Deklaratë e UNICEF Dhuna kundër fëmijëve, vajzave, grave, por edhe dhuna në përgjithësi, duhet dhe mund të parandalohet! Interesi më i mirë i fëmijës mbi të gjitha!

05 Qershor 2020
violence
UNICEF/ALBANIA/2020

Ngjarjet e ditëve dhe javëve të fundit na kanë tronditur të gjithëve. Kjo nuk është pandemia e Covid-19, por pandemia e dhunës ndaj fëmijëve, djemve, vajzave dhe grave. UNICEF shpreh shqetësim të thellë për abuzimin fizik, emocional dhe seksual të fëmijëve dhe grave, që fatkeqësisht është rrënjosur kaq thellë në Shqipëri, sa nuk po e çrrënjosim dot.

 Vërtetë dhuna është pandemi dhe dukuri globale, por kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim për ta anashkaluar, e aq më pak si arsye për të mos e kundërshtuar. Përtej ndikimit të llahtarshëm që ka te individët, çdo formë dhune lë plagë të rënda dhe afatgjata te familjet, komunitetet dhe shoqëritë, duke sjellë kosto domethënëse ekonomike dhe sociale për vendet. 

Subjekt i vrasjeve për motive gjinore, abuzimit seksual, përdhunimit, ngacmimit në komunitete, institucione dhe hapësira publike janë kryesisht vajzat. Ka ardhur ora që t’i kujtojmë vetes disa detyrime dhe parime bazë: 

  1. Çdo qeveri e cilitdo vend qoftë, apo shtet palë i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave dhe traktateve të tjera për të drejtat e njeriut, është i detyruar me ligj që t’i zbatojë ato, duke alokuar burimet e nevojshme;
  2. Çdo institucion, zyrtar shteti, profesionist apo person i autorizuar që punon me fëmijët, duhet t’i njohë mirë detyrimet dhe të zbatojë detyrimet ligjore dhe morale për t’i raportuar rastet e dhunës sa më shpejt të jetë e mundur;
  3. Çdo formë dhune kundër fëmijëve, veçanërisht nëse kryhet nga një i rritur që supozohet që t’i mbrojë ato, duhet trajtuar menjëherë. Autorët duhen ndjekur penalisht dhe të mbijetuarave të dhunës iu duhet ofruar kujdes dhe ndihmë;
  4. Në asnjë rrethanë tragjedia e shkaktuar nga dhuna, veçanërisht kur kryhet kundër fëmijëve, nuk duhet kthyer në burim riviktimizimi, abuzimi të mëtejshëm apo spekulimi.

Të gjitha pikat e mësipërme theksohen jo vetëm në konventat dhe traktatet ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin shqiptar.

Fatkeqësisht, sistemi i zbatimit ka dështuar dhe asnjë nga ne, përfshi edhe UNICEF, nuk kemi qenë aq të shpejtë dhe të saktë sa duhet në ofrimin e shërbimeve. Për të trajtuar nevojat për forcimin e reagimit të përbashkët dhe parandalimit, UNICEF propozon:

  1. Të bëhet thirrje për dialog të hapur, profesional dhe konstruktiv me të gjithë personat përgjegjës, për t’i bërë të kuptojnë shkoqur të gjitha ato pika ku sistemi i mbrojtjes së fëmijës i ka lënë në baltë fëmijët tanë!
  2. Të ofrohet mbështetje për të gjithë ato institucione dhe profesionistë që duhet të rrisin kapacitetet dhe përmirësojnë aftësitë e tyre për ta parandaluar dhunën në kohë reale dhe trajtuar atë në mënyrën e duhur dhe në momentin kur ajo ushtrohet.
  3. Të ofrohet mbështetje për profesionistët e medias masive dhe gazetarët, që dëshirojnë të vijojnë të punojnë për qëllimet e transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por që njëkohësisht duhet të jenë të gatshëm të pranojnë aspektet etike lidhur me atë çfarë duhet thënë dhe kur, sidomos kur kanë të bëjnë me fëmijët dhe viktimat e dhunës.

Dhuna kundër fëmijëve, vajzave, grave, por edhe dhuna në përgjithësi, duhet dhe mund të parandalohet! Interesi më i mirë i fëmijës mbi të gjitha!

UNICEF Shqipëri është më se e gatshme të qëndrojë në prarojë të kësaj sfide.

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook