Deklaratë nga Henrietta Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF, mbi ndërprerjen e imunizimit dhe shërbimeve kryesore shëndetësore si pasojë e pandemisë së COVID-19

27 Mars 2020

NJU JORK, 26 mars 2020: Pandemia e COVID-19 po mbingarkon shërbimet shëndetësore në të gjithë botën, kjo pasi punonjësit e shëndetësisë e kanë kanalizuar mbështetjen e tyre te reagimi ndaj situatës.

Distancimi fizik po i detyron prindërit të marrin vendimin e vështirë për shtyrjen e imunizimit të radhës.

Sasitë e produkteve mjekësore janë të kufizuara dhe zinxhirët e furnizimeve janë nën një trysni si kurrë më parë për shkak të mosfunksionimit të shërbimit të transportit. Anulimet e fluturimeve dhe kufizimet tregtare nga ana e shteteve ka kufizuar në mënyrë të konsiderueshme aksesin në medikamente, duke përfshirë vaksinat.

Me përhapjen e pandemisë, ekziston mundësia e ndërprerjes së shërbimeve thelbësore që shpëtojnë jetën, duke përfshirë imunizimin, në vendet ku ato janë tejet të nevojshme, veçanërisht në Afrikë, në Azi dhe në Lindjen e Mesme.

Më të rrezikuar janë fëmijët që vijnë nga familjet më të varfra të shteteve të prekura nga konfliktet dhe katastrofat natyrore.

Jemi veçanërisht të shqetësuar për shtetet të cilat teksa luftojnë kundër epidemisë së fruthit, kolerës dhe poliomielitit, u duhet të përballen edhe me rastet e COVID-19, si Afganistani, Republika Demokratike e Kongos, Somalia, Filipine, Siria dhe Sudani i Jugut. Këto epidemi jo vetëm që do të rëndonin shërbimet shëndetësore tashmë të mbingarkuara, por do të shkaktonin vdekje dhe vuajtje të mëtejshme. Në momente të tilla, këto shtete nuk do të mund të përballonin epidemi të tjera nga sëmundje që parandalohen nga vaksinat.

Mesazhi që duam të përcjellim është i qartë: Nuk duhet të lejojmë kurrsesi që ndërhyrjet shëndetësore jetëshpëtuese të dështojnë gjatë përpjekjeve tona për të luftuar COVID-19.

UNICEF-i zotohet të mbështesë kujdesin bazë shëndetësor dhe nevojat për imunizim në shtetet më të prekura, gjithmonë duke minimizuar riskun e transmetimit të COVID-19. Ne po punojmë fort për të siguruar furnizimet e nevojshme me vaksina në vendet në nevojë. Kontaktet me furnizuesit globalë të vaksinave janë të vazhdueshme, pasi qëllimi ynë është të garantojmë vazhdimësinë e prodhimit dhe menaxhimin e furnizimit në mënyrën më të mirë të mundshme në këto rrethana të vështira. Përpos kësaj, ne u kemi ofruar qeverive mbështetjen tonë për të mos lejuar ndërprerjen e furnizimit me vaksina gjatë kësaj pandemie.  

Ekziston mundësia që gjatë ditëve në vijim, qeveritë të shtyjnë përkohësisht fushatat parandaluese të vaksinimit në masë në disa vende, për të siguruar se ofrimi i shërbimeve të imunizimit të mos kontribuojë në përhapjen e COVID-19, si dhe ndjekjen e rekomandimeve për distancimin fizik.

Një rekomandim i rëndësishëm i UNICEF është ndërmarrja e menjëhershme e një planifikimi rigoroz nga ana e të gjitha qeverive, me qëllim shtimin e aktiviteteve të imunizimit sapo pandemia e COVID-19 të jetë nën kontroll. Këto aktivitete mbi vaksinimin duhet të përqendrohen te fëmijët që nuk do të mund të marrin dozën e vaksinës gjatë kësaj periudhe ndërprerjeje, duke iu dhënë përparësi fëmijëve më të varfër dhe më të cenueshëm. Për të shpërndarë me sukses vaksinat kundër COVID -19 pasi ato të jenë të disponueshme, ne duhet të sigurohemi që programet tona të imunizimit të mbeten të qëndrueshme dhe të mund të mbulojnë ata që do të kenë nevojë më së shumti për këto vaksina.   

Imunizimi vijon të mbetet një ndërhyrje shëndetësore jetëshpëtuese. Si blerësi dhe furnizuesi më i madh global i vaksinave, UNICEF-i do të vazhdojë të luajë një rol kryesor në mbështetjen e përpjekjeve aktuale dhe të ardhshme të qeverive kundrejt imunizimit.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook