave të rreziqeve online rritet me moshën. Gjithashtu, në shumicën e rasteve, djemtë kanë më shumë gjasë të ekspozohen ndaj rreziqeve online krahasuar me vajzat, megjithëse vajzat raportojnë shqetësim më të madh nga përvoja të tilla.
Nga ana tjetër, janë dhe personat që e kanë përdorur dhe ende përdorin internetin me qëllim për të cenuar privatësinë, sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë. Nga të dhënat e besueshme të marra nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe organizatat e mbikëqyrjes së internetit  është parë se rreziqet dhe rastet e abuzimit të fëmijëve onlinë janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, gjë që tregon se përndjekësit seksualë janë veçanërisht aktivë gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, ne kërkojmë nga prindërit, kujdestarët, punonjësit e mirëqenies së fëmijëve, mësuesit, madje dhe nga vetë fëmijët, që të tregohen më vigjilentë. Pajisjet që mundësojnë akses në Internet, si telefonat celularë, tabletat dhe kompjuterët, veçanërisht ato të lidhura online në rrjete pak ose aspak të mbrojtura, nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme.

UNICEF, së bashku me partnerët e saj, Partneriteti Global për t’i Dhënë Fund Dhunës ndaj Fëmijëve, Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën(UNESCO), Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Aleanca Globale WePROTECT, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondacioni Botëror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Fëmijët, do të publikojë një udhëzues teknik me qëllim nxitjen e qeverive, industrive të TIK, arsimtarëve dhe prindërve për të qenë më të vëmendshëm, për të ndërmarrë masa urgjente për të zbutur rreziqet e mundshme, dhe për të siguruar që përvoja e fëmijëve online do të jetë e sigurt dhe pozitive gjatë pandemisë së COVID-19.
Bazuar në gjetjet kyçe të raportit Një klikim larg:  Përvoja e përdorimit të internetit nga fëmijët në Shqipëri – zyra e UNICEF -it ne Shqipëri, ka shtuar numrin e ndërhyrjeve mbrojtëse të synuara për të garantuar mirëqenien e fëmijëve online.

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook