"Çdo fëmijë ka nevojë për familje", deklaron UNICEF

30 Maj 2018
Every child needs a family
UNICEF/ALB/2018/Olsi Beci

Tiranë, 30 maj 2018 – Në Shqipëri, aktualisht 230 fëmijë jetojnë në institucionet e kujdesit rezidencial publik, megjithatë, shumica e tyre kanë familje biologjike. Për fat të keq, vendosja e fëmijëve në institucionet e mëdha të kujdesit rezidencial, është një fenomen i shtyrë nga varfëria.

Sot, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me UNICEF-in, prezantoi një plan strategjik për kujdesin alternativ për fëmijët pa kujdes prindëror, për t'i dhënë fund vendosjes së fëmijëve në kujdesin rezidencial.   

Studimet kanë treguar përfundimisht se zhvillimi në fëmijërinë e hershme, nga 0-3 vjeç, është thelbësor që fëmijët të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve shkencore, një numër shumë i madh fëmijësh vazhdojnë ta kalojnë pjesën më të madhe të viteve të tyre të zhvillimit në mjedise të papërshtatshme. 

Synimi i planit strategjik është ulja e numrit të fëmijëve që jetojnë në institucionet e kujdesit rezidencial, duke parandaluar ndarjen e familjeve kur është e mundur, dhe duke kërkuar familje kujdestare për fëmijët që janë pjesë e kujdesit familjar.  

Plani i kujdesit i prezantuar sot do të trajtojë vlerësimin për secilin fëmijë; vlerësimin e performancës së secilit punonjës dhe vlerësimin e infrastrukturës së institucioneve. Po ashtu, mundësitë e kujdesit alternativ për fëmijët do të përfshijnë: bashkimin me familjen biologjike, kujdestarinë e përkohshme, kujdestarinë me lidhje gjaku, familjen kujdestare, birësimin, shtëpitë familje të vogla dhe programet e integrimit të të rinjve. 

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Dr. Roberto De Bernardi u shpreh: “Shqipëria ka treguar se ka praktika premtuese. Tani është koha që ne të mbështetemi tek ato dhe të përshpejtojmë ndryshimin. Në mënyrë që të parandalohet ndarja e fëmijëve nga familjet e tyre dhe që fëmijët të largohen nga kujdesi rezidencial dhe të kthehen te familjet e tyre biologjike, nevojiten investime më të mëdha për programet komunitare për mbështetjen e familjeve.” 

Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh: “Ne kemi një kuadër të qartë të situatës së ofrimit të shërbimeve sociale në të gjitha Institucionet tona. Nga të gjitha Inspektimet dhe Monitorimet e Kryera nga Specialistët tanë të Ministrisë në kemi evidentuar të gjitha problematikat  dhe mangësitë që kërkojnë ndër hyrje.

Nuk kemi heshtur dhe nuk do heshtim asnjëherë ndaj abuzimeve dhe keqtrajtimit të fëmijëve. Dhuna dhe abuzimi ndaj fëmijëve është krim, dhe duhet të denoncohet dhe çdo rast të ndiqet. Nuk kemi heshtur dhe nuk do heshtim ndaj mungesës së profesionalizmit, vizionit dhe vullnetit për të shërbyer me përkushtim."  

UNICEF-i në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë qeverinë në përmirësimin e kuadrit përkatës ligjor dhe normativ, dhe të përmirësojë kapacitetet e punonjësve të mirëqenies sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, si një masë e drejtpërdrejtë për forcimin e mekanizmave të përballimit të familjeve vulnerabël, dhe për parandalimin e rrezikut të ndarjes së fëmijëve nga mjedisi familjar.    

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook